Binomi Kurti-Osmani që i dha fund dhe “goditi” rëndë “krahun e luftës” – ky është mesazhi për ish-komandantët

Politika

Binomi Kurti-Osmani që i dha fund dhe “goditi” rëndë “krahun e luftës” – ky është mesazhi për ish-komandantët

Nga: N. H Më: 8 mars 2021 Në ora: 23:45
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kandidatja për presidente nga lista e kësaj partie, Vjosa Osmani, fituan zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit me një rezultat bindës.

Kjo fitore e madhe e këtij subjekti, përveç që bie në krye të ekzekutivit një frymë të re, në anën tjetër kjo fitore po shihet edhe në një vështrim tjetër, atë të largimit të “krahut të luftës” nga skena politike.

Profesori Sulejman Mehazi, njëherit njohës i zhvillimeve politike në vend, ka thënë se fitorja e madhe e Albin Kurtit i ka dhënë goditjen përfundimtare ish-komandantëve të luftës.

Sipas tij, Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, ua bënë me dije komandantëve se kaloi koha e tyre.

“Humbja e thellë e komandantëve të luftës, më 14 shkurt, jo që ka mposhtur atë krenarinë e tyre, po dhe besueshmërinë ndaj qytetarëve të Kosovës, më e keqja, se, kanë humbur të gjitha benificionet e mëdha shtetërore. Fitorja e Albin Kurtit aq rëndë i ka goditur që zor se më qytetarët do ua kthejnë autoritetin e mëparshëm të ish-komandantëve të luftës. Qytetarët e Kosovës duke votuar Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, ua bënë me dije komandantëve se kaloi koha e luftës së UÇK-së, se Kosova u çlirua, se për këto merita luftarake qytetarët njëzet vjet radhazi i shpërblyen me pushtet deri në momentin kur mirësitë dhe premtimet ndaj votuesve i harruan deri në zhvatje të pamëshirshme të Kosovës”, ka thënë Mehazi.

Mehazi është i mendimit se tani e tutje ish-komandantët e luftës do të mësohen nga Albin Kurti e Vjosa Osmani se si ndershmërisht e profesionalisht udhëhiqen institucionet e Republikës së Kosovës.

Image
Sulejman Mehazi

“Minuti i votimit i ka mposhtur, e i ka pikëlluar keq, tani e tutje komandantët e pushkës në parlamentin e Kosovës do mësohen nga Albin Kurti e Vjosa Osmani se si ndershmërisht, profesionalisht e politikisht udhëhiqen institucionet e Republikës së Kosovës. Pas humbjes, më mirë do të ishte për komandantët e luftës që të lënë politikën e të kthehen aty ku e kanë vendit, në Forcat e Sigurisë së Kosovës. Politikën e diplomacinë e Kosovës le t’ua lenë të mençurve; Kurtit, Osmanit, Konjufcës, Gërvallës, etj. Koha e komandantëve politikë ka kaluar, ashtu si kalon historia, ngjarjet politike e jeta njerëzore”, ka thënë profesori Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat