Nisma për ‘mbijetesë’

Politika

Nisma për ‘mbijetesë’

Arfie Morina Nga Arfie Morina Më 7 shkurt 2021 Në ora: 18:41
Fatmir Limaj

14 shkurti, dita në të cilën pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare në vend, veçse është afruar.

Tanimë në media, kanë filluar të qarkullojnë sondazhe të ndryshme të cilat partitë i vendosni në pozita të ndryshme. Derisa, Lëvizje Vetëvendosje po paraqitet si fituese e këtyre zgjedhjeve, është Nisma ajo e cila po shihet si humbëse e këtyre zgjedhjeve, duke mos arritur ta kalojë pragun zgjedhore.

Bazuar në dy sondazhe të publikuara ditë më parë, Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk do të arrijë ta kalojë pragun zgjedhor. Sipas njërit sondazh, partia e Limajt në zgjedhjet e fundit parlamentare do të fitojë vetëm 3.10% të votave të përgjithshme, ndërsa sondazhi tjetër prognozoi se Nisma nuk do ta kalojë pragun zgjedhor prej 5%, pasi ajo do të fitojë vetëm 2.95% të votave.

Kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka folur për sondazhet sipas të cilave kjo parti s’do e kalojë pragun zgjedhor. Limaj rezultatet e sondazheve i cilësoi si jo profesionale, duke thënë se subjekti i tij do ta kalojë pragun dhe do të shpallet befasia e zgjedhjeve.

“Nisma nesër me u mbajt zgjedhjet jo që e kalon pragun por del befasi. Sipas hulumtimit tonë dhe ne nuk bëjmë hulumtim për publik. Le t’i presim zgjedhjet”, theksoi Limaj.

Ndërsa, lidhur me sondazhet dhe mundësinë e kalimit të pragut zgjedhore nga ana e Nismës Socialdemokrate, kanë folur analistët politikë për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Nisma është në gjendje të rëndë, vështirë se do ta kalojë 5 %

Image
Muhamet Klelmendi

Profesori Muhamet Klelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur rreth mundësisë që Nisma ka për ta kaluar pragun zgjedhor.

Kelmendi tha se duke parë që kësaj partie i kanë ikur shumë persona të fuqishëm që mund të i sjellin vota, e ka shumë të vështirë të hyj në parlament.

“Fushata elektorale është faza e fundit e një partie politike për të qenë prezentë në Kuvend. Në fushatë arrin një sukses partia, por jo të nivelit të dëshiruar, puna e partisë varet nga puna që bën në parlament ose në qeveri.

Shikuar këtej Nisma është në gjendje të rëndë, kësaj partie i kanë ikur shumë forca që mund të sjellin vota”, u shpreh Kelmendi.

Profesori tha se duke parë që Nisma nuk ka treguar shumë suksese sa ka qenë në qeveri dhe për vet faktin se është shumë e përfolur e ka të vështirë të marrë 5% e votave. Ai paralajmëroi Nismën që të diferencohet nga krimi dhe korrupsioni, përndryshe do ta pësoj keq.

“Në anën tjetër, kjo parti nuk ka treguar suksese në qeveri, është përfolur shumë dhe e ka shumë të vështirë për të kaluar 5%.

Megjithatë, i takon Nismës të angazhohet maksimalisht dhe të diferencohet qartë nga korrupsioni dhe krimi, pasi mos diferencimi do t’i kushtoj shtrenjt”, deklaroi Kelmendi.

Zogaj: NISMA pavarësisht sondazheve do ta kalojë pragun zgjedhor

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, njohësi i çështjeve politik, Skënder Zogaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se Nisma e Fatmir Limajt do ta kalojë pragun zgjedhor, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ndërsa, sa i përket sondazheve Zogaj tha se ato janë të porositura për qëllime propaganduese dhe rrallë herë janë serioze. Madje ai u shpreh se nuk u beson aspak sondazheve.

“Sondazhet në Kosovë në të shumtën e herave janë të porositura për qëllime propaganduese, e shumë rrallë për qëllime serioze dhe të dobishme përkitazi me funksionin e sondazheve qëllim mira për publikun e gjerë dhe partitë politike!

Unë nga përvoja personale nuk u besoj sondazheve. Sidomos nuk mund t'iu besoj në kushtet dhe rrethanat aktuale, ku janë të implikuar interesat nga më të ndryshme edhe jashtë kosovare”, deklaroi Zogaj.

Tutje, analisti tha se Nisma do ta kalojë edhe këtë herë pragun zgjedhor dhe ka për ta gëzuar vendin e merituar në Parlamentin e Kosovës. Gjithashtu, Zogaj tha se ky subjekt ka vlera të dëshmuara.

“Prandaj uroj dhe besoj në realizimin sa më të mirë të zgjedhjeve dhe realizim të kënaqshëm të rezultateve të pranueshme! Sa i përket Nismës socialdemokrate të Fatmir Limajt, besoj se kësaj here ka për të kaluar pragun zgjedhor dhe ka për ta gëzuar vendin e merituar në Parlamentin e Kosovës, si parti me vlera të dëshmuara”, nënvizoi ai.

Në fund, ai potencoi se Nisma e meriton votën e qytetarëve, pasi ajo është një parti për të cilën ka nevojë pluralizmi politik dhe parlamentar.

“Nisma si parti e meriton konsideratën e votuesit kosovar, sepse është parti për të cilën ka nevojë pluralizmi politik dhe pluralizmi parlamentar! Kjo nuk është fjalë por është argument i prekshëm dhe unë pres që Nismën ta shoh në Parlament”, përfundoi Zogaj.

Krasniqi: Nisma parti lokale, shumicën e votave i ka në vendlindjen e Limajt

Image
Islam Krasniqi

Po ashtu, edhe analisti politik, Islam Krasniqi beson se Nisma do ta kalojë pragun dhe do të i fitojë 5 %.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se Nisma edhe pse nuk qëndron mirë me sondazhe, ajo prapë do ta ruajë elektoratin e saj të cilët i ka shumë besnikë. Madje, pas përçarjes me PDK-në, Krasniqi tha se Nisma do t’ia shkëput një pjesë të elektoratit të saj.

“Gjatë këtyre zgjedhjeve partia e z.Limaj NISMA për Kosovën besojmë së do të kalojë pragun edhe pse në sondazhe nuk qëndron mirë, mirë po ajo e ruan elektoratin e sajë të cilët i ka shumë besnik. Pas përçarjes më PDK-në ajo mund t'i shkëput ndonjë pjesë nga PDK-ja të cilët janë të pa kënaqur më liderin e tyre pas akuzave që po i bëhen”, deklaroi analisti.

Në vazhdim, Krasniqi partinë e Limajt e cilësoi si parti lokale, pasi shumicën e votave i ka në vendlindjen e kryetarit (Malishevë). Ai Nismën e sheh si bëfasinë e këtyre zgjedhjeve, pasi sipas tij ajo e ka pasuruar listën zgjedhore të kandidatëve

“Kjo parti konsiderohet si parti lokale pasi që të gjitha votat i ka në vendlindjen e kryetarit mirpo mos të harrojmë së nga një herë kur i nënçmojmë kundërshtarët mund edhe t'a humbin betejën. Prandaj edhe po nënçmohet NISMA, me arsyetimin se ajo s'do t'a kalojë pragun mundet të na befasojë të gjithëve sepse e ka pasuruar listën zgjedhore me kandidatë shumë të mirë, të cilët kanë në biografi të pastër dhe që kanë një kontribut të rëndësishëm në kohë të ndryshme”, përfundoi Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat