Mbështetja e fuqishme nga Palmer për Kurtin, ky ishte skenari i atyre që e quanin liderin e VV-së si antiamerikan

Politika

Mbështetja e fuqishme nga Palmer për Kurtin, ky ishte skenari i atyre që e quanin liderin e VV-së si antiamerikan

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 18 mars 2021 Në ora: 19:32
Albin Kurti

Fituesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosjes, po del ta ketë mbështetje tw madhe edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Është zëvendës ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, i cili në një intervistë ka folur për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti.

Palmer ka thënë se ai e njeh kreun e Lëvizjes Vetëvendosje që një kohë të gjatë dhe se ka një respekt të jashtëzakonshëm për të.

Ai ka shprehur bindjen se Albin Kurti i vë interesat e Kosovës mbi të gjitha, shkruan “Bota sot”.

“A është Kurti si partner politik i përshtatshëm? Nëse me ‘të përshtatshëm’ e mendoni dikë që është i gatshëm të punojë krah për krahu me Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në avancimin e të ardhmes më të mirë për popullin e Kosovës, absolutisht po. Kemi pasur marrëdhënie të mira me Kurtin kur ishte kryeministër, më parë. E njoh Albin Kurtin që një kohë të gjatë. Njihemi me vite të tëra. Kam respekt të jashtëzakonshëm për të. Sigurisht, mendoj që ai i vë interesat e Kosovës mbi të gjitha dhe e mirëpres mundësinë të punoj me të dhe me qeverinë e tij për prioritetet tona të përbashkëta”, ka thënë Palmer.

Pas këtyre deklaratave të Palmer, si duket po marrin fund edhe epitetet, që dikur Kurtin e quanin edhe si antiamerikan.

Janë njohësit e rrethanave politike në vend, ata të cilët janë të mendimit se deklaratat e zëvendës ndihmës sekretarit Amerikan bëjnë me dije se Kurti asnjëherë nuk ka qenë antiamerikan.

Madje, analistët konsiderojnë se të gjitha ata të cilët u shprehen se Kurti është antiamerikan, janë dorë e zgjatur e armikut dhe dëshirojnë destabilitet politik në vend.

Halili: Manipulimet se Kurti është antiamerikan janë të pavërteta – opozita të jetë konstruktive

Image
Nijazi Halili

Nijazi Halili, anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se ata të cilët mendojnë se Albin Kurti është antiamerikan, janë e dorë e zgjatur e armikut dhe dëshirojnë destabilitet politik dhe një Kosovë të izoluar dhe pa perspektivë.

Ai konsideron se për Albin Kurti nuk do të mungojë mbështetja e madhe nga Administrata e Joe Biden.

“Të gjitha ata të cilët shprehen se Albin Kurti është antiamerikan, konsideroj se janë e dorë e zgjatur e armikut dhe dëshirojnë destabilitet politik dhe një Kosovë të izoluar dhe pa perspektivë në instancat ndërkombëtare. Sa i përket mbështetjes nga ana e administratës Biden, pa diskutim se përkrahje do të jetë e pakontestuar, sepse administrata amerikane e mbështet vullnetin e popullit të cilët me votën e tyre e kanë zgjedhur liderin më të fuqishëm i cili e gëzon kredibilitet, për ta përfaqësuar vendin në të gjithë instancat ndërkombëtare në koordinim me faktorin ndërkombëtar e në veçanti me administratën e amerikane”, është shprehur fillimisht Halili, për gazetën “Bota sot”.

Halili tutje shprehet se deklaratat se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje është antiamerikan, janë të pavërteta dhe të pabazuara në argumente.

“Manipulimet se Kurti është antiamerikan janë të pavërteta dhe të pabazuara në argumente, kur dihet se për shqiptarët partner më i besuar strategjik janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët e mbështeten vendin tonë në ditët më të vështira nga gjenocidi dhe ç’farosja masive e një populli të pambrojtur nga regjimi serb, andaj i bindur thellësisht mund të them se s’ka shqiptar i cili di e fletë shqip që mos të jetë mbështes i pakontestuar e përkrahës me zëmër i mikut dhe partnerit më të besuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve politike me tej ka bërë me dije se partitë opozitare duhet të jenë konstruktive në përkrahjen e qeverisë së re, pasi që kjo e fundit, Halili konsideron se është burim i popullit.

“Në këtë rast do t’i propozoja partive opozitare të jenë konstruktive në përkrahjen e qeverisë së re, dhe krijimin sa më parë të institucioneve pa kushte, sepse kjo qeveri buron nga vullneti popullit”, ka deklaruar për “Bota sot”, Nijazi Halili, anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA.

Mehazi: Albin Kurti kurrë nuk ka qenë kundër SHBA-ve

Image
Sulejman Mehazi

Në anën tjetër, profesori Sulejman Mehazi, njëherësh njohës i mirë i politikës në vendin tonë, është shprehur se deklarata e fundit të Palmerit na bëjnë me dije se kurrë Albin Kurti nuk ka qenë kundër SHBA-ve, por kundër politikës së ish-udhëheqësve të Kosovës

“Se sa është amerikan apo antiamerikan kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, tregoi deklarata optimiste, shumë e qartë e të dërguarit të Departamentit amerikan për Ballkanin, Mathew Palmer, i cili për kryeministri e ri të Kosovës, Albin Kurtin tha: “Kam respekt të jashtëzakonshëm për të, ai i vë interesat në të mirë të Kosovës mbi të gjitha”. Deklarata e lartpërmendur e Palmerit na bëjnë me dije se kurrë Albin Kurti nuk ka qenë kundër SHBA-ve, por kundër politikës së ish-udhëheqësve të Kosovës në krye me Thaçin, Mustafën e Haradinajt, të cilët me politikën e tyre të mbrapshtë e të korruptuar jo që ngadalësuan integrimet evropiane, dhe më të thjeshtën, atë të liberalizimi të vizave të qytetarëve nuk mundnin të bënin, po zhargitën me vite dialogun Kosovë-Serbi me idetë serbe-ruse e antiamerikane të shkëmbimeve të territoreve në mes Thaçit e Vuçiqit”, është shprehur profesor Mehazi.

Mehazi madje i bën edhe një analizë deklaratës së Palmerit, duke thënë se ajo ka një kuptim se kryeministri në ardhje i vë interesat mbi të gjitha në të mirë të Kosovës.

“Të gjitha këto veprime antiamerikane e proserbe detyruan Gjykatën Speciale të Hagës të intervenojnë ndaj atyre që prishnin planet gjeostrategjike e politike amerikane ndaj Kosovës. Po të analizohet e studiohet fjalori diplomatik i deklaratës se Palmerit për Kurtin që thotë: “ai i vë interesat në të mirë të Kosovës mbi të gjitha”, në këtë kontekst e ka kuptimin e politikës amerikane, se Kurti “vë interesat në të mirë të SHBA-ve, mbi të gjitha”. Se shkuarje e Thaçit në Hagë, se fitorja e Albin Kurtit gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit ka çuar politikën e Kosovës drejt binarëve të duhura të SHBA-ve të Bidenit”, ka deklaruar ai.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, thekson se, me Albin Kurtin në krye të ekzekutivit vendi do të frymojë lirshëm drejt rrugës politike të SHBA-së në krye me mikun e shqiptarëve të Kosovës, presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Ameriës.

“Rruga politike e Albin Kurtit ka qenë e është kundër Thaçit, Vuçiqit, Grenellit, Mustafës e në drejtim të administratës së kryetarit të ri të SHBA-ve, Joe Biden. Tani më me, Albin Kurtin, Kosova do të frymojë lirshëm drejt rrugës politike të SHBA-së në krye me mikun e shqiptarëve të Kosovës, presidentin Joe Biden”, ka përfunduar profesori e njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat