Mos certifikimi i kandidatëve për deputetë, juristi: Kështu duhet të veprojë KQZ-ja në rastin e Albin Kurtit

Politika

Mos certifikimi i kandidatëve për deputetë, juristi: Kështu duhet të veprojë KQZ-ja në rastin e Albin Kurtit

Nga: A.Morina Më: 21 janar 2021 Në ora: 21:26
Albin Kurti

Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka kthyer përgjigje Komisionit Zgjedhor të Kosovës, rreth emrave të kandidatëve për deputetë.

Bëhet e ditur se në mesin e 47 kandidatëve figuron edhe emri i kryesuesit të listës zgjedhore të LVV-së, Albin Kurti.

Pas këtij vendimi ka reaguar, kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili ka deklaruar se kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka po punon për pamundësimin e kandidimit për deputet të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, shkruan "Bota sot".

Kjo deklaratë e Konjufcës, ka nxitur shumë reagime dhe debate në opinionin publik.

Menjëherë, pas kësaj deklarate, ka reaguar Daka e cila ka thënë se ka marrë shumë kërcënime edhe në drejtim të familjes së saj, por që nuk do ta zmbrapsin nga puna që bën. Gjithashtu, ajo ka shtuar se është Gjykata Kushtetuese që ua ka pamundësuar kandidimin dhe jo ajo.

“Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë veten në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kërcënimet ndaj Valdete Dakës dhe vendimin e KQZ-së për mos certifikimin e Albin Kurtit dhe disa kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kelmendi tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të veproj në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nëse ligji zgjedhor në fuqi është në kundërshtim me të.

“KQZ duhet të veprojë mbi bazën e normave kushtetuese. Dhe, nëse ndodh që një ligj, sikundër është Ligji Zgjedhor, me qenë kundër Kushtetutës, ligji nuk ka vlerë, vlerë ka Kushtetuta. Me normat kushtetuese sanksionohet largimi i një deputeti nga kuvendi, këtej edhe nga lista, kur dënimi është në formën e prerë dhe është një apo më shumë vjet burgim. Këtu në mënyrë automatike përjashtohet deputeti apo nuk lejohet kandidimi”, deklaroi Kelmendi.

Juristi u shpreh se kjo është një çështje shumë kontradiktore sa i përket veprimeve juridike. Madje, Kelmendi tha se juridikisht personat që janë të dënuar me kusht ose me gjobë, kanë të drejtë të kandidojnë.

“Çështja qëndron jo në kushtetutë por në veprimet juridike. Duhet thënë se është një çështje shumë kontradiktore dhe që ka të bëjë me parashkrimet, nëse kemi dënime, jo në përputhje me normat kushtetuese. Por si është çështja me dënimet me kusht, me dënimet nën një vit burgim apo me dënim me gjobë etj. Juridikisht këta kanë të drejtë të kandidohen, sikurse edhe ata që gjenden në procedurë, por të pa dënuar”, theksoi Kelmendi.

Tutje, Kelmendi tha se prokurorët dhe gjyqtarët po ngritin akuza pa fakte, vetëm sa për ta mbushur normën e tyre punës.

“Mirëpo, çështja është te përgjegjësia morale e kandidati dhe te karakteri i drejtë i prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët po ngritin akuza vetëm sa për të mbushura normën e punës, pa ekzistimin e fakteve dhe të provave për vepër të dënueshme.

Për këto çështje vendosin KQZ, KGJK, KPK dhe organet tjera hetuese në pozitë akuzuese. I takon këtu që çdo rast i kandidatëve të përjashtuar të kalon te gjykata për shqyrtim”, nënvizoi Kelmendi

Në fund, Kelmendi tha se vetëm pa vendim gjyqësor nuk duhet të përjashtohet askush nga lista e kandidatëve. Ai përmendi edhe kërcënimet ndaj Valdete Dakës, me të cilat tha se duhet të merret prokuroria.

“Pa vendim gjyqësor nuk duhet të përjashtohet askush nga lista, këtu është baza e akuzave dhe KQZ duhet të jetë në nivelin e punës. Mirëpo, nëse kemi sulme fizike dhe kërcënime, është prokuroria ajo që duhet të marrë masa. Nuk duhet lejuar sulmet fizike dhe kërcënimet e ndryshme mbi KQZ, ato duhet ndaluar dhe dënuar”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat