Paniku i Avdullah Hotit

Politika

Paniku i Avdullah Hotit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 shkurt 2021 Në ora: 11:12
Avdullah Hoti

Zgjedhjet e 14 shkurtit po afrohen dhe partitë politike po vazhdojnë të mbajnë fushatat parazgjedhore në qytetet e vendit.

Këto fushata po janë të shoqëruara me shpalosjen e planprogramve dhe njëkohësisht premtimeve ndaj qytetarëve për ndryshim.

Por ajo se çfarë po merr vëmendjen po janë deklaratat që po liderët po lëshojnë për njëri-tjetrin duke u munduar që në këtë mënyrë të marrin votën e qytetarëve.

Së fundmi ajo se çfarë mori vëmendjen është deklarata e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hotit, I cili u shpreh që “VV-ja do të zhduket si parti”.

“Ka pas edhe episode të caktuara, eksperimente të një partie që pas një sezone është zhdukur. Ka pasë në Greqi, Austri, dhe në vende tjera…”, është shprehur Hoti.

Hoti edhe më tej vazhdoi të flas për VV-në duke e krahasuar atë me LDK-në dhe shprehur që VV-ja nuk ka bazament siç ka LDK-ja.

“Lëvizja Vetëvendosje do të zhduket plotësisht, sepse nuk ka bazament. LDK ka momente të mira dhe jo shumë të mira, por standard ka qëndruar dhe nuk i ka ndryshuar vlerat. Kurrë nuk kemi ndryshuar në parimet tona si parti. Nuk jemi parti sezonale”, ka thënë Hoti.

Njohësi e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën që këto deklarata nuk duhet të bëhen në këto kohë zgjedhje pasiqë nuk është ajo se çfarë qytetarët duan të dëgjojnë.

Sipas analistëve, partitë politike duhet të shpalosin idetë që janë në të mirë të qytetarëve e asnjëhere të marren me deklarata kundër njëra-tjetrës.

Qarri: Liderët dhe partitë politike të krijojnë harmoni ndërmjet njerëzve

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se që LDK-ja, që nga koha e Rugovës në angazhimet politike asnjëherë nuk ka dalur me këso lloj deklaratash.

Sipas Qarrit, në këtë kohë liderët politik duhet të dalin të harmonizuar mes veti në thirrje të qytetarëve për të pasur masa mbrojtëse në këtë kohë pandemie e jot ë lëshojnë këso lloj deklaratash.

“Prej se mbahet mend të ketë filluar LDK, e Ibrahim Rugovës angazhimin politik dhe marrjen pjesë në zgjedhjet vendore, asnjëherë nuk ka ndodhë të dalë ai vet apo dikush prej kandidatëve nga radhët e partisë së tij, me deklarata hipotetike dhe të startojë në fushata elektorale me parashikime imagjinare e mistike, për shuarjen e rivalëve politik nga skena, pak kohë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Madje në vend se liderët dhe partitë politike të krijojnë harmoni ndërmjet njerëzve dhe atmosferë tërheqëse për pjesëmarrje sa më masive në zgjedhje, duke u bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e pandemisë, si dhe mbështetësve politik dhe të gjithë votuesve të Kosovës, që të shtojnë kujdesin gjatë tubimeve elektorale, ky referendum gjithë popullor, ka tendencë të ekstratohet në lartësi hyjnore, që nga shprehjet me përmbajtje paranormale deri te parashkrimi i fatit të “keq” të partive rivale, nën presionin e halucinacioneve të dështimit dhe humbjes në votime”, u shpreh Qarri.

Nga ana tjetër, analisti thotë që Hoti është ndikuar nga magjitë e Burdushit dhe se siç potencon Qarri këto fjalë janë dhënë për të lehtësuar sadopak vuajtjet e veta shpirtërore.

“Ata të cilët parashohin që pikërisht partia e cila kësaj radhe, pritet ti fitojë zgjedhjet, brenda pak kohësh apo vitesh, do zhduket tërësisht nga skena politike, duket se vizitojnë shpesh "Burdushin" dhe kanë rënë keq nën ndikimin e "magjive" të tij hipotetike, ose merren edhe vet me imagjinata mistike, duke u munduar që nën peshën e përjetime e të pakëndshme, nga zhvillimet e fundit, të shkaktuara prej humbjes së pozitës shtetërore dhe dështimit në qeverisje, për të lehtësuar sadopak vuajtjet e veta shpirtërore, t`ua parashkruajnë të ardhmen, jo vetes si kandidat dhe as partisë për të cilën garojnë në zgjedhje, por pikërisht kundërshtarëve politik ,nga të cilët në jetën tokësore, është dëshmuar të pësojnë humbje në disa përballje”, theksoi analisti.

Liderët të përpjekjen për të përmisuar të ardhmen

Analisti më tej, flet edhe për Mustafën dhe deklaratat që edhe ky i fundi ka bërë në këto kohë fushate duke shtuar që asnjë lider politik nuk duhet të jep qëndrime të tilla, por duhet të përmisoj të ardhmen e qytetarëve.

Qarri thotë që Hoti i kaloi me këtë deklaratë edhe Mustafën duke shpalosur edhe një aftësi më tepër, me parashikimet e tij mistike

“Madje në vend të përpjekjeve për të ndryshuar të tashmen dhe përmirësuar të ardhmen e qytetarëve të vendit, duke harmonizuar sadopak qëndrimet politike dhe zbutur klimën ndër partiake, përderisa Isa Mustafa, i mallkon ata që e "kanë thy qafën" e kanë shku në listën e VV-së , dhe u drejtohet votuesve me tone diktuese në formën e prerë urdhërore, që: “Mos t`u shkojë mendja me e votu dikë tjetër, por vetëm kandidatët për deputet të LDK-së, dhe kandidatin për kryeministër të LDK-së”, nxënësi i tij, Avdullah Hoti shkon edhe më larg, duke shpalosur edhe një aftësi më tepër, me parashikimet e tij mistike, dhe dhënë rivalit politik që pritet ti fitojë zgjedhjet aktuale, dënimin më të rëndë imagjinar deri në shuarjen e tërësishme të VV-së, në vitet e ardhshme nga skena politike”, u shpreh Qarri.

Ndër të tjera, ai thotë që Hoti është ende i ri në politik dhe se përveç shkollimit laik, ai duke kaluar shumë kohë nëpër Teqet e Anadrinisë dhe të Dukagjinit bashkë me të vëllain, është pajisur edhe me aftësi mistike, përmes të cilave jo vetëm i “di” por edhe "mund" t`ia parashkruaj fatin e ndonjërës nga partitë e padëshiruara politike.

“Kjo paraqitja e parë e këtij lloji në historinë e gjatë të LDK-së, ndoshta vije edhe për vet faktin se kandidati aktual për kryeministër nga LDK Avdullah Hoti, aso kohe ende ishte i ri dhe nuk ishte pjekur për pozita politike, ndërsa tani përveç shkollimit laik, ai duke kaluar shumë kohë nëpër Teqet e Anadrinisë dhe të Dukagjinit bashkë me të vëllain, është pajisur edhe me aftësi mistike, përmes të cilave jo vetëm i “di” por edhe "mund" t`ia parashkruaj fatin e ndonjërës nga partitë e padëshiruara politike, e që kësaj radhe, duket ti ketë rënë shorti për dënimin më të rëndë, vet rivalit kryesor LVV-së së Albin Kurtit lëvizjes së të cilit i është bashkuar edhe Vjosa Osmani”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

Ahmeti: Qytetarët nuk janë të interesuar të dëgjojnë një diskurs politik etiketues

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që këto deklarata që po devijojnë në retorikën politike po bëhen për të ikur nga fushtata fer e programit qeverisës dhe po japin një sinjal paniku të disa partive politike, në këtë rast të LDK-së.

Pavarësisht të gjithave qytetarët tashmë nuk janë të interesuar për këto lloj deklarata ata tashmë po dëshirojnë shpalosje të programëve të partive pasi tash kemi hyrë në fushatë zgjedhore.

“Devijimi i retorikës politike , diskursit politik jo të pastër dhe ikja nga një fushate fer për të prezantuar programin qeverisës , është sinjal i një paniku të disa partive politike e në këtë rast edhe LDK-së në krye me zoti Hoti. Qytetarët nuk janë të interesuar të dëgjojnë një diskurs politik etiketues, fyes e manipulues, por janë të interesuar të dëgjojnë për ofertat politike, pasi tash kemi hyrë në fushatë zgjedhore. Se cili është identiteti politik i subjekteve politike, qytetarët e dinë më së miri dhe kjo strategji e propagandës politike nuk mund të manipuloj votuesit potencial”, u shpreh Ahmeti.

Në fund analisti flet për deklaratën e Hotit duke u shprehur që nuk të duhej ta lëshonte pasi kjo nuk I ndihmon në këtë fushatë zgjedhore.

Ahmeti gjithashtu thotë që këtë ditë fushate është një mundësi e mirë që partitë politike të orientohen në shpalosjen e programit qeverisës e jo të përdorin strategji manipulative politike.

“Një politikani të ndërgjegjshëm e përgjegjshëm ndaj qytetarëve nuk i takon të lëshohet në një diskurs që nuk ndihmon raporteve të mira në mes subjekteve politike, por edhe proceseve të rëndësishme që e presin Kosovën. Gjykoj se në këtë ditë fushate është një mundësi e mirë që partitë politike të orientohen në shpalosjen e programit qeverisës e jo të përdorin strategji manipulative politike, pasi kjo mund t’ju kthehet boomerang”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat