Të lihen inatet për presidente dhe të shmangen zgjedhjet, Osmanit t’i bëhet kuorumi

Politika

Të lihen inatet për presidente dhe të shmangen zgjedhjet, Osmanit t’i bëhet kuorumi

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 18 mars 2021 Në ora: 10:56
Vjosa Osmani

U.d e presidentes, Vjosa Osmani, mori më së shumti vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Por, pavarësisht se ajo mori mbi 300 mijë vota derisa kishte shpallur kandidaturën për presidente të vendit, asaj i duhen dhe votat e deputetëve në Kuvend, që të jetë në krye të shtetit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet president i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Por, a duhet që opozita ta votojë Osmanin për presidente, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja?

Se a duhet të shkojë vendi prapë në zgjedhje nëse Osmani nuk zgjidhet presidente, e kanë komentuar edhe disa njohës të çështjeve politike.

Ahmeti: Nuk duhet vepruar me inate politike për zgjedhjen e presidentit

Image
Hidajet Ahmeti

 

Njohësi i çështjeve politike Hidajet Ahmeti, ka thënë se të gjitha partitë janë të vetëdijshme për procedurën e zgjedhjes së presidentit.

Sipas tij vendi nuk e ka komoditetin për zgjedhje të jashtëzakonshme, prandaj duhet të gjendet një modus për zgjedhjen e presidentit.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës rregullon qartë aspektin procedural e formal të zgjedhjes së presidentit të vendit, për të cilën janë të vetëdijshëm të gjitha partitë politike parlamentare. Gjykoj se përgjegjësia institucionale e politike e zgjedhjes së presidentit bie mbi të gjitha partitë politike parlamentare e veçanërisht mbi subjektin politik fitues. Është imperativë i kohës që të gjendet një modus për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi vendi nuk e ka komoditetin për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme”, është shprehur Ahmeti.

Ai ka theksuar se partitë politike duhet të jenë racionale e jo të shkohet në zgjedhje për inate politike, duke shtuar se Osmani ka legjitimitetin për të qenë president sepse është më e votuara, por nëse partitë nuk ia bëjnë kuorumin Osmanit, atëherë duhet të gjendet një kandidat konsensual.

“Partitë politike parlamentare nuk duhet të veprojnë më logjikën e inateve e politikave destruktive, por duhet të jenë racional në veprime politike e jo për inate partive vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kandidatura e Vjosa Osmanit nuk është e plotfuqishme në kuptimin formal e procedural, por gjykoj se e ka legjitimitetin popullor për të përfaqësuar pozitën e presidentit, pasi është personi më i votuar në historinë politike të Kosovës. Por, prapë nëse nuk është vullneti i partive politike për t’ia bërë kuorumin znj.Osmani, atëherë znj.Osmani duhet të tërhiqet nga kandidatura dhe të gjendet një kandidat konsensual e, jo për ego personale të individëve të caktuar, vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Hidajet Ahmet për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Opozita duhet t’ia bëjë kuorumin Osmanit

Image
Islam Krasniqi


Ndërsa, avokati i shtetit Islam Krasniqi, ka thënë se nëse ushtruesi i detyrës së presidentit mandaton kryeministrin nuk ka nevojë për zgjedhje, ndërsa nëse kërkojnë për zgjedhjen e presidentit dhe u mungon kuorumi, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje.

“Tash mbetet të shikohet si po rrjedhin procedurat gjatë ditëve në vazhdim pas konstituimit të Kuvendit, nëse vazhdon procedura si në të kaluarën kur ushtruesi i detyrës së presidentit mandaton kryeministrin nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje, por nëse kërkohet që të zgjidhet presidenti dhe i mungon kuorumi në Kuvend atëherë vendi shkon në zgjedhje, sepse s'ka formulë tjetër pasi që mungon kuorumi në të gjitha matematikat”, ka vlerësuar Krasniqi.

Sipas tij, partitë opozitare këtë herë do t’ia bëjnë kuorumin madje edhe ndoshta do e votojnë këtë qeveri, sepse shkuarja në zgjedhje nuk do t’i konvenojë askujt.

“Mirëpo, unë besoj se partitë opozitare do të frymojnë me një demokraci të re nga ajo që jemi mësuar në të kaluarën dhe do të qëndrojnë në kuvend për t'i bërë kuorumin, ndoshta nga ta mund të kenë edhe deputetë që do ta votojnë këtë qeveri, sepse shkuarja në zgjedhje nuk është zgjidhje dhe nuk i konvenon askujt aq më pak opozitës”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Burjani: Nëse nuk ka kuorum, duhet zgjerim i koalicionit

Image
Blerim Burjani


Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka thënë se kjo është çështje e opozitës sepse, Osmani duhet t’i ketë votat dhe t’i sigurojë 81 deputetë e nëse nuk i ka të siguruar, atëherë vështirë se do të jetë presidente dhe nëse nuk ka kuorum, duhet zgjerim i koalicionit.

“Kjo është çështje hipotetike dhe kalkulim i Vjosës dhe Albinit, kjo çështje duhet të mendohet mirë se a i kanë votat herën e tretë të votimit për president dhe nëse sigurojnë kuorumin prej 81 deputetëve. Nëse nuk i ka të siguruara, atëherë është problem i madh për tu zgjedhur Vjosa. Pra, kjo çështje është çështje e marrëveshjes me opozitën, nëse opozita pajtohet të qëndrojë brenda për t’i bërë kuorumin, nëse nuk ka kuorum, atëherë duhet të bisedohet për zgjerim të koalicionit, pra nuk është e thjeshtë dhe nuk mund të imponohet”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat