Deklarata e fortë: Fadil Syleviqi ka deponuar dëshmi në Speciale për vrasjen e Enver Malokut dhe...

Politika

Deklarata e fortë: Fadil Syleviqi ka deponuar dëshmi në Speciale për vrasjen e Enver Malokut dhe...

Nga: P.R Më: 17 janar 2021 Në ora: 17:31
Enver Maloku

Polici i Kosovës, Fadil Syleviqi i cili ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale është gjetur i vdekur në mal gjatë ditës se premte.

Po ashtu, emri i tij është i njohur sepse ka qenë pjesë e akuzave publike. Vëllezërit Ramadani dhe Kiqina, të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001, e kanë akuzuar vazhdimisht Syleviqin se ai qëndron prapa montimit të këtij rasti.

Lidhur me këtë rast dhe vrasjen e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale, për “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.

“Është e pritshme që dëshmitarët e Gjykatës Speciale, kudo që mund të identifikohen do të përfundojnë si këta dy të lartpërmendurit, që është një nga taktikat për t’i frikësuar të gjithë dëshmitarët e proceseve gjyqësore në Hagë, në mënyrë që ata t’i tërheqin dëshmitë e tyre”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, Fadil Syleviqi ka qenë dëshmitar kyç i Gjykatës Speciale. Me vrasjen e tij, Haziri thotë se ka dështuar Gjykata Speciale.

“Rasti i Fadil Syleviqit, është edhe një dështim i institucioneve të sigurisë , por edhe të vet programit të gjykatës Speciale për mbrojtjen e dëshmitarëve të saj. Tashmë i ndjeri Fadil Syleviqi ishte dëshmitar kyç në procesin gjyqësor të Gjykatës Speciale, për arsye se ai iu ka shërbyer shumë adresave të inteligjencës, ishte edhe pjesëtar i UÇK-së dhe bashkëpunëtor i ngushte në aspektin e institucioneve të sigurisë më liderët politik të të ashtuquajturit “krahu i luftës””, shprehet Haziri.

Për fund, analisti Haziri thotë se Fadil Syleviqi ka deponuar dëshmi në Gjykatën Speciale për vrasjen e Enver Malokut.

“Po ashtu është folur si ai ka njohuri dhe ka deponuar si dëshmi në Gjykatën Speciale për rastin e vrasjes së gazetarit dhe publicistit Enver Maloku, njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të ish-presidentit Rugova, por edhe që ka pasur njohuri rreth vrasjeve politike të pasluftës në Kosovë. Dhe krejt përfund dua të them se dëshmitarët e Gjykatës Speciale, do të vazhdojnë të jenë të kërcënuar dhe të pasigurt pasi përbrenda institucioneve të sigurisë në Kosovë, veprojnë elemente të SHIK-ut dhe i njerëzve të afërt më të akuzuarit në Gjykatën Speciale”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat