Me kënd bashkohet Albin Kurti? Profesori tregon skenarin pas 14 shkurtit, alarmon keq Vjosa Osmanin

Politika

Me kënd bashkohet Albin Kurti? Profesori tregon skenarin pas 14 shkurtit, alarmon keq Vjosa Osmanin

Nga: P.R Më: 23 janar 2021 Në ora: 18:37
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Eksperti amerikan David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nëse Vetëvendosje nuk arrin ta fitojë shumicën në zgjedhje, atëherë ajo mund të bëjë koalicion me AAK-në.

“Pluralizmi politik është thelbësor për demokracinë. Ka personalitete të tjera të forta, të tilla si Ramush Haradinaj, të cilët janë të rëndësishëm për debatin politik dhe ndërtimin e konsensusit. Nëse VV nuk ka vota të mjaftueshme, VV-ja mund të hyjë në koalicion me AAK-në që do të prishte koalicionin midis VV-së dhe zonjës Osmani”, është shprehur Phillips.

Se Vetëvendosjes do t’i duhet një partner në koalicion pas zgjedhjeve, e thotë edhe profesor, doktor Enver Bytyçi.

“David L. Phillips është një nga ekspertët më të mirë e më të njohur të zhvillimeve në Evropën Juglindore dhe veçmas në Kosovë. Ai gjithnjë na ka dhënë shembuj dhe parashikime të vlefshme për proceset në Kosovë, sidomos në dialogun me Serbinë. Por e ndjek nga afër gjithashtu dinamikën politike në Prishtinë, ndaj dhe parashikimet e tij duhen vlerësuar. Prej fillimit të debatit për rezultatin zgjedhor kam ngritë temën e njëjtë me Profesor Phillips se Vetëvendosjes së zotit Kurti do t'i duhet edhe një partner tjetër që ai të krijojë qeverinë e ardhshme dhe kam folur për një partneritet të tijin me zotin Haradinaj. Nga partitë e dala nga lufta nuk shoh se ndonjë subjekt tjetër politik mund të bashkëpunojë me Vetëvendosjen për krijimin e qeverisë së re. Ose më saktë nuk besoj se Vetëvendosja do të dinte një partner tjetër veç AAK-së, me të cilën ka ndarë në opozitë të njëjtat qëllime dhe aksione politike:, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Ai tregon arsyet pse Haradinaj e ka forcuar pozicionin e tij në skenën politike në Kosovë.

“Nga ana tjetër, Haradinaj doli nga procesi i hetimit për përgjegjësinë e tij në luftën çlirimtare jo vetëm I pastër, por edhe fitimtar dhe më I fortë, ndërkohë që eksponentët e tjerë që gjenden sot në Hagë me shumë gjasa do të kenë fat tjetër. Ndërkohë qëndrimet e zotit Haradinaj kundër projektit Vuçiç-Thaçi-Rama për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës e kanë forcuar pozicionin e tij. Ndaj dhe mendoj ngjashëm me zotin Phillips se kreu i AAK-së është një aktor dhe faktor i rëndësishëm pozitiv në skenën politike të Kosovës”, shprehet Bytyçi.

“Pra, koalicioni midis Vetëvendosjes, Lëvizjes së zonjës Osmani dhe AAK-së mendoj se do të ishte koalicioni më i qëndrueshëm i qeverisë së re dhe madje do të performonte më një unitet mendimi e veprimi të admirueshëm për kohët e kaluara. Do të sillte momogjenizimin e politikës rreth çështjeve themelore të zhvillimit në Kosovë. E vetmja pengesë është dhe do të mbetet fakti se AAK është e prirur nga drejtimi me nepotizëm e për pasojë nuk është e besueshme në luftën kundër korrupsionit. Por një kryeministër I aftë e kontrollon dhe e frenon këtë fenomen”, thekson Bytyçi.

Por a mund ta prish një koalicion i tillë Vjosa Osmanin me Albin Kurtin, ashtu siç ka paralajmëruar David L. Phillips?

Lidhur me këtë, profesor Bytyçi thekson se ka gjasa që koalicioni i mundshëm Vetëvendosje-AAK, ta përçajë Vjosa Osmanin me Albin Kurtin.

“Ekziston edhe kjo mundësi, sepse si zonja Osmani, edhe zoti Haradinaj janë deklaruar se në këmbim të këtij koalicioni duan postin e kreut të shtetit. Zoti Kurti publikisht këtë post ia ka premtuar zonjës Osmani. Por nëse do të jetë i detyruar të marrë në qeverisje AAK-në, atëherë kushti i saj do të jetë pikërisht posti i presidentit për zotin Haradinaj. Kjo do të thotë se Kurtit i duhet të heqë dorë nga premtimi që ka bërë në lidhjen e marrëveshjes me Nismën e Vjosës. Në këtë rast mundet që Vjosa të largohet nga Vetëvendosja e të qëndrojë në opozitë”, deklaron Bytyçi.

Ai më tej përmend edhe kompromiset që mund të arrihen, në mënyrë që të evitohet një situatë e tillë mes Osmanit dhe Kurtit.

“Mundet edhe të arrihet një kompromis për ndonjë pozicion tjetër shtetëror të zonjës Osmani ose zotit Haradinaj. Posti i Zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, si dhe posti i kreut të parlamentit ose edhe i ministrit të Brendshëm janë joshës, sidomos për AAK-në e zotit Haradinaj. Megjithatë besoj se këto janë supozime”.

Profesor Bytyçi thotë se LDK dhe PDK mund të barrikadohen kundër zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente.

“Duhet të lexojmë rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, me qëllim që të arrimë në një definicion të saktë se cila do të jetë formula e qeverisjes. Ndërkaq për postin e presidentit ka mundësi që LDK dhe PDK të mos bëjnë lëshime, nëse për këtë post piketohet Vjosa Osmani, ndërkohë që Haradinaj është më i aftë të marrë së paku neutralitetin e këtyre dy partive, për shkak të raundit të fundit të votimit. Pra që ato të jenë në sallë si të pranishme. LDK dhe PDK në përpjekje për ruajtur çfarë mund të ruajnë nga trashëgimia e tyre në qeverisje do të preferonin që pushteti të mos shkojë i tëri në duart dyshes Kurti-Osmani. Prandaj dhe nuk do ta votonin si presidente Vjosën”, nënvizon Bytyçi, duke paralajmëruar edhe ndërhyjen e faktorit ndërkombëtar për tejkalimin e krizës politike.

“Por ka edhe një faktor vendimmarrës. Ai është faktori ndërkombëtar. Sa më shumë kohë kalojnë nga shpallja e pavarësisë, aq më shumë faktori ndërkombëtar ka rrit indiferencën e tij për zhvillimet e brendshme në Kosovë, sepse është e mundimshme të kujdesesh për gjithçka. Por zgjidhja e presidentit besoj se do të jetë një moment me rëndësi për vendet e Quintit dhe për pasojë mund të ketë një lloj intervenimi sipas preferencës. Dhe nëse nisemi nga preferenca, atëherë duhet supoozuar se zonja Osmani duhet të shpresojë më shumë se zoti Haradinaj në mbështetjen e ndërkombëtarëve”.

Për fund, profesor Bytyçi ka thënë se mes Vjosa Osmanit dhe AAK-së, Albin Kurti do ta zgjedh AAK-në.

“Përfundimisht duhet pranuar se AAK do të ketë më shumë deputetë se Lista Osmani. Për pasojë nëse do t'i duhej të zgjidhte, Kurti do të zgjidhtë në fund AAK-në, ndonëse me shumë vështirësi, sepse qytetarët kanë votuar një listë të përbashkët dhe largimi I Vjosës do ta trondiste besimin e qytetarëve te zoti Kurti. Pra, kostoja politike do të ishte e pashmangshme. Ka shumë arsye të mendojmë se do ketë një zgjidhje pa ndarje. Në fund të fundit mund të llogariten edhe votat e partive të minoritetit, përveç serbëve”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat