“Përgatitemi për rikthimin e madh”, Lumir Abdixhikut i vjen paralajmërimi: Vetëm kështu rikthehet LDK

Politika

“Përgatitemi për rikthimin e madh”, Lumir Abdixhikut i vjen paralajmërimi: Vetëm kështu rikthehet LDK

Nga: P.R Më: 16 mars 2021 Në ora: 20:49
Lumir Abdixhiku

Pas zgjedhjes kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar përgatitjet për rikthimin e madh, pas humbjes së rëndë që pësoi në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Mburremi me të shkuarën, ideojmë të ardhmen. Sot, ditën e parë e nisa në nderim të Presidentit Ibrahim Rugova, themeluesit të LDK-së e themelëtarit të Republikës sonë. E shkuara na nderon e motivon. Është standard i lartë për secilin prej nesh. Por e shkuara s’na mjafton sot. Sot përgatitemi për sfidat e kohës. Për stabilitet politik e konstruktivitet institucional; për dëgjim të vullnetit qytetar; për opozitë të drejtë, origjinale e të guximshme. Nga sot, përgatitemi për rikthimin e madh”, ka shkruar gjatë ditës së djeshme Lumir Abdixhiku, teksa ka bërë homazhe tek varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova.

E zgjedhjen e Abdixhikut kryetar të LDK-së, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu, e sheh si energji të re për ri ngritjen e LDK-së.

Image
Rexhep Shahu

“Lumir Abdixhiku u zgjodh me shumicë votash kryetar i LDK-së dhe mendoj se është autoriteti i pranuar tashmë si drejtues dhe natyrisht që do të jenë të ndezura kamerat ndaj tij, do të lëvdohet e do të qortohet. Zgjedhja e një të riu është shpresë për energji të reja, për frymëzim dhe ambicie që ta ngrejë LDK-në në lartësinë e lavdisë së saj”, thotë Shahu.

Më tej, Shahu thotë se LDK dhe Abdixhiku nuk duhet të diktohen nga ish kryetari, Isa Mustafa.

“Shpresoj se LDK do të dalë nga ca lloj kurthesh e intrigash të vogla që e kanë rrethuar disa vite, me ose pa të drejtë. Shpresoj të jetë LDK e hapur, jo e komanduar në hije nga ish drejtuesi, apo jo e diktuar nga ata që kanë menduar se kanë klane. Ishte shumë pozitive afria e konkurrentëve dhe deklarimi i Lumirit se kandidatët do të jenë figura drejtuese të LDK-së në kryesi. Shpresoj ta mbajë premtimin që ta ngrejë LDK-në si partinë më të madhe shqiptare në rajon, shkollë politike e madhe”, thekson Shahu.

“Ai do të jetë i paragjykuar si kushdo drejtues i LDK-së sepse në atë post njerëzit kanë te vendosur një standard të lartë morali – Ibrahim Rugovën dhe cilido matet me atë përfytyrim që kanë njerëzit për Rugovën. Lumiri nëse ndjek shkollën e Rugovës do ta ngrejë LDK-në, nëse punon me kolegë dhe nëse nuk shpërfill askënd do ta ngrejë LDK-në”, shton publicisti Shahu.

Sipas tij, LDK nuk e ka luksin të largojë asnjë nga anëtarët e saj dhe se Abdixhiku duhet ta unifikojë partinë.

“LDK ka qene partia e përfilljes së gjithkujt, partia e begenisjes së çdo anëtari të thjeshtë, të çdo zyrtari të thjeshtë. LDK nuk e ka luksin të largojë asnjë, por as nuk duhet të bjerë nën presionin e rivalëve të mëhershëm që kanë mbjellë konflikte në LDK dhe ato konflikte sollën përçarje. Lumiri dhe LDK duhet të afrojë senatorët e saj, dinjitarët e dijetarët që ka nxjerrë kjo forcë politike që kanë bërë histori, por LDK në emër të hapjes nuk mund të bjerë në gjunjë e të lusë e tu përgjërohet atyre që e kanë rrënuar me ndërgjegje LDK-në, që i kanë sjellë dëme e pasoja të rënda, që e kanë lëshuar këtu ku është kjo parti në këtë pikë të ultë elektorale”, shprehet Shahu.

Për fund, Shahu thotë se nëse veprohet në këtë mënyrë, atëherë LDK do të ngrihet fuqishëm.

“Nëse afron të diturit, senatorët dinjitarë, nëse nuk bie në kurthe e intriga, nëse merr vendime kolegjiale, LDK ka shanset më shumë se çdo parti tjetër të ngrihet fuqishëm, por duhet të vejë në punë e të çojë gjak nëpër kapilarët e saj kudo në Kosovë e nëpër botë. Ai rrjet organizimi e veprimi që ka patur LDK në kohen kur ka mbajte gjallë Kosovën duhet vitalizuar sipas meje dhe kaq i duhet LDK-së të udhëheqë Kosovën. LDK është parti e dashurisë dhe jo e konflikteve dhe urrejtjeve”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat