Vendimi për moscertifikimin e Albin Kurtit, për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, juristi jep alarmin – përmend bojkotin e zgjedhjeve

Politika

Vendimi për moscertifikimin e Albin Kurtit, për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, juristi jep alarmin – përmend bojkotin e zgjedhjeve

Nga: N. H Më: 22 janar 2021 Në ora: 23:24
Albin Kurti

Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma nuk kanë arritur të marrin certifikimin e listave zgjedhore nga KQZ-ja. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe janë certifikuar, edhe si subjekte edhe listat e tyre.

VV-ja nuk ka zëvendësuar kandidatët në listën e saj të cilët kanë problem me ligjin, që kanë qenë pesë prej tyre. Vetëm pesë anëtarë të KQZ-së kanë votuar për, kurse tetë kanë abstenuar.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është certifikuar me 11 vota për si subjekt politik, ndërsa me 6 vota nuk është certifikuar lista e saj.

Lista e LDK-së është certifikuar me 10 vota për. Kjo parti ka ndryshuar një kandidat që i kërkohej për shkak se binte ndesh me ligjim.

Lidhur me këtë, për “Bota sot”, ka folur juristi i njohur.

Njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor është duke shkuar drejt rrugës së dështimit të organizimit të këtyre zgjedhjeve.

Tutje, ai ka folur edhe për veprimet e ardhshme që priten të ndërmerren nga partitë politike, ndërsa, thotë se duhet shpresuar që subjektet në vend nuk do t’i bojkotojnë në tersi këto zgjedhje.

Image
Blerim Burjani

“KQZ-ja po shkon drejt dështimit për organizimin e zgjedhjeve, sepse partitë që përfaqësohen në KQZ, duket se po e donë këtë. Ideja është me u shty zgjedhjet, pra Lëvizja Vetëvendosje nuk certifikohet si listë, e as si parti me dëshirën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa, AAK-ja nuk ka arsye përveç nëse sondazhet jo profesionale që po e qesin poshtë, dhe dëshirojnë te shtyhen këto zgjedhjet po ashtu NISMA e cila nuk është aspak e sigurt se kalon pragun. Të shpresojmë që partitë të mos bojkotojnë këto zgjedhje”, ka deklaruar juristi Burjani.

Juristi me tej thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ose duhet të zbatohet, ose të shtyhen zgjedhjet deri në rrethana të reja.

“Pra, ideja është të shtyhen zgjedhjet dhe KQZ të dështojë. Kjo aspak nuk i bëhet e padrejtë askujt, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ose duhet të zbatohet ose të shtyhen zgjedhjet deri në rrethana të reja. Albin Kurti, dhe asnjë tjetër nuk mund të certifikohen për këto zgjedhjet”, tha në fund, njohësi i çështjeve juridike, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka certifikuar për garimin në zgjedhjet e 14 shkurtit, 47 kandidatëve për deputet, të cilët janë të dënuar në tre vitet e fundit.

Në mesin e 47 kandidatëve të cilët nuk i’u lejua kandidimi në këto zgjedhje, është edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat