Skandali me hartën, eksperti i Oksfordit i reagon Vuçiqit: Ja çka duhet të bëjnë SHBA-ja dhe Be-ja

Politika

Skandali me hartën, eksperti i Oksfordit i reagon Vuçiqit: Ja çka duhet të bëjnë SHBA-ja dhe Be-ja

Nga: A.Zhushi Më: 19 mars 2021 Në ora: 21:43
Richard Caplan

Postimi i një fotografie në Instagram, ku paraqitej harta e Kosovës me flamurin serb në të, ka ngjallur reagime të shumta ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”, ka shkruar Vuçiq mbi fotografinë, që e publikoi në llogarinë personale.

Përveç shoqërisë civile, për deklaratën e tij kanë reaguar edhe shumë politikanë në Kosovë e Shqipëri.

Image
Postimi i Vuçiqit në Instagram

Veprimin e presidentit serb, e ka komentuar edhe eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Caplan e ka quajtur “provokues” veprimin e Vuçiqit, duke thënë se është e vështirë të dihet se pse e ka publikuar atë në këtë kohë.

“Sigurisht që është një gjest provokues. Është e vështirë të shohësh se për çfarë qëllimi shërben - domethënë, pse në këtë kohë të veçantë?”, ka thënë ai.

Profesori pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të tregohen të matura dhe të injorojnë “gjestin nxitës” të Vuçiqit.

“Në diplomaci shpesh është e matur të injorosh gjestet nxitëse, gjë që unë pres që do të bëjnë SHBA-ja dhe BE-ja”, është shprehur më tej Caplan.

Sipas ekspertit britanik, njohja reciproke Kosovë-Serbi gjatë mandatit të Vuçiqit do të jetë e mundur, por jo momentalisht.

“Njohja e ndërsjellë gjatë mandatit të Vuçiqit është e mundur, por për momentin është një qëllim i pakapshëm”, ka shtuar Richard Caplan për gazetën “Bota sot”./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat