Urimi për Kurtin nga Kryetarja e Kushtetueses, Kelmendi kërkon dorëheqjen e saj nga detyra

Politika

Urimi për Kurtin nga Kryetarja e Kushtetueses, Kelmendi kërkon dorëheqjen e saj nga detyra

Nga: A.Z Më: 26 mars 2021 Në ora: 23:07
Arta Rama-Hajrizi

Shefja e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë i ka dërguar letër-urimi Kryeministrit, duke i shprehur konsiderata të larta.

Kështu, Arta Rama-Hajrizi e ka cilësuar moment të rëndësishëm për Kurtin dhe për qytetarët zgjedhjen e tij për Kryeministër. Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, e ka quajtur të shëmtuar letrën e Rama-Hajrizit dërguar Kryeministrit.

E një ish-kryeministër ka thënë se urimi i Kryetares së Kushtetueses lidhë garancinë që Kushtetuesja po ia bën Kurtit se “s’ka kush çka të bën në punën e re”.

Kjo ka ngjallur shumë reagime, kështu edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se me këtë urim i ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar për pavarësinë e pushteteve.

Sipas tij, në asnjë vend nuk ka rast të tillë dhe me këtë akt urimi, vetëm ka treguar bashkëpunim në mes Gjykatës Kushtetuese dhe Qeverisë.

Image
Muhamet Kelmendi

 “Fare nuk është praktike dhe as nuk ka gjë më të dëmshme se përzierja e gjyqësorit në politikën e vendit jashtë normave kushtetuese. Z. Rama-Hajrizi me urim i ka tejkaluar të gjithë kufijtë të përcaktuar për pavarësinë e pushteteve në Kosovë. Urimi i z.Arta për z.Kurti është prapështi e veçantë dhe shumë e dëmshme në skenën tonë ashtu-kështu të rëndë të gjyqësorit. Nuk ka rast askund në botë që një Kryetare e një Gjykate Kushtetuese që uron Kryeministrin. Me këtë akt urimi, kryetarja ka treguar një bashkëpunim te Gjykatës Kushtetuese me Qeverinë. Kjo është e patolerueshme dhe në kundërshtim me shtetin ligjor. Nuk ka bashkëpunim”, ka deklaruar Kelmendi.

Tuje, ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese, juridikisht është për të mbrojtur ligjshmërinë e Kosovës në bazë të Kushtetutës dhe se frika apo animi i kryetares, janë të ndaluara.

Kelmendi thotë se me këtë letër urimi, Gjykata Kushtetuese ka humbur karakterin e organit gjyqësor, ajo çka mbetet nga kjo, sipas tij, është dorëheqja e kryetares nga kjo detyrë.

“Gjykata Kushtetuese, është e thirrur juridikisht për të mbrojtur kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë në Republikën e Kosovës në bazë të Kushtetutës. E keqja është animi apo frika e kryetares, animi nga Kryeministri në aspektin ideologjik apo frika nga VETTING-u për t’u shkarkuar nga detyra e kryetares. Si njëra anë, ashtu edhe tjetra janë të ndaluara, sepse nuk ka anim dhe as frikë, nëse mbështetesh në ligj. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese i nënshtrohet ligjit. Kryetarja nuk ka ideologji politike dhe as nuk duhet të ketë frikë nga asnjë masë juridike. Ajo është e pavarur dhe i nënshtrohet ligjit. Duke dërguar letër urimi, Gjykata Kushtetuese ka humbur karakterin e organit më të lartë gjyqësor, e cila e ka fjalën e fundit në çdo çështje konstetuese kushtetuese. Paraprirja me letër përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese për z. Kurti është shkelje e rëndë dhe mbetet vetëm dorëheqja e kësaj zonje nga ajo detyrë. Kudo ky do të ishte përfundimi”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat