U shfaqën për ta luftuar SHIK-un, roli i Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës në institucionet e shtetit

Politika

U shfaqën për ta luftuar SHIK-un, roli i Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës në institucionet e shtetit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 19 mars 2021 Në ora: 19:43
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla, pamje nga fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021

Roli i Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës u vlerësua shumë që nga koha kur ishin në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ato kishin të njëjtat mendime dhe kundërshtime ndaj vendimeve që merrte ish partia e tyre. Madje edhe të dyja u përjashtuan nga LDK-ja thuajse në të njëjtën mënyrë.

Tani, ato kanë bashkuar forcat në një listë të përbashkët, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje. Ky bashkëpunim erdhi në kohën para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Në këto zgjedhje ato dëshmuan mbështetjen e qytetarëve, duke marrë numër të madh të votave. Derisa Vjosa Osmani mori mbi 300 mijë vota, duke thyer rekordin e votave që ndonjë lider partiak ka marrë ndonjëherë në zgjedhje, Donika Gërvalla ka arritur mbi 40 mijë vota, duke garuar për herë të parë në zgjedhje e duke lënë kështu pas shumë politikanë e ish komandantë të luftës.

Ajo ka siguruar votat për një ulëse në Kuvend dhe në këtë legjislaturë do të jetë zëri i qytetarëve, ndërsa Vjosa Osmani synon që të bëhet Presidente e vendit.

E derisa dy politikanet që dikur ishte pjesë e LDK-së tani kanë arritur sukses të madh në zgjedhje, ish partia e tyre ka pësuar rënien më të madhe në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, duke marrë vetëm 12 për qind të votave.

Zeqiraj: Osmani dhe Gërvalla, përbëjnë binomin e harmonishëm, shumë të suksesshëm, në veprimtarinë e tyre

Image
Idriz Zeqiraj

Publicisti dhe zyrtari i LDK-së në Gjermani, Idriz Zeqiraj ka vlerësuar Osmanin dhe Gërvallën, duke thënë se kanë shkollimin e duhur intelektual për të qeverisur me vendin.

“Dr. Vjosa Osmani është nxënëse e shkollës amerikane. Ajo ka përvojën botërore të partive politike, andaj e dinë mirëfilli se copëzimet partiake, nuk arrijnë t`i rezistojnë kohës. Çdo ndarje është një lloj vdekje. Ajo ka bashkëmendimtare, juristen e diplomuar, në Universitetin e zëshëm të Hamburgut, Donikë Gërvallën. Dhe, përbëjnë binomin e harmonishëm, shumë të suksesshëm, në veprimtarinë e tyre partiake dhe atdhetare. "Bashkimi bënë fuqinë",- është një urtësi e provuar ndër shekuj”, ka thënë Zeqiraj.

Sipas tij, rrethanat i kanë bashkuar këto dy vajza të zgjuara, që i quan si dy luftëtare të pakompromis.

“Rrethanat i bashkuan dy vajzat e zgjuara të Kosovës. Së pari, kapja e shtetit të Kosovës, nga bandat e bashkuara në PAN, të frymëzuara nga banditizmi i neoenveristëve stalinistë të Shqipërisë. Së dyti, shantazhimi i vazhdueshëm i lidershipit klanor të LDK-së, me dosje të SHIK-u kriminal. Fati e deshi, në skenën politike ballafaquese, u shpërfaqen dy luftëtarët e pakompromis, Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani, si dhuratë Perëndie, për t`i liruar nga ankthi i frikshëm të shantazhuarit e SHIK-ut”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Tutje, Zeqiraj mendon se me veprimet e tyre të guximshme, Vjosa dhe Donika, ndihmuan LDK-në, për të filluar reformat në parti.

“Të gjithë ata, dallkaukë e kopukë, servilë e fodullë, që shajnë, mallkojnë dhe akuzojnë për tradhti, me dashje apo padashje, gabohen. A mund të vepronin ndryshe, për ta marrë kalanë nga brenda? Ndoshta, po. Veçse, duhej të sakrifikonin diçka nga dinjiteti, krenaria e tyre, duke heshtur e pritur, "për ta goditur gjahun!" Por, karakteri dhe dinjiteti i tyre është unik. Duke qenë brenda një shtëpie politike, me veprimtaren më të shquar të Kosovës në Mërgatë, Donikë Gërvalla, kam vepruar për 27 vjet radhazi me atë. Gjithmonë, në krye të detyrës, jo vetëm partiake, por, para së gjithash, kombëtare. Kështu e njoha edhe Vjosë Osmanin, më 25 maj 2015, kur një klan horrakësh, na e mbylli derën e Kuvendit të 8-të, pavarësisht pse ishim delegatë ligjshëm të tij. Dhe, zgjodhën rebelimin e hapur”, ka vlerësuar Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Duhanaj: Ato mund të bëjnë punë të mira për vendin

Image
Leon Duhanaj

Edhe njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, mendon se ato mund të jenë të suksesshme në fushën e politikës së jashtme, falë aftësive intelektuale dhe profesionale.

“Për sa u përket aftësive intelektuale dhe profesionale të Donikës dhe Vjosës, nuk dyshoj që mund të jenë të suksesshme në misionin e politikës së jashtme të Kosovës. Aq me shumë, pas një periudhe goxha të gjatë kur kemi pasur me shumë stagnim se sa progres”, është shprehur Duhanaj.

Megjithatë, ai pyet se a do të jenë të lira ato të dyja të tregojnë bindjet e tyre.

“Pyetja për mua do të shtrohet, a do të jenë të lira t'i shtyjnë bindjet e veta, përkatësisht mënyrën e sjelljes që e kanë mësuar në LDK, apo do të bien nën ndikimin e Albin Kurtit dhe mënyrës së sjelljes së tij. Nëse këto dy zonja, arrijnë t'i shmangen, apo ta balancojnë siç duhet ndikimin ideologjik të VV-së, nuk dyshoj që mund të bëjnë punë të mira për vendin, megjithatë mbetet të shihet se çfarë do jenë në gjendje të bëjnë. Koha është treguesi dhe matësi me i mire”, ka deklaruar Duhanaj për “Bota sot”.

Ndryshe, Donika Gërvalla pritet të udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës në Qeverinë Kurti II, që pritet të formohet të hënën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat