“Ky do të jetë testi i parë”/ Ja parashikimi për LDK-në – vetëm kështu rikthehet fuqishëm

Politika

“Ky do të jetë testi i parë”/ Ja parashikimi për LDK-në – vetëm kështu rikthehet fuqishëm

Nga: P.R Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 17:33
Avdullah Hoti dhe Kujtim Shala

Drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me rezultatin që LDK e arriti në zgjedhjet e 14 shkurtit, rezultat ky që ishte më i dobëti në historinë e LDK-së.

Shasha thotë se rezultati prej vetëm 13% të votave, ka qenë i pritshëm për LDK-në.

“Ky është rezultati më i dobët historik i LDK-së. Konsideroj se ka qenë i pritshëm një rezultat i këtillë. Që nga zgjedhjet e tetorit 2019 LDK ka vepruar në kundërshtim me vullnetin e popullit. Fillimisht duke penguar koalicionin VV-LDK, pastaj me mbështetjen e saj për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, me rrëzimin e Qeverisë Kurti, ndërtimin e koalicioni me partitë humbëse dhe përfundimisht me përjashtimin e znj. Osmani”, thotë Shasha për “Bota sot”.

Sipas tij, qytetarët e ndëshkuan me votë LDK-në më 14 shkurt.

Image
Drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha

“Pra, me 14 shkurt qytetarët kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike për tu revanshuar kësaj përbuzje që iu është bërë nga ana e LDK-së. Me fjalë të tjera LDK dështoi pasi që refuzoj të përgjigjet kërkesave qytetarëve për ndryshim. Në vend të hapjes së partisë ndaj gjeneratave të reja dhe kërkesave të qytetarëve, LDK u kap nga garda e vjetër dhe interesat e tyre meskine”, thekson Shasha për “Bota sot”.

Po a ka gjasa te rikthehet LDK dhe si mund të ndodhë kjo?

“Patjetër që ka gjasa. Qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar se janë votues tejet të arsyeshëm të cilët i analizojnë me vëmendje vlerat, sjelljet dhe ofertat e partive politike. Nëse LDK çlirohet nga kapja e gardës së vjetër dhe shkon drejt transformimit të partisë e cila do hapet ndaj rinisë së Kosovës duke ofruar një model alternativ qeverisës me një brez të rinj politik atëherë patjetër se LDK mund të rikthehet si njëra nga partitë kryesore në vend”, deklaron Shasha.

Sipas Shashës, testi i parë për këtë do jetë zgjedhja e Kryetarit të ri të LDK-së.

“Ajo/ai duhet të dal si produkt i konkurrencës më kualitative që LDK mund të ofroj qytetarëve të vendit. Kandidatët duhet të ofrojnë vizion dhe idetë të ndryshme dhe radikale për një rilindje të partisë më të vjetër në Kosovë. Ky moment duhet të jetë fillim i transformimit të LDK-së”.

“Nga ana tjetër nëse zgjedhja e Kryetarit të ri të LDK-së menaxhohet nga garda e vjetër dhe perceptohet si fasadë politike e cili synon të ruajë status-quonë dhe interesat e gardës së vjetër atëherë patjetër se LDK do shkon drejt një margjinalizimi në skenën politike kosovare”, përfundon drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat