Kërkesa e Haradinajt për bashkim me Shqipërinë, analisti i përgjigjet dhe “godet” kreun e AAK-së: Deklaratë totalisht e pavend

Politika

Kërkesa e Haradinajt për bashkim me Shqipërinë, analisti i përgjigjet dhe “godet” kreun e AAK-së: Deklaratë totalisht e pavend

Nga: G.B Më: 19 janar 2021 Në ora: 23:03
Ramush Haradinaj

Referendum për bashkim me Shqipërinë në vitin 2025.

Kështu ka paralajmëruar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu është dhe kandidat për president të Kosovës.

Kështu deklaroi ai, derisa i tha Aleksandër Vuçiqit që të mos frikësohet dhe të mos bëhet nervoz.

“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë! Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon. Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës. Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”, ka deklaruar Haradinaj.

Por, si komentohet kjo deklaratë dhe e tij dhe sa ka mundësi që të ndodhë bashkimi me Shqipërinë?

Image
Leon Duhanaj

Lidhur me këtë, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se deklarata të tilla janë të pavend, sidomos tani në kohë fushate.

"Për mendimin tim, deklaratat e tilla, janë totalisht pavend e aq më shumë kur vidhen kuturu, në kohë fushatash. Për fat të keq, populli shqiptar, në vend që të udhëhiqen me projekte vizionare, po bie preh e politikave populiste, të cilat nuk sjellin asnjë dobi për vendin as për qytetarët", është shprehur ai.

Duhanaj përmend rastin e Gjermanisë, që thotë se është bashkuar pa bërë kurrë një deklaratë të tillë por ka punuar për atë projekt dhe ka arritur rezultat.

"Gjermania ka arritur të bashkohet kurrë pa u dëgjuar një deklaratë politike për bashkim. Ata kanë punuar për atë projekt dhe kur kanë arritur t'i krijojnë rrethanat e kanë bërë edhe bashkimin", ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, tek ne ndodhë e kundërta, ku politikanët bëjnë deklarata të tilla, por që nuk ndërmarrin veprime, derisa përmend edhe deklaratat e Kurtit për këtë temë.

"Përderisa tek ne ndodhë e kundërta, politikanë të caktuar bëjnë deklarata për kinse bashkim kombëtar, përderisa nuk bëjnë gjë të hajrit për vendin. Edhe z.Kurti vazhdimisht është marrë me synimet për ta zhbërë shtetësinë e Kosovës, në emër kinse të "bashkimit", edhe me vetëdije të plotë se një ndryshim kufijsh do të nënkuptonte edhe ndarjen e Kosovës, ndërsa në anën tjetër deklarimet edhe kur ishte Kryeministër hezitoi të shkojë në SHBA me moton se aty po na presin me thika mbi hartë", ka vlerësuar ai.

Për dallim nga Kurti, Duhanaj mendon se Haradinaj bën deklarata të tilla nga qasja emotive, pa e matur fjalën.

"Deklarata e Haradinajt është e pavend, por për dallim nga Kurti, ky e bën nga qasja emotive në raste të caktuara, pra pa e matur fjalën por nuk besoj që ketë do ta bënte qëllimshëm", ka deklaruar Leon Duhanaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat