Biden betohet si president i SHBA-së, profesori paralajmëron Kosovën: Një gjë është e sigurt...

Politika

Biden betohet si president i SHBA-së, profesori paralajmëron Kosovën: Një gjë është e sigurt...

Nga: P.R Më: 20 janar 2021 Në ora: 18:39
Biden u betua duke përdorur një Bibël që ka qenë në familjen e tij që nga viti 1893

Demokrati Joe Biden bëri betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Me ndihmo, Zot”, tha Biden, teksa u betua para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.

Por si do të ndikojë në çështjen e Kosovës zgjedhja e Biden si president i SHBA-së?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai e quan lajm të mirë për Kosovën zgjedhjen e demokratit Biden si president i SHBA-së.

“Është thuajse e sigurt se zgjedhja e tij si shefi i Shtëpisë së Bardhë përbën një lajm shumë të mirë për Kosovën. Nuk besoj se një emër tjetër nga republikanët apo demokratët do të ishte më i përshtatshëm dhe më në dobi të Kosovës dhe shqiptarëve. Me ardhjen e Biden në krye të shtetit amerikan një gjë është e sigurt: Vendimmarrja e tij nuk do të vijë nga mosnjohja e së vërtetës së madhe në konfliktin midis shqiptarëve she serbëve. Përkundrazi, ai është njohësi më i mirë i ngjarjeve që kanë ndodhur në Ballkan dhe marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Këtë të vërtetë e njohin gjithashtu thuajse të gjithë bashkëpunëtorët e zotit Biden. E njeh edhe sekretari i Shtetit Amerikan, Anthony Blinken”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Anthony Blinken e përshëndeti marrëveshjen e 4 shtatorit, e cila u nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në parani të ish presidentit, Donald Trump.

“Blinken foli dje para senatit amerikan dhe duke u përgjigjur në një pyetje për Kosovën, e përshëndeti marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit Trump midis Kosovës dhe Serbisë. E kemi thënë edhe atëherë kur kjo marrëveshje u nënshkrua se e mira e saj ishte zotimi i kryeministrit izraelit, Netanjahu, për njohjen e shtetit të Kosovës, e keqja e tij ishte minishengeni, ndërsa pikat e tjera nuk do ta dëmtonin Kosovën, ishin teorikisht çështje neutral midis palëve. Në këto rrethana, kur amerikanët e evropianët në parim mbështesin çdo iniciativë bashkëpunimi, përfshirë dhe minishengenin, nuk kishte pritshmëri tjetër në përgjigjen e zotit Blinken. Përgjigja e tij në senat mendoj se ishte e saktë”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi ka treguar se cila do të jetë qasja e administratës Biden ndaj Kosovës.

“Kjo nuk do të thotë se administrata Biden nuk do të korrigjojë disa ide dhe pikëpamje të Grenellit e sidomos të John Bolton. Pra, nuk besoj se qasja e administratës së re amerikane së sotme do të jetë identik me atë të administratës së shkuar. Minimumi që pritet ka të bëjë me korrekturën e çasjes së kaluar, jo me ndryshimin e plotë të saj. Këtë qëndrim nuk do ta mundësojë vetëm fakti që Biden është njohës i shkëlqyer i zhvillimeve në Ballkan, por edhe ridimensionimi i marrëdhënieve të SHBA-ve me Evropën e sidomos me Gjermaninë. Biden nuk do të marrë vendime për Kosovën dhe Ballkanin pa konsensusin e kancelares së sotme ose kancelarit të pas shtatorit të Gjermanisë. Unifikimi I qëndrimeve dhe vendimmarrjes së tillë shkon në favor të tërësisë territorial të Kosovës dhe forcimit të shtetësisë së saj”, thekson profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thotë se vendimet e administratës amerikane për Kosovën, varen shumë nga disa faktorë të brendshëm në Kosovë.

“Ka ndër ne shqiptarët që presin që Biden të veprojë dhe të marrë vendime pro Kosovës dhe kundër Serbisë, për hatër tonin, se një rrugë në Ferizaj ka emrin e djalit të tij apo për arsye tjera që tashmë dihen. Nuk duhet të jemi euforikë. Asnjë president amerikan nuk merr vendime në kundërshtim me interesat e vendit të tij. As Biden dhe administrate e tij, as sekretari Blinken nuk do të mund të veprojnë me emocionin e miqësive dhe krushqive. Bazuar në këtë konkluzion dalim te një ide tjetër: Vendimet e administratës amerikane varen shumë nga disa faktorë të brendshëm në Kosovë. Së pari Kosova duhet të mos bëhet pengesë për një politikë amerikane në krah të saj. Nëse vazhdon të sundojë krimi i organizuar, nepotizmi dhe korrupsioni, atëherë këto sëmundje që vendi i ka ende nëpër këmbë bëhen aleatë të Serbisë kundër Kosovës. As Biden dhe askush tjetër nuk mund të marrë në mbrojtje një qeverisje të kapur nga krimi dhe korrupsioni. Kjo 'është alfa dhe omega e ndryshimit që po ndodh dhe duhet të ndodh në Kosovë”.

“Së dyti, nuk mundet që liderët dhe institucionet e Kosovës të rrinë në pritje të këshillave amerikane për të vepruar. Nëse Kosova shkon me mendimin “Hajt se e di Amerika si zgjidhen problemet e saj”, atëherë një ditë Biden e kushdo qoftë do të thonë: “Mjaft më se u lodhëm me këta kalamaj të paditur e në ndonjë rast edhe të pabindur”! Se kur nuk bindet I padituri, atëherë problem është shumë i madh dhe tërhiqen edhe miqtë. Ndërsa një lidership i ditur, që sjell argumente, fakte, prova dhe bind partnerin amerikan për të drejtën e Kosovës, bën që vendimmarrja amerikane të jetë në dobi të saj”, shpjegon më tej profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Për fund, Bytyçi deklaron se duhet kuptuar se faktori kryesor i qëndrueshmërisë, prosperitetit, forcimit të shtetit dhe ardhmërisë së Kosovës janë aktorët dhe faktorët e brendshëm të saj.

“Edhe Zoti thotë “Ndihmo veten se të ndihmoj edhe unë”! Liderët e së shkuarës, duke qenë hajna, e shpesh herë kriminelë i lanë gjërat të shkojnë në rrjedhje të lirë dhe e vunë në vështirësi edhe aleatin më të madh e më të mirë të Kosovës, SHBA-të. Ishte presidenti i Kosovës, Thaçi, që në vend të merrej me argumentin e zgjidhjes së drejtë të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, u paraqit vullnetarisht fillimisht te Bolton e pastaj te Grenell për të dhënë territore shqiptare për Serbinë. Kjo, sepse ishte i kapur në korrupsion e në krim! Pikërisht kjo situatë duhet mënjanuar me ndryshimin e ri”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat