Barazi me Serbinë, Kurti ta bëjë dialogun me trup të unitetit, si në kohën e Rugovës

Politika

Barazi me Serbinë, Kurti ta bëjë dialogun me trup të unitetit, si në kohën e Rugovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 19 shkurt 2021 Në ora: 10:38
Albin Kurti

Procesi i dialogut për momentin është i pezulluar.

Së fundmi në Kosovë u mbajt procesi zgjedhor, ku Lëvizja Vetëvendosje, me kandidat për kryeministër, Albin Kurtin, doli fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë, që rrjedhimisht i bie ta formojë qeverinë.

Mirëpo ai ka ndryshuar drejtimin sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë tërë fushatës zgjedhore, ai ka bërë të ditur se prioritet i qeverisë së tij do të jetë punësimi dhe drejtësia, më pastaj dialogu.

Për procesin e dialogut Albin Kurti ka thënë se, duhet të nisë nga pika fillestare, e që është barazia.

“Kjo është arsyeja përse reciprociteti, barazia nuk mund të jetë rezultati përfundimtar (i bisedimeve), duhet të jetë pika fillestare. Dhe, njerëzit duhet të jenë përfituesit përfundimtarë”, ka thënë ai në një deklaratë të tij.

Mirëpo nga ana tjetër ndërkombëtarët janë ata të cilët po bëjnë vazhdimisht thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe nisjen e dialogut.

Voca: Kurti do të vendos barazi në raport me Serbinë, se krahas politikës serbe duhet patjetër të pozicionohet ndaj saj si shtet i pavarur

Image
Mirsad Voca

Njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, procesi i dialogut nuk është në top prioritetet e Kurtit sepse në politikën e brendshme ka një urgjencë për konsolidim të institucioneve në shumë drejtime.

“Në Kosovë ka me të vërtetë nevojë dhe urgjencë për punë dhe ndryshim në çdo nivel institucional. Krahas nevojave paraqiten edhe prioritetet që ndërlidhen pikërisht me politikat e brendshme dhe ato të jashtme. Së pari nuk mendoj se Z. Kurti ka thënë se nuk është prioritet por që nuk është në top prioritet sepse në politikën e brendshme ka një urgjencë për konsolidim të institucioneve në shumë drejtime. Besoj se Kosova ka nevojë të fokusohet maksimalisht në rindërtim dhe përforcim të politikave të brendshme. Edhe politika e jashtme është një prioritet më vete dhe dialogu me Serbinë do të bëhej krahas kërkesave dhe harmonizimit me SHBA dhe shtetet mike të Kosovës”, ka thënë ai.

Kurse sa i përket barazisë në dialog, Voca potencon se, krahas politikës serbe duhet që patjetër të pozicionohet ndaj saj si shtet i pavarur.

Ai shton se, Kurti do të jetë kryeministri me më së shumti legjitimitet që nga paslufta dhe pas presidentit Ibrahim Rugova.

“Ndërsa, sa i përket asaj së z. Kurti do të vendos barazi në raport me Serbinë, besoj po ashtu që ai aludon në atë se krahas politikës serbe duhet që patjetër të pozicionohet ndaj saj si Shtet i pavarur. Ani pse ndërveprimet me shtetin serb do të vazhdojnë në shumë fusha, fryma kushtetuese nuk duhet lejuar të cenohet. Z. Kurti do të jetë kryeministri me më së shumti legjitimitet qe nga paslufta dhe pas Presidentit Ibrahim Rugova. Sikurse ky i fundit kur thirrej në legjitimitetin që i rridhte nga shumica e popullit përball presionit të bashkësisë ndërkombëtare, mbi të njëjtën premisë edhe Z. Kurti e ka këtë mundësi si për të vënë në binarë dialogun me Serbinë ashtu dhe për të krijuar barazi mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura sepse e kaluara na e konfirmon se vetëm me një qasje të tillë arritëm të demaskojmë politikën hegjemoniste serbe dhe njëjtë do të arrijmë edhe tek njohja reciproke”, ka deklaruar Mirsad Voca për “Bota sot”.

Mehazi: Kurti do të jetë me principe të palëkundura shtetërore, duke i kërkuar llogari për borxhet ndaj shqiptarëve

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot” ka thënë se, pasi dialogu mbeti i stagnuar, duke shtuar se fitorja fantastike e Albin Kurtit na detyron të jemi optimistë në dialogun Kosovë-Serbi për njohje reciproke përfundimtare.

“Rrethanat politike të dialogut të stagnuar me Serbinë dita ditës po bëhen më favorizuese për Kosovën, shkuarja e Thaçit në Hagë, ndërpreu dialogun e rrezikshëm me Vuçiqin për shkëmbime territoresh, ardhja e presidentit të ri të SHBA-ve, Biden, dhe letra e zotëri Bidenit dërguar Serbisë për njohje përfundimtare të dy shteteve Serbi- Kosovë, fitorja fantastike e Albin Kurtit na detyrojnë të jemi optimistë në dialogun Kosovë-Serbi për njohje reciproke përfundimtare. Të gjitha këto rrethana politike favorizuese Qeverinë e re të Kurtit do ta bëjnë të çliruar, më krahëhapur, të suksesshme e pa farë pengesash për Kosovën”, është shprehur Mehazi.

Sipas tij, dialogu i qeverisë së Kurtit me Vuçiqin besojmë se do jetë më i qartë, i shkurtër e me principe të palëkundura shtetërore, duke i kërkuar llogari për borxhet ndaj shqiptarëve.

“Dialogu i qeverisë së Kurtit me Vuçiqin besojmë se do jetë më i qartë, i shkurtë e me principe të palëkundura shtetërore, kurrsesi inferiore e nënçmuese për Republikën e Kosovës.

Nëse serbët kanë bërë krime të papara ndaj qytetarëve të Kosovës, atëherë këto krime duhet paguar me përgjegjësi juridike ndërkombëtare.

Nëse serbët kanë vrarë civilë e i kanë hedhur në varreza masive, atëherë Serbia duhet të jep llogari për këta të varreza e të pa gjetur deri tani.

Nëse Serbia ka bërë vrasje, përdhunime, e gjenocide të paimagjinuara ndaj qytetarëve të Kosovës, atëherë të gjitha këto duhet paguar.

Borxhet e Serbisë ndaj Kosovës janë qindvjeçare, prandaj qeveria e Kurtit në dialog me Serbinë hapur, qëndrueshëm e pa ekuivoke duhet kërkuar me këmbëngulje borxhet që ia ka Serbia Kosovës. Kurrsesi borxhlinjve serb të Vuçiqit s'iu lejohet të kërkojnë territore në Kosovë. Besojmë se Kryeministri Albin Kurti, do hyjë thellësisht i barabartë në dialog me Serbinë e denjësisht do t'i mbrojë interesat shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar Sylejman Mehazi.

Mehmeti: Presioni ndërkombëtar i madh, Kurti të formojë një trup të unitetit si në Kohën e Rugovës

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot” ka thënë se, nuk varet çdo gjë nga Albin Kurti, sepse këtu janë investuar edhe ndërkombëtarët dhe që do të bëjnë presion që qeveria e re të fillojë sa më shpejt bisedimet.

“Është e kuptueshme që Kurti e ka thënë një gjë të tillë, mirëpo nuk varet çdo gjë nga Albini. Dialogu me Serbinë është proces në të cilin janë investuar shumë ndërkombëtarët, dhe që do bëjnë presion mbi z.Kurti që qeveria e re të fillojë sa më shpejt bisedimet me Serbinë. Natyrisht se një gjë e tillë i merr shumë energji qeverisë, mirëpo është proces nga i cili nuk mundet të ik Albini dot, është diçka me të cilën ai duhet të përballet. Natyrisht se modalitete mund dhe duhet të ndryshojnë, mirëpo nuk mund të mënjanohet”, ka thënë Mehmeti.

Ai shprehet se Kurti duhet të formojë një trup të unitetit sikur në Kohën e Ibrahim Rugovës për t’u përballur me Serbinë.

“Besoj se qeverisë Kurti do i merr shumë energji dialogu me Serbinë, andaj Kurti duhet të emërojë një trup të uniteti si në kohën e Rugovës për t’u përballur me Serbinë, dhe për ta përmbyllur një herë e mirë këtë proces. Pritet që krejt mandati i qeverisë Kurti të përfundojë dhe nëse arrihen që brenda mandatit të qeverisë prej 4 vitesh të përmbyllet ky proces, atëherë ky është një sukses i madh”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat