Pas “kërcënimit” me shkarkim të Osmanit ndaj Dakës, analisti vjen me një porosi edhe për VV-në

Politika

Pas “kërcënimit” me shkarkim të Osmanit ndaj Dakës, analisti vjen me një porosi edhe për VV-në

Nga: A.Morina Më: 23 janar 2021 Në ora: 22:33
Vjosa Osmani

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos certifikimin e listave zgjedhore të LVV-së, AAK-së dhe Nismës, ka shkaktuar reagime dhe përplasje mes subjekteve politike.

Këto ditët e fundit, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka është bërë cak i akuzave dhe kritikave.

Ajo madje në një mënyrë është ‘kërcënuar’ nga U.d. e Presidentit, Vjosa Osmani për një shkarkim të mundshëm. E kjo deklaratë e Osmanit ka shkaktuar debate të mëdha në opinionin publik.

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar akuzat dhe “kërcënimet” e U.d. e Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmanit drejtuar KQZ-së dhe Valdete Dakës. Duhanaj tha se e gjithë kjo fushatë kundër Dakës filloi me akuzat e Konjufcës.

“Sulmet e pareshtura ndaj znj. Valdete Daka, filluan me deklaratën kërcënuese të z. Glauk Konjufca, e që me pastaj u pasua më një valë poshtëruese nga makineria e organizuar e militantëve të VV-së duke e përbaltur figurën e znj. Daka,  në një mënyrë të pashembullt për një shoqëri që pretendon me qenë normale”, deklaroi analisti.

Duhanaj u shpreh i zhgënjyer me Osmanin, ai tha se ajo në vend se ta mbrojë viktimën, po e mbështet krimin.

“Unë personalisht u ndjeva i zhgënjyer me indiferencën e shoqërisë  kosovare  në përgjithësi, shoqërisë civile e gjinisë femërore në veçanti.

Aq me shumë është brengosës fakti që UD e Presidentës,  në vend që t'u kundërvihej deklaratat e tashmë bashkëpartiakut të saj, fyerje e e kërcënimeve çnjerëzore, ajo ka zgjedhur rrugën  me të lehtë, në vend që ta mbrojë viktimën, e mbron krimin”, theksoi ai.

Analisti potencoi që Osmani po e luan kamikazin në shërbim të Kurtit, por e paralajmëroi se forca e ligjit është më e gjatë se çdo tjetër, Duhanaj kujtoi se ky vendim është rrjedhojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili edhe e rrëzoi Qeverinë Kurti, të cilin e mbështeten shumë Kurti dhe Osmani.

“Znj. Osmani, ka kohë që luan kamikazin në shërbim të Albin Kurtit, por një gjë duhet ta di, edhe ajo, edhe Kurti, edhe secili në këtë vend, se forca e ligjit është me jetëgjatë se çdo eufori. Kushtetuta e Kosovës, është mbi të gjitha partitë dhe mbi të gjithë liderët narcist. Prandaj, znj. Daka është njëra " e para" nga të barabartët në KQZ dhe vendimi i marrë është rrjedhojë e vendimit të Kushtetueses të cilit VV dhe Vjosa ju gëzuan aq shumë”, nënvizoi Duhanaj.

Në fund, Duhanaj tha se kjo mënyrë e selektimit të ligjeve dhe mos respektimi i organeve të pavarura të shtetit është në kundërshtim me frymën kushtetuese të vendit.

“Kjo mënyrë e interpretimit selektiv të ligjeve dhe mosrespektimi i organeve të pavarura të shtetit, është në kundërshtim të plotë me ligjet, rregullat dhe frymën kushtetuese në vend”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat