Deklarata e Haradinajt sa për zhurmë, Shahu tregon arsyet pse nuk mund të ndodhë bashkimi kombëtar dhe kush ishte i vetmi që e kërkoi atë

Politika

Deklarata e Haradinajt sa për zhurmë, Shahu tregon arsyet pse nuk mund të ndodhë bashkimi kombëtar dhe kush ishte i vetmi që e kërkoi atë

Nga: G.B Më: 26 janar 2021 Në ora: 22:52
Ramush Haradinaj

Bashkimi kombëtar me Shqipërinë vazhdon të jetë dëshirë e kandidatit për president, Ramush Haradinaj.

Ai vazhdimisht deklaron se kjo duhet të ndodhë dhe se do ta bëjë një gjë të tillë.

E për këtë ka pasur reagime të shumta, pro e kundër.

Derisa Haradinaj deklaron një gjë të tillë, nuk kemi pasur një deklaratë lidhur me këtë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky i fundit, kishte prishur raportet me Haradinajn dhe madje kishte bërë një padi ndaj tij.

Por, a mund të realizohet vërtetë kjo ide e Haradinajt apo do të mbetet vetëm deklaratë fushate?

Lidhur me këtë, publicisti dhe ish gazetari Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se kjo deklaratë, që është dëshirë e shumë shqiptarëve, është për zhurmë dhe nuk ka lidhje me realitet, ide kjo që vite më parë u përmend nëse Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur.

"Deklarata - dëshirat e shumë shqiptarëve për bashkim kombëtar të shqiptarëve, të artikuluara tash nga Ramush Haradinaj, janë sa për zhurmë dhe nuk kanë lidhje me realitetet që janë e do të jenë. Vite më parë ishte presioni që nëse Kosova nuk bëhet e lirë dhe e pavarur, shqiptarët do të kërkojnë bashkim kombëtar. Tani që Kosova është shtet me vete, ndonjë bashkim i mundshëm vullnetar, i dy shteteve me miratim nga Amerika, mund të ndodhë kur Kosova të jetë anëtare e OKB-së dhe të pëlqehet nga fuqitë vendosëse të botës. Por edhe sikur sot të lejohet bashkimi mes dy shteteve, ka pengesa nga vet politikanët", është shprehur ai.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, më e mira do të ishte që të ketë një bashkim konfederativ të dy shteteve, derisa shton se pengesa e vetme për bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë, janë shumë politikanë aktualë, sidomos majtistët dhe për këtë tregon arsyet.

"Shumë politikanë aktualë, sidomos të majtët, nuk duan bashkim me Kosovën sepse ata dalin jashtë loje nëse votimet zhvillohen në gjithë hapësirën Shqipëri - Kosovë. E majta në Shqipëri në thelb nuk e kërkon bashkimin me Kosovën. Por nëse do të ishte ndonjë bashkim konfederativ, bashkim i dy shteteve kjo mbase do të ishte më e mira. Nuk besoj se ka pengesë tjetër veç të majtëve shqiptarë për bashkimin. Por kjo është çështje dëshirash gjithmonë. Politikanët shqiptarë asnjëherë nuk kanë qenë serioz në çështjen e bashkimit por e kanë përdorur si çamçakëz bashkimin kombëtar. Askush nuk e ka penguar qeverinë në Tiranë e në Prishtinë që të bëjnë referendum në të dy shtetet, në mënyrë të pavarur që të shprehet vullneti i qytetarëve në të dy vendet a janë apo jo për bashkim. Ibrahim Rugova e pati bërë referendumin për pavarësi dhe ai referendum u njoh kur iu desh Kosovës", ka vlerësuar ai.

Ai thekson se gjëja më e mirë me këtë ide është se po mbahet gjallë bashkimi dhe ka rëndë, pasi shqiptarët janë një popull i ndarë në 3 shtete.

"Gjëja më e mirë që duhet të përkrahet Ramushi e kushdo, kur flitet për bashkim kombëtar, nuk është se ata po e bëjnë bashkimin kombëtar, po bëjnë referendume ejt etj, por ata po mbajnë gjallë idenë e bashkimit dhe kjo ka shumë rëndësi e shumë vlerë. Shqiptarët nuk janë dy popuj, por janë një popull në dy shtete e tri shtete", ka potencuar Shahu.

Më tej, ai thotë se i vetmi politikan që artikuloi qartë dhe bëri thirrje për bashkim ishte Sali Berisha kur ishte kryeministër në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, duke shtuar se bashkimi kombëtar nuk thuhet por bëhet, e sa herë që thuhet, përdoret për fushatë.

"Politikanët që nuk kanë pushtet thërrasin bashkimin kombëtar. Bashkimin kombëtar i vetmi që e ka artikuluar qartë dhe ka bërë thirrje për bashkim kombëtar, ishte Sali Berisha kur ishte kryeministër në 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Ai iu drejtua atëherë Thaçit e Ali Ahmetit, duke u thënë, djem punoni për bashkim kombëtar. Bashkimi kombëtar bëhet me strategji, me punë, bëhet e nuk thuhet. Sa herë thuhet e thirret, ai përdoret për fushatë. Në finale, në fund të fundit, fati i shqiptarëve është bashkimi. Armiqtë nxisin të këqijat që shqiptarët të mos konsolidojnë shtetet e tyre që të mos jenë të aftë të bashkohen. Por nuk do të mund t'i ikin fatit të tyre shqiptarët, një ditë, në një formë a në një tjetër, do të bashkohen. Qytetarët po bashkohen përditë, po martohen shqiptarët mes tyre, po ngrenë biznese e po investojnë në hapësirën shqiptare. Vetëm dashuria do t'i bashkojë shqiptarët", ka deklaruar Rexhep Shahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat