Adrijana Hoxhiq, “dora e dytë” e zgjatur nga Serbia

Politika

Adrijana Hoxhiq, “dora e dytë” e zgjatur nga Serbia

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 shkurt 2021 Në ora: 16:37
Kuvendi i Kosovës

Në Kosovë nuk ka përfunduar ende procesi i plotë i numërimit të votave, që më pas duhet certifikuar nga KQZ-ja.

Procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora dhe ato me kusht akoma po vazhdon, ndërsa për votat e rregullta tashmë ka përfunduar procesi u numërimit, edhe pse në disa komuna dhe qendra votimesh sipas KQZ-së, po bëhet rinumërim i votave, për shkak të gabimeve teknike.

Mirëpo, siç duket problem do të dalin votat e komuniteteve joshumicë, pasi ka pasur reagime dhe ankesa nga Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike .

Votat nga komunat e banuara me shumicë serbe, të cilat i kanë fituar dy subjektet politike boshnjake, Komuniteti i Bashkuar - Adrijana Hoxhiq dhe Koalicioni Vakat, janë arsyeja që dy subjektet tjera boshnjake, Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shkruan "Bota sot".

Kështu ka bërë të ditur Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat dhe Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike. Për më shumë, sipas tyre, në rast se ankesat në PZAP nuk do të marrin përgjigje, sipas tyre, të merituar, ankesat do të bëhen më pas në Gjykatën Supreme, por edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Pas ankesave të Duda Bale dhe Emilija Rexhepi, ka pasur reagim edhe nga partitë shqiptare dhe njohës të çështjeve politike dhe juridike të cilët u kanë ofruar mbështetjen këtyre dy të fundit.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka nisur hetimet ndaj kandidates për deputete të komunitet boshnjak, Adriana Hoxhiq, e cila ka arritur t’i sigurojë rreth 6400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit në komunat ku nuk jeton asnjë boshnjak i Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, e cila tha se ky organ i akuzës është duke i marrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast.

“Nuk mundemi tregu për rrjedhën e procedurës, sepse mund të na prishen hetimet”, tha Pula.

Duke parë këto zhvillime, duket se Lista Serbe në Kosovë përveç 10 ulëseve të rezervuara për deputetë në Kuvend, pritet të marrë mbështetje edhe të komuniteteve tjera në legjislativin e ri.

Pasi që në këtë mënyrë duket se ky subjekt politike, në zgjedhjet e 14 shkurtit, u ka thënë një pjese të votuesve të vetë, që të mos votojnë kandidatët për deputetë nga Lista, por të votojnë persona të caktuar nga parti të komuniteteve të tjera – që më pas ata persona të futen në parlament dhe të kontrollohen nga Lista Serbe.

Kryeziu: Votat për Adrijana Hoxhiq, delegjitimojnë vendet e garantuara për boshnjak

Njëri nga personat e parë që reagoi në lidhje me parregullsitë në votat e komuniteteve jo shumicë është Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Kryeziu në një postimi në rrjetin social Facebook, bëri një analizë lidhur me votat e subjekteve boshnjake ndër vitet zgjedhore.

“Nëse i lexojmë votat e subjekteve politike boshnjake ndër vitet zgjedhore, shohim trend të rritjes apo dhe mbetjes së votave në të njëjtat përmasa, prej zgjedhjeve të vitit 2014 e deri në zgjedhjet e vitit 2019. Përjashtim bëhet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 për dallim nga viti zgjedhor 2019, kur votat jo nga ky komunitet, por për përfaqësuesit e këtij komuniteti rriten për 26%”, shkroi Kryeziu.

Ai përmendi edhe Iniciativa e re politike Ujedinjena Zajednica Adrijana Hoxhiq, e cila garoi për herë të parë në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe arriti të marrë një numër shumë të lartë të votave.

Iniciativa e re politike Ujedinjena Zajednica Adrijana Hoxhiq, e cila ka garuar për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2021, ka arritur të fitoj 6739 vota gjithsejtë. Deri këtu mund të konsiderohet gjithçka në rregull, por, ajo çka i bënë të diskutueshme dhe për besimin tim kundër frymës kushtetuese, është se afër 87% të këtyre votave i ka marrë në komunat me shumicë serbe, ku s'ka ose ka pak shtrirje demografike të komunitetit boshnjak.”, u shpreh Kryeziu.

Kryeziu tha se numri i votave të marra nga Hoxhiq në komunat ku nuk ka asnjë boshnjak të regjistruar, delegjitimon përfaqësimin e komunitetit boshnjak dhe arsyen e ulëseve të garantuara për tu përfaqësuar komuniteti boshnjak. Ai këtë e cilësoi si një shkelje të frymës kushtetuese, për vendet e garantuara për komunitete.

“P.sh. vetëm në Komunën e Leposaviçit, ajo ka marrë rreth 1129 vota, ose në Komunën e Kllokotit në regjistrimin e popullsisë s’ka asnjë boshnjak të regjistruar, ky subjekt politik ka marrë 248 vota. E deri sa p.sh. në Komunat si Prizreni e Peja ku është numri më i madh i boshnjakëve që jetojnë, ajo s’ka arritur të marrë as 1% të votave nga ky komunitet.

Krejt ky proces delegjitimon përfaqësimin e komunitetit boshnjak dhe arsyen e ulëseve të garantuara për tu përfaqësuar komuniteti boshnjak. Përveç që kjo është shkelje e frymës kushtetuese, për vendet e garantuara për komunitete, ky fenomen krijon precedentë për subjektet e mëdha politike, të cilat në zgjedhjet e ardhshme munden ta tjetërsojnë vullnetin e komuniteteve përfshi dhe atë serb, përmes votave të tyre të orientuara të cilat do t’i shpërndajnë tek satelitët e tyre”, përfundoi Kryeziu nga KDI.

Krasniqi: Lista Serbe kontrabandoi vota për Adriana Hoxhiq

Image
Islam Krasniqi

Ndërsa, avokati i shteti dhe njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” manipulimin e votave të komuniteti joshumicë e ndërlidhi me pakon e Ahtistarit.

Krasniqi tha se të drejtat për minoritetin serb, ishin një nga arsyet kryesore pse u kundërshtua pako e Ahtisarit, pasi përdoren standard të dyfishta dhe i dhanë të drejta hisetare në krijimin e qeverisë të Republikës së Kosovës.

“Kjo është ajo arsyeja për të cilën u kundërshtua pako e presidentit Ahtisari lidhur më të drejtat për minoritetin serbë, që klasa politike në pushtet atë kohë dhe akoma thonë për ata që s'u pajtua më këtë formë të pavarësisë, apo pavarësisë së kushtëzuar, së janë kundër pavarësisë së Kosovës ata që e kundërshtuan këtë pako e cila në vetë gjenezën e saj ka diskriminim në aspektin e ngjyrës së kombit apo edhe në aspektin e përgjithshme duke përdorur standarde të dyfishta, për një minoritet i cili gëzon edhe të drejtën e vetos në parlamentin e Kosovës dhe të cilit i kanë dhënë të drejta hisetare në krijimin e qeverisë të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Avokati i shtetit tha se është Lista Serbe ajo që ka manipuluar në zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi i siguroi vota Adrijana Hoxhiq në komunat serbe në mënyrë që ajo të i bashkohet LS-së.

“Lista serbe e cila i ka të rezervuara vendet në Kuvendin e R. së Kosovës ka manipuluar në zgjedhjet e 14 shkurtit duke i siguruar vota Adrijana Hoxhiq e cila ka pasur ngritje të madhe të votave për komunitetin boshnjak duke u votuar nga qytetarët serb edhe nga ato komuna ku nuk ka boshnjak më të vetme arsye që t'i bashkohet Listës Serbe”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi tha se në këtë mënyrë, Goran Rakiq dhe partia e tij më këto vota të kontrabanduara do t’i kontrollojnë 2/3 e ulëseve në Kuvend dhe Aleksandër Vuçiq do ta shtrijë ndikimin e tij në Kosovë.

“Dhe se Lista Serbe e Goran Rakiq-it me vota të kontrabanduara do t'i kontrollojë 2/3 të ulëseve të komuniteteve pakicë gjithmonë me rekomandimet e drejtpërdrejta të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke e shtrirë ndikimin në kuvend dhe pa ndryshimin apo referendumin nuk do të mundemi të bëjmë zgjidhje të këtij problemi i cili do të na kushtoj shumë sepse Lista Serbe punon për Beogradin dhe paguhet nga taksat e qytetarëve tanë!”, përfundoi Krasniqi.

Kelmendi: Urrejtja dhe marria politike e komuniteteve

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi konfliktet dhe përplasjet e komuniteteve joshumicë dh ndikimin e tyre në formimin e institucioneve dhe qeverisë.

Kelmendi tha se qeveria mund të formohet pa ndihmën e komuniteteve joshumicë, vetëm duke bashkëpunuar partitë shqiptare mes vete. Kjo pasi, këto të fundit kanë vota të mjaftueshme për çdo vendim që dërgohet në Kuvend.

“Në formimin e institucioneve të Kosovës ekzistojnë vota të mjaftueshme për formimin e qeverisë. Formimi i Qeverisë varet nga koalicionet mes partive politike shqiptare, çdo herë nëse VV nuk ka arritur 61 deputete. Po kështu është edhe te zgjedhja e Presidentit të vendit, këtu lypset koalicioni. Partitë shumicë shqiptare kanë vota të mjaftueshme për çdo vendim në Kuvend. E tërë çështja varet nga koalicionet dhe nga përgjegjësit e partive politike në Kuvend”, deklaroi ai.

Juristi u shpreh i befasuar me përplasjet e partive të komuniteteve joshumicë, pasi sipas tij ata i kanë vendet dhe deputetët e siguruar. Klemendi madje deklaroi se në asnjë vend të botës, komunitetet joshumicë nuk kanë të drejta më shumë se në Kosovë.

“Partitë politike të komuniteteve joshumicë i kanë të garantuara deputetët dhe vendet në Qeveri. Në këtë kontekst nuk duhet fare të ketë konflikte midis tyre. Unë nuk po mundem të mendoj se kanë fërkime. Askund në botë nuk është ndonjë vend ku komunitetet, si serbët, romët, turqit, boshnjakët, ashkalitë etj., i kanë tërë ato vende në Kuvend dhe në Qeveri”, theksoi profesori.

Në fund, ai tha se edhe nuk bëhen ato pjesë e qeverisë, ato prapë se prapë i kanë të drejtat e tyre. Mirëpo, sipas Kelmendit të gjitha këto përplasje dhe konflikte po bëhen vetëm për urrejtje dhe marri politike.

“Ato edhe nëse fare nuk futen në Qeveri, kjo nuk d.m.th. se nuk u njihen të drejtat, përkundrazi ato gëzojnë çdo të drejtë nacionale dhe demokratike. I thash këto për të qenë të qartë se minoritetet në Kosovë janë në pozitat më të favorizuara në botë. Ato nuk kanë nevojë fare për zgjedhje, pasi pozitat e tyre janë të garantuara. Pse, pra, konfliktet! Urrejtja dhe marria politike. Asgjë tjetër”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat