Ç’kapja e shtetit, alarmi për kryeministrin Kurti se mund të ketë rezistencë të madhe nga kapësit

Politika

Ç’kapja e shtetit, alarmi për kryeministrin Kurti se mund të ketë rezistencë të madhe nga kapësit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 7 prill 2021 Në ora: 11:21
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Luftimi i krimit dhe korrupsionit, përgjegjshmëria e mbajtja e fjalës, po dalin të jenë të përbashkëtat e kryeministrit Albin Kurti dhe e presidentes Vjosa Osmani. Kështu kanë deklaruar anëtarët e subjektit nga vijnë edhe Kurti e Osmani.

Sikurse në ditën kur është votuar Qeveria Kurti I, ngjashëm është vepruar edhe në ditën e Qeverisë Kurti II, pasi që kryeministri i vendit ka dhënë zotimin para deputetëve se ekzekutivi i drejtuar nga ai do të shquhet për ç’kapje të shtetit.

E, për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, dje kjo çështje është diskutuar edhe në një takim mes kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, që pati me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Diskutimi i çështjeve të përbashkëta në fushën e drejtësisë si rishikimi funksional, procesi i Vettingut, avancimi i llogaridhënies, transparencës si dhe efikasiteti i trajtimit të krimeve të luftës ishin në fokus të takimit ndërmjet Kryeprokurorit Lumezi dhe Ministres Haxhiu.

Mirëpo, cilat janë sfidat që po e presin ekzekutivin aktual. Njohësit e fushës konsiderojnë se sfidat e Qeverisë së Kurtit II janë të mëdha, gjersa bëjnë me dije se gjëja e dytë parësore pas pandemisë, është edhe lufta e rëndë dhe e fuqishme ndaj korrupsionit shtetëror dhe ç’kapja e shtetit.

Juristët madje kanë paralajmëruar shefin e qeverisë së Kosovës se për spastrimin e organeve shtetërore nga elementet e dëmshme dhe shkelësit e ligjeve, mund të ketë rezistencë, dhe e gjithë kjo do të vije nga politika, nga strukturat e ndryshme shoqërore dhe nga ekonomia private e shoqërore.

Kelmendi: Kosovës i duhet pushtet ligjor

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, fillimisht shprehet se nuk mund të konkludohet apriori se në tërësi e kemi një pushtet të kapur nga grupimet e ndryshme informale dhe kriminale.

Kelmendi ka deklaruar për gazetën “Bota sot” se i takon qeverisë aktuale që të veprojë me guxim dhe ndershmëri në drejtim të ndërtimit de-fakto të shtetit juridik.

Image
Muhamet Kelmendi

“Natyrisht se probleme ka dhe ato çështje mund dhe duhet të rregullohet me ligj, në mënyrë që pushteti shtetëror të bëhet tërësisht i lirë dhe ligjor. Këtej ka probleme të ndryshme dhe shumë të vështira për t’u kryer. I takon pushtetit shtetëror që të veprojë me guxim dhe ndershmëri në drejtim të ndërtimit de-fakto të shtetit juridik. Kosovës i duhen disa ligje në mënyrë që organet e shtetit të funksionojnë dhe forcat kriminale të përgjigjen për veprimtari të dëmshme”, ka thënë Kelmendi.

Me tej, profesori Kelmendi përmend gjithashtu se përgjatë këtyre viteve Kosova ka bërë një punë të madhe në fushën legjislative.

“Nuk është këtu çështja e vetëm organeve të sistemit si prokuroria dhe gjykatat, por është në spikamë i tërë pushteti shtetëror, si policia, administrata, firmat publike dhe shtetërore dhe deri te ekonomia private. Madje, këtu e ka bazën i tërë veprimi kriminal, sepse këtu bëhet spastrimi i mjeteve dhe i kthehen njerëzve te ndryshëm. Ligjet që duhet të nxirren janë të ndryshme. Kosova ka bërë një punë të madhe në fushën legjislative. Megjithatë, janë disa fusha ku nuk është rregulluar çështja fare. Këtu është fjala për këto ligje; 1. Ligji për konfiskim te pasurisë së pajustifikueshme, 2. Ligji për lustracionin, 3. Ligji për VETTING, 4. Ligji për sigurimin pensionalo-invalidor, 5. Ligji mbi zgjedhjet dhe 6. Ligji mbi referendumin”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Profesori paralajmëron krerët e vendit se për pastrimin e organeve do të ketë rezistencë dhe se kjo do të vije nga politika, nga strukturat e ndryshme shoqërore dhe nga ekonomia private e shoqërore.

“I përmenda disa fusha të cilat edhe rregullohet juridikisht me ligje dhe edhe krijohet mundësia për të ndërhyrë në pushtet, në mënyrë që të spastrohen organet nga elementet e dëmshëm dhe shkelësit e ligjeve. Këtu kuptohet se do të ketë rezistencë. Ajo do të vjen nga politika, nga strukturat e ndryshme shoqërore dhe nga ekonomia private e shoqërore. Këta janë shfrytëzuesit e të mirave jo ligjore financiare dhe këtu duhet të vjen rezistenca më e madhe. Dëshiroj që në fushën e tillë mos të ketë konflikte tjera, konflikte të natyrës fizike dhe kërcënime. Prej kësaj varet edhe guxim për të zhvilluar një fushat për spastrimin total të pushtetit nga dukuritë informale dhe të dëmshme”, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, profesor Muhamet Kelmendi, jurist e njohës i çështjeve juridike.

Juristi: Ç’kapja e shtetit pritet të bëhet përmes Vettingut

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, është shprehur se ç’kapja e shtetit të Kosovës pritet të bëhet vetëm përmes Vettingut.

Burjani për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se lufta për këtë çështje i takon organeve të rendit në vendin tonë.

Image
Blerim Burjani

“Çështja e luftimit të korrupsionit është e organeve të rendit. Ç’kapja pritet të bëhet përmes Vettingut. Nuk është e mjaftueshme vetëm lufta kundër korrupsionit, por edhe krimit te organizuar nga nepotizmi”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike, për “Bota sot”.

Tutje, ai ka shpjeguar po ashtu se edhe ku duhet të zbatohet Vettingu.

“Vettingu duhet të zbatohet në polici dhe arsim, në nivelin universitar. Lufta kundër plagjiaturave të doktoratave, të gjitha këto duhet të bëhen”, ka thënë juristi Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Mehazi: Kurti dhe Haxhiu kanë detyrë shumë të vështirë

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka deklaruar se sfidat të cilat e presin shefin e qeverisë së Kosovës janë shumë të mëdha.

Sipas Mehazit, të gjitha të mirat e të këqijat shtetërore që do të ndodhin në Kosovë do të varen prej kryeministrit aktual të Kosovës.

Image
Sulejman Mehazi

“Sfidat e qeverisë së Kurtit janë të mëdha, tani e tutje e gjithë barra shtetërore do jetë mbi shpinën e Kurtit, të gjitha të mirat e të këqijat shtetërore do varen prej tij. Gjëja e dytë parësore pas pandemisë së Qeverisë së Kurtit është të luftohet rëndë e fuqishëm korrupsioni shtetëror, ç’kapjen e shtetit, nëse kjo gjëmë e zezë shtetërore nuk hiqet qafe atëherë kryeministri Albin Kurti jo që do jetë kundër premtimeve elektorale, por dhe më do të varfëronte qytetarët e Kosovës”, ka thënë Mehazi.

Tutje, ai ka paralajmëruar kryeministrin Kurti e ministren Haxhiu se kanë detyrë shumë të vështirë, pasi që sipas tij, nuk është aq lehtë të luftohet çelësi i të gjitha të këqijave.

“Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë detyrë shumë të vështirë për shkak se s’është aq lehtë të luftohet çelësi i të gjitha të këqijave gjykatat shtetërore të cilët në mënyrë zinxhirore kanë ushqyer korrupsionin shumëvjeçar shtetëror me marrëveshje të fshehtë korruptive në mes gjykatësve të Kosovës, ministrisë së Drejtësisë e ministrisë së Punëve të Brendshme tog. Nëse gjykatat shtetërore bëhen të korruptuara medoemos i tërë shteti bëhet i korruptuar”, ka deklaruar profesori i njohur.

Në fund, ai ka bërë me dije nëse vendoset të luftohet e keqja, duhet që të gjithë të ngritën dhe që mos të lihen të vetmuar kryeministri Kurti e ministrja Haxhiu për këtë sfidë tejet të vështirë.

“Vërejtje duhet bërë edhe medieve të Kosovës, ata tani e tutje duhet kritikuar gjykatat e korruptuara të Kosovës e jo politikanët për shkak se gjykatësit janë fajtorët kryesorë që aq lehtësisht i lejojnë funksionarët e shtetit të vjedhin, korruptohen e pasurohen pa fije frike juridike. Pra, për të shmangur kancerin e rrezikshëm vdekjeprurëse të zhvatjes shtetërore që varfëron qytetarët dhe Kosovën, duhet ndihmuar të gjithë, s’duhet lënë të vetmuar Qeverinë e Kurtit kundër kësaj lufte të keqe e të vështirë sociale e ekonomike që nga Albin Kurti, Albulenë Haxhiu, mediave, analistëve politikë e deri te qytetari më i thjeshtë. Të gjithë forcën e kritikave, protestave dhe demonstratave duhet drejtuar kah gjykatat dhe gjykatësve, se për ndryshe kurrë nuk do të burgosen e largohen nga pushteti këta të korruptuar pushtetarë”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat