Miliona euro për avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit, “shpërthen” me akuza të rënda ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt

Politika

Miliona euro për avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit, “shpërthen” me akuza të rënda ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt

Nga: P.R Më: 9 prill 2021 Në ora: 21:52
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

Ministria e Drejtësisë ka aprovuar kërkesat për katër avokatët mbrojtës të të akuzuarve në Gjykatën Speciale, dhe ka kryer pagesat për ta në vlerë prej 464,600.00 euro.

“Mbulimi i shpenzimeve për mbrojtje juridike dhe financiare bëhet sipas legjislacionit përkatës në fuqi dhe që këto të drejta janë të aplikueshme ndaj të gjithë personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara, pa marrë parasysh se kush është subjekt i procedurës pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në një përgjigje nga zyra për media e Ministrisë së Drejtësisë.

E kritika për këtë vendim ka edhe Saim Tahiraj, veprimtar i hershëm i LDK-së në diasporë dhe e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt.

Sipas tij, ta mbrosh krimin me djersën e taksave të qytetarëve të Kosovës, është më tepër se krim.

Image
Saim Tahiraj

“Shoqëria kosovare ballafaqohet me paradokse të shumta, tani e njëzet e tri vite më parë. Kemi shumë figura të rëndësishme ushtarake dhe politike që janë vrarë me urdhër të shtabit të LPK-së, të cilët pastaj janë shpallur heronj. Ky është paradoksi i llojit të veçante që vetëm te ne shqiptaret ndodhë, vet i vrasim më meritorët e pastaj po vet i shpallim heronj! Ky paradoks i llojit të veçante filloj me vrasjen e Ali Ukaj, Ilir Konushefcit, Ahmet Krasniqit në Shqipëri, për të vazhduar me vrasjet tjera në Kosovë të shumë figurave autoriteteve, të cilat gëzonin respekt në mbarë opinionin shqiptarë”, thotë Tahiraj.

Ai shton se të gjitha këto figura i takonin organizimit politik dhe ushtarak të institucioneve shtetërore të udhëhequr nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova.

“Paradoksi tjetër i turpshëm dhe shumë fyes për mbarë taksapaguesit shqiptarë, ndodhi këto ditë! Nga buxheti i varfër i Kosovës ekzekutohen mbi gjysmë milioni Euro, për të paguar avokatët e atyre që dyshohen për vrasjen e këtyre figurave madhore të kombit tonë. Ditë apo javë më parë në rrjetet sociale qarkulloi një dosje nga UNMIK-u e cila fliste për tri vrasje; të Xhemajl Mustafës, komandant Drinit dhe tentim vrasjen e Fetah Rudit. Njeriu kryesor që urdhëroi dhe drejtoj këto vrasje dyshohet të jetë Rexhep Selimi, i cili gjendet në Hagë ku po gjykohet nga Gjykata Speciale”, thekson Saim Tahiraj.

Ai e quan skandaloze ndarjen e mjeteve për avokatët mbrojtës, të atyre që akuzohen edhe për vrasjen e shqiptarëve.

“Si ka mundësi të ndahen dhe të ekzekutohen shuma kaq të mëdha parash nga buxheti i varfër i Kosovë, për avokatë e atyre që akuzohen si të dyshuar për urdhër dhënien e vrasjeve te shqiptarëve? A nuk është krimi i dytë që po bënë Qeveria e Kosovës, duke paguar mbrojtjen e të dyshuarve për vrasjet e shqiptarëve me djersën tonë? A duhet të mendon Qeveria e Kosovës se si do ndihen tani familjaret e Xhemajl Mustafës dhe komandant Drinit, si dhe shumë familje tjera që ju a vranë familjarët e tyre? Së paku le ta marrin guximin, të shkojnë te Fetah Rudi dhe le ta pyesin se si ndihet aji? Njeriu kryesorë që dyshohet për organizimin e tentim vrasjes së Fetah Rudit, është pikërisht Rexhep Selimi! Ju pa fije turpi ndani para nga taksapaguesit e Kosovës, njëri nga të cilët është edhe Fetah Rudi! Me paratë e Fetah Rudit, me paratë e familjes së tij dhe të shumë shokëve dhe miqve të tij, ju qeveritarë të pandërgjegjshëm paguani mbrojtjen e të dyshuarit si gjelat i tij! Deri kurë do vazhdojnë këto paradokse kriminal në Kosovën tonë të varfër?”, shprehet Saim Tahiraj.

Për fund, Tahiraj i ka bërë thirrje popullit të Kosovës që të vetëdijesohet dhe t’i thotë mjaftë paradokseve të tilla.

“A thua edhe sa vite i duhet popullit tonë të vetëdijesohet dhe të ketë ndërgjegje, moral të fortë që të thotë, mjaftë më me paradokse të tilla. T’i thotë mjaftë më krimit dhe mbrojtjes së krimit nga institucionet e shtetit! Me qeveri të tillë nuk ka shtet të fuqishëm, ka vetëm individ dhe klane të fuqishme, të cilët janë të lidhura me kriminelë dhe banda kriminelësh, andaj i financojnë dhe mbrojnë ato. I mjerë është aji popull i cili nuk mundë t’i luftoj dhe dënoj kriminelët e vetë! Nuk mund të sillet më si viktimë e tyre, por si bashkëpunues i tyre dhe bashkëpërgjegjës për të gjitha të këqijat që i ka sjellë shtetit të Kosovës”, përfundon për “Bota sot” Saim Tahiraj, veprimtar i hershëm i LDK-së në diasporë dhe e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt.

Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që nga 5 nëntori i vitit të kaluar gjenden të burgosur në Hagë, ku nga Gjykata Speciale ndër tjerash akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, gjegjësisht anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat