Politikanët, fajtorë për një shpërthim më të madh të pandemisë

Politika

Politikanët, fajtorë për një shpërthim më të madh të pandemisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 9 mars 2021 Në ora: 08:27
Tubim elektoral i PDK-së në Drenas.

Pandemia Covid- 19 e cila ka përfshirë gjithë botën, akoma është prezent edhe në Kosovë.

Në vendin tonë aktualisht po rritet numri i të infektuarve me Covid-19.

Në këtë ndikoi edhe fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit, ku politikanët nuk respektuan rregullat dhe mbajtën takime e tubime me qytetarë të shumtë.

Kur është mbajtur mbledhja e komitetit për vlerësim të situatës epidemiologjike, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani, ka treguar se ka rritje të rasteve me COVID-19.

“Numri i rasteve pozitive dhe vdekshmërisë vazhdon të jetë në rritje dhe brengosëse për shkak të mos respektimit të masave”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet të vazhdohet me masat rigoroze dhe të ketë ndërprerje të aktiviteteve, me kufizime të tubimeve të atyre fetare, shkollore gastronomive. Duke apeluar që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, të ketë ndalim rigoroz të tubimeve.

IKShPK bën thirrje vazhdimisht që të respektohen masat sepse ky trend i rritjes së infektimeve është shqetësues.

Fajtore për këtë është politika e cila sa ishte kohë fushate jo që nuk respektuan rregullat por edhe hoqën disa nga masat të cilat i kishin vendosur vet.

Rrahmani: Politika nuk ka i përfill thirrjet me përpikmëri, vetëm të kujtojmë fushatën

Image
Imet Rrahmani

Ish-ministri i shëndetësisë nga LDK, Imet Rrahmani në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se politika nuk ka i përfillur thirrjet me përpikmëri dhe se nuk ka nevojë të japim ndonjë argument më shumë, vetëm të kujtojmë fushatën.

“Sigurisht që jeta e njerëzve duhet të mbrohet, ky është edhe përkushtimi primar i profesionistëve shëndetësor, prandaj edhe kërkesat e tyre duhet të zbatohen. Fatkeqësisht politika nuk ka i përfillur thirrjet me përpikmëri, besoj se nuk ka nevojë të japim ndonjë argument më shumë vetëm të kujtojmë fushatën”, ka thënë Rrahmani.

Sipas tij, edhe pse shtimi i rasteve ka ndodhur në gjithë botën, kjo assesi nuk e arsyeton sjelljen tonë sikur fare të mos kishte pandemi.

“Kosova ka shtuar numrin e testimeve, mantelbardhët dhe personeli ndihmës po bëjnë përpjekje mbinjerëzore për përballimin e situatës. Rastet kanë filluar të shtohen edhe në vendet tjera por kjo assesi nuk e arsyeton sjelljen tonë sikur fare të mos kishte pandemi. Edhe njëherë, jeta e njeriut nuk ka çmim, prandaj IKSHPK dhe mantelbatdhët në përgjithësi, nuk munden vet pa përkrahjen deri në ditën e fundit kur do të mbyllet pandemia”, ka deklaruar Imet Rrahmani për “Bota sot”.

Mehmeti: Jemi para një shpërthimi të madh të pandemisë, të dëgjohet zëri i ekspertëve, jo i politikës

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, duke folur për gazetën “Bota sot” për këtë çështje, ka thënë se për këtë gjendje e cila është krijuar kohët e fundit, është “meritë” e paaftësisë së Armend Zemajt.

“Gjendja e rëndë me Covid, e cila është afër shpërthimit, është "meritë" e paaftësisë së Armend Zemajt. Kosova ka pasur fatin e keq të ketë ministër të shëndetësisë, në kohë pandemie, njeriun më të papërshtatshëm për këtë pozitë”, ka thënë Mehmeti.

Ai hedh kritika ndaj Armend Zemajt duke thënë se, ai nuk ia ka haberin fare për vendimet të cilat i merr.

Për këtë, Mehmeti thotë duhet të dëgjohet zëri i ekspertëve, jo politikës.

“Sot, po të dalësh në qytet mbi 90% janë pa maska, në lokale s’ka as dezinfektues dhe askush nuk merr masa. Vendimet në kohë pandemie i merr Instituti, ministri dhe qeveria vetëm i zbatojnë ato. Kush është Zemaj të merr vendime për një gjë që nuk ia ka fare haberin?! Duhet të dëgjohet zëri i ekspertëve, jo politikës dhe pikërisht se s’po dëgjohet zëri i ekspertëve, jemi para një shpërthimi të madh të pandemisë”, ka deklaruar Faton Mehemti për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, në vendin tonë aktualisht janë 9 mijë e 782 raste aktive, ndërsa deri tani kanë humbur jetën 1 mijë e 655 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat