Skandali i MI-së me shkarkimin dhe emërimin e Izedin Bytyçit: Ministri e ka kuadër për “zemër” ish sekretarin

Politika

Skandali i MI-së me shkarkimin dhe emërimin e Izedin Bytyçit: Ministri e ka kuadër për “zemër” ish sekretarin

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 5 mars 2021 Në ora: 21:44
Izedin Bytyçi

Aktualisht Kosova nuk ka krijuar një qeveri të ri si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit, që janë mbajtur tre javë më parë. Derisa po pritet certifikimi i rezultateve zgjedhore, ku deri më tani dihet se fituese është Lëvizja Vetëvendosje me mbi 49% të votave, ligjërisht ende nuk e ka të drejtën për të themeluar qeverinë.

Sipas deklaratave të liderit të kësaj partie, Albin Kurtit, që ishte edhe kryeministër për 50 ditë, para qeverisë së fundit Hoti, kjo parti do të mund të formoj institucionet e reja pa pasur nevojë të bëj koalicione me partitë e tjera.

Megjithatë sikur në qeverinë Kurti edhe atë Hoti që aktualisht është në detyrë ka pasur shkarkime. Së fundi, në Ministrinë e Infrastrukturës është shkarkuar sekretari, por që ai menjëherë është emëruar drejtor i një departamenti në po atë ministri. Në anën tjetër, Sekretari i ri e ka shfuqizuar vendimin për kthimin në punë të shefit të prokurimit në këtë ministri.

Njohësit e çështjeve politike në vend kanë komentuar këto veprime të zyrtarëve politike, duke u shkarkuar për tu emëruar në një pozitë tjetër.

Zeqiraj: Qeveria në ikje të ketë kujdes, se po lë shije jo fort të këndshme

Image
Idriz Zeqiraj

Kështu, publicisti Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot” thotë se qeveritë, ministrat në detyrë, në ikje e sipër, duhet të jenë të kujdesshëm në lëvizjen e kuadrove, sepse, sado të motivuara që të jenë, ngjallin dyshime dhe lënë shije, jo fort të këndshme, për ata që, edhe pse largohen përkohësisht, shpresat dhe shanset e kthimit të sërishëm në postet drejtuese, janë reale.

“Megjithatë, në Ministrinë e Infrastrukturës ka pasur shkarkime, por, edhe emërime të shpejta, natyrisht, të planifikuara më parë. Me vendim të Ministrit të Infrastrukturës është shkarkuar Sekretari i Përgjithshëm në këtë ministri, Izedin Bytyçi. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen, është emërimi i përshpejtuar i zotit Bytyçi drejtor i një Departamenti, brenda kësaj ministrie. Duket se ministri e ka kuadër për zemër zotëri Bytyçin, ngaqë e kishte pranë, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale. Tani, në Ministrinë e Infrastrukturës, Sekretar i Përgjithshëm emërohet Zymer Avdullahu, i cili, sapo mori detyrën, shfuqizoi vendimin për kthim në punë të shefit të Prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë tutje për shkarkime të tilla nuk është dhënë informacion publik, nëse janë shkarkuar për mungesë performance profesionale apo për shkelje të pozitës zyrtare. Ndërkohë, nuk ka të dhëna pse emërohen, aq më pak, nga një pozitë në tjetrën, brenda të njëjtit institucion, prej të cilit, më parë, është shkarkuar.

“Përgjatë jetës studentore, në vitet `70-a, në Universitetin e Tiranës, në cilësinë e redaktorit, në gazetën "Studenti", në një takim pune më rektorin Agim Mero, në mes tjerash, na porositi: "Shqipëria është e vogël. Unë, deri sa u bëra rektor, nuk e dija që kam aq shumë teze, halla, farefisni! Jam krejt i bllokuar. Prandaj, përmes gazetës "Studenti", veproni, godisni të gjitha fenomenet korruptive dhe të nepotizmit. E keni përkrahjen time", - na tha rektori dhe e mbajti fjalën. Për keqardhje, vet rektori im, Mero, ra në kurthin e nepotizmit. I akordoi bursë studentore Fatos Lubonjës, më vonë, bashkëvuajtës im në burgun e Burrelit, meqë babain e tij, Todin, anëtar i KQ të PPSH, e kishte shok. Edhe pse rektori Mero, ishte kushëri nga nëna, tezak, i Enver Hoxhës, ky e goditi me largim nga Tirana. Dhe vetëm me fitoren e demokracisë, pas dy dekadash, Dr. Berisha e bëri ministër”, thotë ai.

Këtë rast publicisti Zeqiraj e ndërlidhi me shkarkimet dhe vendimet e ngjashme që bëhen në Kosovë. Sipas tij, “edhe Kosova jonë është e vogël, 1/3 e Shqipërisë. Zyrtarët e lartë kanë shumë ndërhyrje, kërkesa”.

“Vështirë ta bëjnë drejtësinë e nevojshme. Sidoqoftë, duhet t`i rezistojnë tundimit dhe të mos e teprojnë, për të dalë faqebardhë. Lumë ata që dinë dhe mundën t`i bindin miq e dashamirë, që të mos u "bien në qafë", duke qenë zyrtarë të lartë shtetërorë” thekson ai.

Duhanaj: Dikush të marr përgjegjësi ligjore

Image
Leon Duhanaj

Poashtu edhe analisti politik, Leon Duhanaj thotë për “Bota sot”se, një zyrtar që shkarkohet i cilitdo nivel qoftë, duhet të ketë arsyetim të argumentuar për shkarkim.

“Në qoftë se i njëjti me pastaj avancohet në pozitë, atëherë sigurisht që kemi të bëjmë me shkelje ligjore. Në rast të tillë, dikush do duhej të merrte përgjegjësi ligjore. Ose i shkarkuari, ka bërë veprime të kundërligjshme dhe në vend të avancimit do duhej të sillej para drejtësisë, ose shkarkuesi i tij, ka bërë shkelje me aktin e shkarkimit dhe tani përmirësohet ta rehabilitoj”, thekson Duhanaj.

Ai thotë tutje se një rast i tillë është argument për prokurori.

“Sido që të jetë, mendoj që një rast i tillë, është argument për prokurori pasi që për mendimin tim logjika për një rrjedhë normale mungon”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat