Vjen parashikimi: Ja çfarë do të arrijë Lumir Abdixhiku si kryetar i LDK-së

Politika

Vjen parashikimi: Ja çfarë do të arrijë Lumir Abdixhiku si kryetar i LDK-së

Nga: P.R Më: 14 mars 2021 Në ora: 17:23
Lumir Abdixhiku

Haki Latifi: Abdixhiku duhet të përballet edhe si një opozitë e fortë dhe ballë për ballë me pozitën.

Lidhja Demokratike e Kosovës zgjodhi sot kryetarin e ri të saj. Më 191 vota, Lumir Abdixhiku fitoi garën, përballë Lufti Hazirit i cili mori 116 vota, dhe Besian Mustafës, i cili mori vetëm 16 vota.

E menjëherë pas zgjedhjes kryetar, Abdixhiku është zotuar se do ta rikthejë LDK-në si forcë kryesore politike në vend. Duke premtuar reforma, Abdixhiku tha se sot është hapur një faqe e re e rrugëtimit politikë të LDK-së.

“Numrat mbesin të përkohshëm. Përpjekja jonë mbetet e përhershme. Prandaj rikthimi ynë është çështje kohe. Sot megjithatë ne duhet të veprojmë të bashkohemi rreth njëri tjetrit, të hapemi për të tjerët. LDK nuk ka njerëz për të humbur, por as për të ecur para. LDK-së duhet t’i japim një ekip, lidership që përballon sfidat e kohës. Këtë e ndjej obligim dhe nder t’i prijë këtij procesi përpara. Ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë e gjen LDK-në në udhëkryq të kohës, por edhe vendim drejtë frymave populliste, politikave të majta dhe ideve shpërbërës të shtetit të Kosovës. LDK nuk arriti të mbajë dhe rrisë mjaftueshëm votuesit e saj. Ndonëse arsyet për një rënie të tillë mund t’i rendisim dhe përmendim rend. Arsyen dhe të vërtetën e gjejmë tek vetvetja dhe nga vetvetja duhet të nisim rikthimin tonë të madh”, u shpreh Abdixhiku.

E lidhur me zhvillimet në LDK dhe zgjedhjen e Abdixhikut kryetar, për gazetën “Bota sot” ka folur veprimtari i hershëm LDK-së dhe ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

Image
Haki Latifi

“Rezultati i votuesve të delegatëve të Kuvendit të LDK-së dhe mesazhi ishte i qartë: premtimi i politikave të mirëfillta të Lumnir Abdixhikut që u ofron zgjidhje problemeve të LDK-së. Ai i përket edhe një brezi të ri politikanësh, një brezi të ri që nuk është i hargjuar, si politikan modern, dhe produkt i shkolluar e edukuar jashtë vendit. Sot LDK në këtë proces të ndërrimit të liderit të saj, nuk e bëri vetëm një rokadë drejtuesi partie, por e bëri edhe një rokadë brezash. Kjo do të bëjë që Abdixhiku të tërhiqi rreth LDK-së brezin e ri të rinisë që do të identifikohen më shumë me një lider të ri në moshë më pranë brezit të tyre”, shprehet Latifi për “Bota sot”.

Sipas tij, dorëheqja e Isa Mustafës pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, shënon standard të ri në Kosovë.

“Nga ana tjetër, akti i dorëheqjes së Akademik Isa Mustafa pas humbjes së zgjedhjeve nuk ishte thjeshtë një precedent historik politik, ishte një standard për këtë parti politike. Standardi është që kryetari i partisë gëzon të drejtën të drejtojë këtë forcë politike në opozitë deri në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Nëse i fiton zgjedhjet, kryetari i partisë merr drejtimin e qeverisë. Nëse i humb zgjedhjet, jep dorëheqjen dhe hap krahu për dikë tjetër të marri drejtimin e partisë”, nënvizon Latifi.

Ai shton se Abdixhikut duhet t’i jepet kohë, në mënyrë që LDK të konsolidohet si opozitë e fortë.

“Kryetarit të ri të LDK-së Abdixhikut, mendoj se do ti nevojitet kohë dhe hapësirë në mandatin e tij në krye të LDK -së, ku mund të mbështetet tek përvoja e themeluesve të partisë dhe e çdo militanti partie. Si drejtues i LDK -së, Abdixhiku duhet të përballet edhe si një opozitë e fortë dhe ballë për ballë me pozitën”.

“Me pjesëmarrjen e tyre në këtë proces, kuvendarët e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, me anëtarësinë dhe votuesin besnik të saj, treguan emancipimin e tyre, dëshmuan shpirtin e idealeve, mbi të cilat u lind dhe punoi kjo parti shtet formuese që 31 vite. Të vetëdijshëm për nevojën e ri ngritjes, të vendosur për t’i dalë zot asaj, në ditë të vështira, të bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte nevojë më shumë se kurrë për anëtarësinë e saj, kuvendarët e bënë garën një proces emancipues, të veçantë, të civilizuar dhe demokratik. Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës ka një kryetar të ri dhe uroj që ai t'i çojë sa më shpejt drejt fitores! Mirënjohje të thellë anëtarëve dhe anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për shpirtin e tyre të paepur, zemrën e tyre të madhe, besimin dhe vullnetin e fortë për t’u ri ngritur!”, përfundon për “Bota sot”, ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat