Dështimi në zgjedhje përçan PDK-në, paralajmërohet suspendimi i saj nga politika

Politika

Dështimi në zgjedhje përçan PDK-në, paralajmërohet suspendimi i saj nga politika

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 shkurt 2021 Në ora: 13:53
Enver Hoxhaj, PDK

Zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, i kanë dhënë një goditje të rëndë Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ky subjekt politik ka pësuar rënien më të madhe në historinë e saj, pasi arriti t’i marrë vetëm 17 % të votave të përgjithshme elektorale në zgjedhjet e fundit.

Kjo gjë sigurisht që ndikoi në marrëdhëniet e brendshme partiake, ku menjëherë filluan përplasjet dhe përçarjet në mes zyrtarëve të saj.

Dhe padyshim që këto konflikte në PDK, po japin sinjal të fillimit të një krize të madhe politike.

I pari që e vuri në pah këtë gjë ishte kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ku përmes një letre publiku, i kërkoi dorëheqje secilit kryetar të degës ku PDK ka pësuar humbje të elektoratit apo dobësim të ndjeshëm.

“Partia politike është vizion i shumë qytetarëve me një synim të përbashkët dhe nuk ka pronar, por me kontribuues, me udhëheqës të konfirmuar nga vota dhe vullneti i lirë i anëtarëve. Çdo përpjekje për pronësi në parti, do t’i kthehet me hakmarrje nga qytetarët, madje me kamatë. Për të shënuar rikthim të suksesshëm pas katër viteve, konsideroj se duhet urgjent të ndërmerren masat si vijon: Dorëheqje e secilit kryetar të degës ku PDK ka pësuar humbje të elektoratit apo dobësim të ndjeshëm, Lirim nga detyra e secilit drejtues të PDK-së nga Kryesia që në opinion ka pasur dhe ka hipoteka për pandershmëri, vepra penale apo akuza”, shkroi Lladrovci në Facebook.

Pas kësaj, menjëherë filluan deklaratat se tani brenda PDK-së ekzistojnë dy grupacione politike, ku njëri grup e përkrah Hashim Thaçin dhe tjetri grup e përkrah Kadri Veselin.

Këto grupacione dolën në pah edhe më shumë pas arrestimit të Veselit dhe Thaçit, ku pavarësisht që PDK u mundua ta mbulojë mungesën e tyre, kjo u vë në pah gjatë kësaj periudhe sidomos gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Njohësit e çështjeve politike për gazetën “Bota sot” komentuan krizën politike të cilën e ka kapluar PDK-në. Ata treguan arsyet e kësaj krize dhe sfidat me të cilat kjo parti politike do të përballet në vazhdimësi, deri në një reformim dhe spastrim të thellë.

Shahu: Nuk ka më vota në emër të luftës

Image
Rexhep Shahu

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar përçarjet dhe konfliktet brenda Partisë Demokratike të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

Shahu u shpreh se nuk e di se çfarë do të ndodhë me PDK-në, mirëpo është i sigurt që qytetarët e Kosovës nuk do të japin më vota lufte dhe komandantët nuk do të mund të vjelin më vota.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë në PDK tani pas humbjes në zgjedhje, nga parti që ka qeverisë shumë gjatë në Kosovë në një parti humbëse. Por dihet një gjë me siguri tash në Kosovë, nuk jep më vota lufta, nuk vjelin më vota komandantët, jo se ka mosmirënjohje ndaj tyre e luftës, por u bë boll, u rrit një brez njerëzor pas luftës dhe tani njerëzit kanë aspirata e kërkesa të tjera”, deklaroi ai.

Analisti tha se paslufte komandantët e shtruan ‘zullumin’ dhe tani u bë mjaftë me komandantët. Sipas tij, në Kosovë ka filluar të ndodhë si në Shqipëri, ku nipër e mbesa të partizanëve vjelin benifite si veteranë e pasardhës veteranesh.

“Pastaj komandantët e trashën zullumin, jo siç i ka akuzuar Albin Kurti që i ka fëlliq të gjithë zyrtarët në Kosovë duke i bërë hajna e të korruptuar, por, u bë boll me komandantët. Arriti një pikë sa njerëz të ndryshëm thërriten të çlirohen nga çlirimtarët. Sepse filloi të ndodhë shpejt ajo që ka ndodhë në Shqipëri, që çlirimtarët ia morën frymën shtetit gjysmë shekulli dhe sot nipër e mbesa të partizanëve vjelin benifite si veteranë e pasardhës veteranesh”, nënvizoi Shahu.

Tutje, Shahu u shpreh se kriza brenda PDK-së është e natyrshme, pasi ajo është njëra nga partitë humbëse dhe gjithsesi se duhet të kërkohet fajtori. Ai përmendi edhe avantazhet dhe disavantazhet e Partisë Demokratike të Kosovës.

“PDK natyrshëm që është në krizë tani si çdo parti humbëse dhe kërkohet fajtori. Por PDK ka edhe një avantazh e një disavantazh të fortë. Ajo duke pasur në paraburgim në Gjykatë Speciale dy krerët më të lartë të saj, dashje pa dashje po formësohet e po etiketohet si parti e luftës, si "pronare" e luftës, ndonëse atëherë në atë kohë në luftë kanë dalë shqiptarët shumica anëtarë e simpatizantë të LDK-së, pasi PDK ishte në fillesa. Disavantazhi është se njerëzit më autoritarë të saj Thaçi e Veseli janë në Hagë. Nuk ka dyshim se ata janë dy individë që i kanë dhënë formë e fytyrë PDK, pavarësisht se çka mund të thonë tani të tjerët”, potencoi ai.

Në fund, Shahu u shpreh konfuz sa i përket reformimit apo copëtimi të mundshëm brenda PDK, derisa përmendi edhe ndikimin e LDK-së dhe PDK-së në vend.

“Nuk e di a mund të reformohet e bashkuar apo mund të copëtohet PDK, por ajo është parti që bashkë me LDK-në e kanë bërë këtë Kosovë që është sot, këtë shtet që është sot, shtet i pavarur, i njohur botërisht, ku funksionon tregu i lirë, ku ka demokraci, zgjedhje të lira. Ndaj, LDK e PDK duhet të jenë krenare se e kanë sjellë Kosovën deri këtu ku është. Nëse copëtohet PDK në pjesë e në dy grupe apo parti të tjera, nuk është drama as katastrofë. Edhe ajo parti do të kalojë nëpër sfida e procese si çdo parti politike që e konsumon veten nga ushtrimi i pushtetit”, përfundoi Shahu.

Qarri: PDK më shumë duket si një firme e sigurimeve private e dirigjuar nga SHIK-u dhe PRONTO, se sa një partie politike

Image
Gani Qarri

Ndërsa, edhe njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, foli për krizën e brendshme politike të cilën e ka kapluar Partinë Demokratike të Kosovës.

Qarri tha se pas rënies së madhe të PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, tani pritet edhe ndarja e kësaj partie. Ai përmendi edhe faktin se si nga paslufta sloganet e UÇK-së dhe luftës janë keqpërdorur në mënyrë brutale nga ‘krahu i luftës’.

“Duke pasur parasysh faktin e dhembshëm, se që nga paslufta, sloganet UÇK, “luftë” dhe “çlirim”, janë keqpërdorur në mënyrën më brutale nga vet “krahu i luftës” dhe partitë e ashtuquajtura të “dala nga lufta” për vjedhjen, plaçkitjen dhe përvetësimin e kundërligjshëm të çdo gjëje të vlefshme në këtë vend, ku në çdo objekt apo pasuri të shënjestruar për uzurpim, shënohej “UÇK-mos e prek!”, është vërtetë për tu habitur, se si ende nuk u distancua dhe nda tërësisht populli dhe qytetarët nga këta njerëz dhe parti, të pa moral as karakter. Ndaj pas tkurrjes së madhe dhe humbjes që PDK pësoj në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke rënë nga rreth 33%, në qershorin e vitit 2017, në vetëm pak më tepër se 17 % në shkurt të këtij viti, është plotësisht e arsyeshme që të pritet edhe ndarja e kësaj partie”, deklaroi ai.

Analisti përmendi edhe krerët e PDK-së, Thaçin dhe Veselin të cilët gjenden në Hagë. Qarri tha se në rast se vërtetohen akuzat e ngritura nga Specialja, atëherë qeveria e re mund të sanksionoj me ndalimin e veprimit të PDK-së, si parti politike.

“Për aq më tepër, nëse në procesin gjyqësor të Gjykatës Speciale në Hagë, vërtetohet se krerët e PDK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli etj, vërtetohet se kanë urdhëruar, organizuar apo edhe janë përfshirë në vrasjen e shqiptarëve dhe PDK me vetëdije ende nuk është distancuar prej veprave të tyre kriminale, është shumë e mundshme që nga Qeveria e re dhe institucionet e reformuara të rendit dhe të ligjit, PDK të sanksionohet me ndalimin e veprimit si parti, për një periudhë jo të vogël kohore”, nënvizoi Qarri.

Analisti tha se Ramzi Lladrovci duke njohur të kaluarën e njerëzve të parisë së tij dhe duke njohur situatën që mund ta pres këtë parti, nxitoi dhe kërkoi dorëheqjen e specifikuar të personave të kryesisë së PDK-së.

“Kështu që, duke njohur mirë të kaluarën e këtyre njerëzve dhe nuhatur situatën që mund ta pres këtë parti, menjëherë pas rezultatit trishtues në zgjedhje, Ramiz Lladrovci nxitoi që përmes një letre dërguar kryesisë të kërkoi dorëheqjen e personave të specifikuar në degë dhe kryesinë e PDK-së, duke kërkuar edhe formimin urgjent të një komisioni, për shkarkimin e secilit kryetar dege apo anëtar partie ndaj të cilit ka akuza dhe dyshime për vepra penale”, theksoi Qarri.

Ai u shpreh se PDK më shumë të lenë përshtypjen e një firme të sigurimeve të dirigjuar nga SHIK-u dhe klani PRONTO, se sa të një partie politike. Kurse, kriza në PDK, sipas Qarrit ka filluar shumë vite më parë në degët e partisë në Skënderaj, Gjilan dhe Podujevë.

“Në fakt PDK, ka vite që më tepër linte përshtypjen e një firme të sigurimeve private të dirigjuar nga SHIK-u dhe Klani-PRONTO, se sa të një partie të njëmendtë ku për çdo gjë vendosej nga grupit eminent në krye të PRONTO-së, si në parti, ashtu edhe në institucionet më të larta të vendit, deri te rasti i banalizuar i emërimit të Aleksandër Lumezit, kryeprokuror i shtetit, vetëm përmes një telefonate të Kadri Veselit, që nuk mund të kundërshtohej jo vetëm nga PDK por edhe prej partive tjera në vend.

Kriza brenda PDK-së , nuk ka filluar tani, por shumë vite më parë

Kriza brenda PDK-së, ka nisë shumë vite më parë, por fillimisht, ajo u shpërfaq nëpër degët e saj , si në Skënderaj, ku i forti i këtij rrethi Sami Lushtaku, kokë më vete shkarkoi Bekim Haxhiun, në Gjilan u shkarkua udhëheqësi shumëvjeçar i degës së PDK-së dhe komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, në Podujevë etj”, potencoi analisti.

Qarri përmendi edhe sloganet e PDK-së ndër vite, ku shumica prej tyre identifikoheshin me historinë, luftën dhe UÇK-në. Ku në emër të këtyre të fundit, ai tha se PDK e ka zhvatur, plaçkitur dhe uzurpuar Kosovën.

“PDK-së, gjatë këtyre viteve, nuk i kanë munguar sloganet as "historia", por votuesit i ka tmerruar kriminalizimi i emrit të UÇK-së, nga kjo parti dhe zhvatësit e plaçkitësit brenda saj, nga të cilët që nga paslufta, gjithmonë është keqpërdorur emri i UÇK-së, edhe për plaçkitje e uzurpime gjithandej Kosovës, ku në muret e çdo objekti a pasurie të uzurpuar figuronte slogani: "UÇK-mos prek!", para hundëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe gjithë kryesisë së PDK-së, por të gjithë heshtnin dhe miratonin këto delikte të rënda jo-morale dhe kundërligjore.

Kështu që të lodhur nga zhvatjet, plaçkitjet dhe përvetësimin arbitrar të çdo gjëje nga udhëheqësit kryesor të PDK-së, dhe krahut të ashtuquajtur të luftës, tani 21 vite pas çlirimit, votuesit dhe rinia e këtij vendi, kanë filluar jo vetëm të frikësohen nga keqpërdorimi i këtyre termave nga matrapazët, por fatkeqësisht edhe në realitet, “luftën e tyre” kanë nisë ta perceptojnë, si akt për plaçkitje, zhvatjen dhe përvetësimin e çdo gjëje në këtë vend”, deklaroi ai.

Në fund, pas ndarjes së PDK-së në dy grupacione të Thaçit dhe Veselit, Qarri kërkoi që njëherë përkrahësit e këtyre koprracëve të largohen dhe pastaj të reformohet dhe spastrohet rrënjësisht partia.

“Ndaj dhe është plotësisht e arsyeshme, që sot jo vetëm të flitet por edhe të pritet ndarja e PDK-së, njëjtë siç ndodhi edhe me LDK-në më parë, ku edhe në PDK, thuhet të ketë dy grupacione; njëri i Thaçit dhe tjetri i Veselit, kështu që do të ishte mirë që përkrahësit e të dy këtyre koprracëve, të largohen nga kjo parti, në mënyrë që të reformohet rrënjësisht dhe spastrohet nga të gjithë keqpërdoruesit, të inkriminuarit dhe mafio-oligarkët të cilët kanë grumbulluar miliona duke keqpërdorur partinë dhe emrin e UÇK-së, për të vjedhur Kosovën dhe varfëruar qytetarët e saj”, përfundoi Qarri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat