Hamiti: Presidenti Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të përjetshme

Politika

Hamiti: Presidenti Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të përjetshme

Nga: A.M. Më: 21 janar 2021 Në ora: 23:06
Muhamet Hamiti, Presidenti historik Ibrahim Rugova

Bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se presidenti Rugova e ka drejtuar popullin e Kosovës në udhën e lirisë, të demokracisë e të pavarësisë.

“Në këtë përvjetor të pesëmbëdhjetë të shkuarjes në amshim të Presidentit Rugova, e kujtoj me mall njeriun e mirë dhe udhëheqësin e urtë e trim, me të cilin pata privilegjin jetësor të punoj deri në frymën e tij të fundit.

Në gjashtëmbëdhjetë vjetët e tij si udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe i Republikës së Kosovës – sepse ai qe bërë burrështetasi ynë, ikona e Kosovës në botë, kur vendi ynë nuk ishte njohur ende ndërkombëtarisht – Ibrahim Rugova drejtoi popullin e Kosovës në udhën e vet të lirisë, të demokracisë e të pavarësisë, një ndërmarrje shekullore edhe për popuj me traditë më të madhe politike. Rugova e fitoi besimin e popullit, sepse ai udhëhoqi me besim, jo duke indoktrinuar njerëzit. Një popull i tërë e bëri të veten rrugën e Prijësit të vet, pa u lëkundur e ligështuar edhe kur Serbia gjakatare bëri luftën gjenocidale kundër popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej, Hamiti shprehet se presidenti Rugova e shpiu kauzën e popullit të Kosovës në agjenda ndërkombëtare, ku më pas u bë vendimtare për fitore në fund.

“Me Lidhjen Demokratike, fillimisht lëvizje politike pavarësiste, më vonë parti politike e qendrës së djathtë, e lidhur me historinë dhe traditën e kësaj toke, që është në themelet e shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova e shpuri kauzën e popullit të Kosovës në agjenda ndërkombëtare, që u bë vendimtare për fitore në fund. Vendet kryesore perëndimore dhe aleanca më e madhe ushtarako-politike, NATO, doli në ndihmë të popullit të Kosovës që bënte rezistencë të përgjithshme e luftë çlirimtare në fund të shekullit të kaluar”, ka deklaruar ai.

Hamiti i cili ishte edhe këshilltar i presidentit, potencon se tani vendi nuk ka një njeri të kalibrit të Rugovës.

“Kosova nuk ka sot një njeri të kalibrit të Ibrahim Rugovës, një udhëheqës të mençur e unifikues si ai, por ka trashëgiminë e tij të vlefshme. Duke iu kthyer kësaj trashëgimie, mbas një hutese shoqërore të kohëve të fundit, edhe aktuale, Republika e Kosovës ka mundësinë të bëhet atdheu i dashur i të gjithë kosovarëve, një vend me të ardhme të mirë në këtë pjesë të Evropës e të botës. Ibrahim Rugova vdiq herët, sapo kishte mbushur 61 vjet, por bëri punë shekullore dhe la një trashëgimi të përjetshme për popullin tonë. Le ta ruajmë e kultivojmë këtë trashëgimi të Atit Themeltar të Shtetit të Kosovës, për të mirën e fëmijëve tanë e të pasardhësve të tyre në atdheun tonë të dashur”, ka thënë Hamiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat