Dialogu/ Albin Kurtit i vjen paralajmërimi: Ky është shqetësimi kryesor i ndërkombëtarëve

Politika

Dialogu/ Albin Kurtit i vjen paralajmërimi: Ky është shqetësimi kryesor i ndërkombëtarëve

Nga: P.R Më: 12 prill 2021 Në ora: 21:11
Albin Kurti

Profesor, doktor Enver Bytyçi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe sfidat që e presin kryeministrin e ri, Albin Kurti, të cilit së fundi i kanë ardhur porosi nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nisjen sa më parë të dialogut mes dy vendeve.

Sipas profesor Bytyçit, shqetësimi kryesor i ndërkombëtarëve është normalizimi i marrëdhënieve mës dy vendeve dhe njohja e ndërsjellët.

“Të gjitha letrat, komunikimet publike, por besoj dhe jo publike, të udhëheqësve perëndimorë drejtuar zotit Kurti, zonjës Osmani e madje dhe presidentit të Serbisë, adresojnë si detyrim kryesor të politikës së jashtme dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo pritej dhe duket se shqetësimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar është normalizimi i marrëdhënieve midis këtyre vendeve, njohja e ndërsjellët e tyre, siç edhe përmendet në letrën e presidentit amerikan Joe Biden drejtuar zotit Vuçiç”, thotë profesor Bytyçi.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

Më tej, ai ka shpjeguar pse kryeministri Kurti nuk e konsideron dialogun me Serbinë ndër prioritet e qeverisë së tij.

“Por qeveria e zotit Kurti deklaron se dialogu është prioritet i katërt ose përtej katrës. Kjo ka dy shpjegime: Njëri lidhet me prioritetet objektive të një qeverie, sepse natyrshëm çdo qeveri në botë ka si prioritet të parë sigurinë e mbrojtjen e vendit, mirëqenien, forcimin e shtetësisë në rastin e Kosovës në luftë me korrupsionin dhe fenomenet e tjera e pastaj vjen politika dhe diplomacia. Por në shpjegimin tjetër duhet thënë se Kosova nuk e ka komoditetin e vendeve të pranuara ndërkombëetarisht e të njohura në OKB. Për këtë thuhet se asaj i duhet t'i japë fund konfliktit me Serbinë”, thekson Bytyçi.

Ai shton se Serbia është në konflikt me Kosovën.

“Kosova nuk ka asnjë konflikt me asnjë prej vendeve të saj fqinjë. Nuk rrezikon sovranitetin e asnjërit prej vendeve në rajon. Është Serbia ajo që prej 160 viteve rrezikon sovranitetin e vendeve të tjera ballkanike, prodhon luftëra, grindje, konflikte të pafund, me një synim të vetëm, krijimin e Serbisë së Madhe. Por dihet se Kosovës i intereson paqja, stabiliteti, integrimi në strukturat euro-atlantike dhe siguria. Dhe për këtë i duhet që të gjejë paqe edhe në marrëdhëniet me Serbinë. Kosova nuk ka nevojë të bëjë paqe me Serbinë, por ta kërkojë paqen me të. Paqen e ka për detyrë ta bëjë agresori, pra Serbia. Kosova ka për detyrë që të mos mendojë për hakmarrje dhe për ta çuar më tej konfliktin. Serbisë i takon të kërkojë ndjesë. Kosovës i takon ta pranojë ndjesën edhe pse ka pësuar dëme të pallogaritshme na gjenocidi serb”, nënvizon profesor Bytyçi.

Sipas tij, dialogu mes Kosovës dhe Serisë nuk ka alternativë tjetër, të dy vendet duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve.

“Gjykuar dhe në këto pozicione, del nevoja që duhet vazhduar dialogu. Nuk ka alternativë tjetër. Në tavolinën e bisedimeve shtrohen kërkesat, alternativat, shqyrtohen mundësitë e madje modalitetet e arritjes së pajtimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve. Nuk bëhet kjo me deklarata të njëanshme të palëve. Ndaj qeveria e zotit Kurti duhet t'i përgjigjet pozitivisht kërkesës së sekretarit të shtetit, Blinken apo të shefit të diplomacisë evropiane, Borrelli. Të jesh i gatshëm për të biseduar nuk do të thotë se je i gatshëm të lëshosh territor apo sovranitet kushtetues e institucional. Të bisedosh do të thotë të dëshmosh vullnet për paqe dhe marrëveshje”, shton Bytyçi.

“Ndërkaq nuk shoh se qeveria, presidentja, parlamenti i ri e kanë marrë seriozisht dialogun. Ende nuk ka një diskutim për grupin e ri negociator. Duket se akoma i koordinon punët Skënder Hyseni, sepse nuk ka një emër të ri për këtë detyrë. Nuk janë ende në diskutim detyrimet për dialogun në pikëpamje të parimeve të tij, të qasjes ndaj tij, të përgatitjes dhe të qëndrimeve politike në këtë proces. Këto çështje duhen diskutuar para se të dërgohen në qeveri e parlament për miratim. Publikisht nuk thuhet asgjë, nëse ekspertët kanë filluar punë ose jo, nëse do ketë ekspertë të rinj, vendas a të huaj. Nëse do të ketë dosje të caktuara dhe cilat do të jenë ato. Nëse do ketë prioritet temash në diskutime ose jo!”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se janë shumë problematika me të cilat do të duhet që institucionet e reja të Kosovës të ballafaqohen.

“Ndërkaq shoh një prirje për t'i ikur përgjegjësisë me idenë se "Dialogu nuk është prioritet kryesor"! Po kjo është e vërtetë dhe Albin Kurti bën mirë që nuk e ka shpallur dialogun si prioritet kryesor, siç e kishte shpallur Hashim Thaçi. Por edhe të bësh shurdhin, kjo nuk është as reale, as racionale. Derisa miqtë e Kosovës kërkojnë qëndrim për këtë çështje, qeveria, presidentja dhe kryetari i parlamentit duhet ta marrin seriozisht kërkesën e tyre. Ata nuk po kërkojnë kompromise, thjesht vazhdimin e dialogut. Një qeveri e mirë dhe e zonja do të duhej e do të duhet të zhbirilojë se cilat janë dhe pritshmëritë e miqve dhe aleatëve të Kosovës për përmbylljen e dialogut”, deklaron Bytyçi.

Por kur mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?

“Kjo sa i përket afatit kohor dhe përmbajtjes që do të kishte një marrëveshje midis dy palëve. Grupi negociator do të duhet të llogarisë edhe në avantazhet dhe disavantazhet e palës kundërshtare, asaj serbe. Psh deri kur ajo mund të rezistojë në kërkesat e veta absurde. Dhe kur mund të vijë momenti që Beogradi në një farë mënyre ta pranojë realitetin e krijuar më 17 shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë sipas pakos Ahtisaari. Kjo njohje shërben për të ndërtuar taktikat dhe strategjinë e dialogut dhe për t'i dhënë avantazhet e merituara palës së Kosovës!”, përfundon për “Bota sot”, Profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat