Legjislatura e re, nga kush varen dështimet dhe sukseset në Kuvend?

Politika

Legjislatura e re, nga kush varen dështimet dhe sukseset në Kuvend?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 shkurt 2021 Në ora: 16:17
Foto ilustrim

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, pritet që si rezultat të prodhojnë konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë mbi 47% të votave të përgjithshme, derisa votat e diasporës nuk janë numëruar ende.

Kësisoj, pritet që qeveria do të formohet nga Vetëvendosje në bashkëpunim me pakicat jo serbe. Asnjëherë, që nga paslufta, asnjë parti politike nuk ka arritur të marrë kaq shumë vota gjatë një palë zgjedhje, andaj formimi i legjislaturës qeverisëse pritet të formohet pa ndonjë pengesë nga opozita.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet jo shumicë.

Kuvendi zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

i përket numrit të ministrave apo anëtarëve të qeverisë, kjo çështje përcaktohet me aktin e brendshëm të saj. Në qeveri do të jenë së paku një ministër nga komuniteti serb dhe një nga ndonjë komunitet tjetër jo shumicë në Kosovë.

Legjislatura e kaluar ka pasur mjaft probleme me miratimin e shumë ligjeve në Kuvend, për shkak të mungesës së deputetëve në seanca dhe mospajtimeve të pozitës dhe opozitës për çështje të rëndësishme për qytetarët.

Ndërsa, në legjislaturën e ardhshme e Kuvendit, shpresojmë që deputetët pozitë/opozitë të mbështetin dhe votojnë ligjet që sillen për votim, sidomos ato që janë shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve.

Njohësit e çështjeve juridike për gazetën “Bota sot”, komentuan sfidat e legjislaturës së re dhe sfidat të cilat e presin atë në miratimin e ligjeve të cilat sillen për votim në kuvend.

Kelmendi: Dështimet dhe sukseset varen nga pozita, jo nga opozita

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës dhe punët të cilat e presin atë.

Kelmendi, legjislaturën e re të Kuvendit e sheh shumë më të mirë në krahasim me legjislaturën e kaluar.

“Në fushën e tillë, përkatësisht në legjislacion, kjo legjislaturë e Kuvendit është në pozitë shumë më të mirë se e kaluara”, u shpreh ai.

Tutje, juristi komentoi edhe punën e legjislaturën e kaluar, ku sipas tij, kjo e fundit shkaku i mungesës së votave nuk arrinte të kalonte projektligjet e nevojshme. Kelmendi deputetët e legjislaturës së kaluar i cilësoi si dembelë, të cilët vetëm rrinin dhe shikonin se çka po ju vjen nga qeveria.

“Legjislatura e kaluar nuk i kishte votat e mjaftueshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të nxjerrë ligje.

Në anën tjetër, nga qeveria nuk u paraqiten projektligjet e nevojshme për shtet juridik. Në kuvend, deputetët ishin mësuar kurrë mos të propozonin projektligje. Deputetet rrinin dhe shikonin se çka iu sillte qeveria”, theksoi Kelmendi.

Ndërsa, ai thotë se tani pozita do të ketë votat e nevojshme për të funksionuar kuvendi, pa u varur në Listën Serbe, apo në votën e një deputeti.

“Në këtë legjislaturë pozita ka vota të mjaftueshme për të funksionuar kuvendi. Siç duket, VV vetëm për vetëm apo me minoritete jo serbe e arrijnë numrin e votave deri në 70.

Këtu kjo pozitë nuk varet nga votat e Listës Serbe, si në legjislaturën e fundit, apo nga një deputet”, nënvizoi juristi.

Në vazhdim, Kelmendi potencoi se bazuar në votat e mjaftueshme të cilat i ka Lëvizja Vetëvendosje, atëherë pushteti i Kuvendit të Kuvendit mund të ushtrohet shumë mirë dhe me kompetenca të duhura.

“Pozita tash ka vota të mjaftueshme për pushtet ekzekutiv dhe legjislativ e gjyqësor. Asaj i duhet ndoshta një koalicion për postin e presidentit. Edhe kjo mbetet të shihet. Kështu kemi tash një pozitë të fortë, ku pushteti i Kuvendit mund të ushtrohet mirë dhe me kompetencë”, deklaroi ai.

Në fund, juristi tha se çdo dështim dhe sukses në legjislaturën e ardhshme do të varet nga puna e pozitës dhe jo nga opozita.

“Por, a do të bëhet kjo? Varet e tëra nga vullneti i pozitës. Opozita nuk ka mundësi të ndal apo të pengojë në këtë punë. Dështimet dhe sukseset varen nga pozita, jo nga opozita”, përfundoi Kelmendi.

Burjani: Kosova ka telashe të mëdha për shkak të deputetëve, ministrave dhe zëvendësministrave

Image
Blerim Burjani

Lidhur me këtë temë për gazetën “Bota sot” ka folur edhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani.

Ndryshe nga Kelmendi, Burjani legjislaturën e re e sheh si të ngjashme me të kaluarën pa ndonjë dallim të madh. Pasi sipas tij, shumica e kandidatëve për deputetë janë jo profesionale dhe të pa përvojë.

“Përafërsisht do të jetë e njëjtë, duke pasur parasysh listën e deputetëve, shumica apo 95% prej tyre janë jo profesionale dhe të pa përvojë në ndonjë fushë që mund të kontribuojnë”, deklaroi Burjani.

Ai tutje tha se deputetët, ministrat dhe zëvendësministrat janë arsyet kryqe pse Kosova ka telashe të mëdha. Kjo pasi, juristi të lartpërmendurit i cilësoi si të papërvojë në fushat të cilat ata kanë marrë pozicione

“Kosova ka telashe të mëdha për shkak se deputetët, po sikur ministrat dhe zëvendësministrat janë shumicë pa ndonjë përvojë apo fare nuk i takojë fushës në të cilën kanë marrë pozicione apo janë plotësisht të pa përvojë, këto deformime po vazhdojnë me të madhe”, theksoi Burjani.

Në fund, juristi tha se problemet e tilla do të shfaqen edhe në legjislaturën e re, pasi shumica e liderëve partiak nuk i takojnë ndonjë profile profesional. Në këtë rast, ai përjashtoi Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Problemet janë të njëjta, pra s'ka gjë prej temave të kësaj natyre shumë pak apo fare kjo nuk do të ndodhë kur të merret parasysh se shumica e liderëve partiak nuk i takojnë ndonjë profili profesional me përvojë që së paku 15 vjet përvojë në një fushe profesionale, këtu nuk hyjnë LDK por të gjitha partitë tjera”, përfundoi Burjani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat