“Serbia nuk ishte e përgatitur për këtë”, ja merita e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për Donika Gërvallën

Politika

“Serbia nuk ishte e përgatitur për këtë”, ja merita e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për Donika Gërvallën

Nga: P.R Më: 14 prill 2021 Në ora: 20:12
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

Ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, përfaqësoi për herë të parë Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. E që në fillim të mbledhjes, Gërvalla u përball me kërkesën e Rusisë, që flamuri i Kosovës të hiqet nga prapavija ku ishte ulur Gërvalla. Ky hap i Donika Gërvallës u vlerësua lartë në Kosovë dhe më gjerë. E në fjalimin e saj, Donika Gërvalla tregoi qartas krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë.

Lëvdata për Donika Gërvallën ka edhe profesor, doktor Enver Bytyçi. Sipas tij, Gërvalla shpalosi konceptin dhe idenë e qeverisë së re Kurti për dialogun dhe pozicionin e Kosovës në këtë dialog, proces të cilin e kushtëzoi Serbinë më njohjen e gjenocidit të kryer në Kosovë.

Image
Enver Bytyçi

“Donika Gërvalla për herë të parë përformoi në postin e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës në forumin më të lartë të globit, në Këshillin e Sigurimit. Ajo shpalosi konceptin dhe idenë e qeverisë së re Kurti për dialogun dhe pozicionin e Kosovës në këtë dialog. Kërkesa e saj që Serbia të njohë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e saj në Kosovë bëhet për herë të parë dhe na vjen në antitezë me kërkesën e Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Baton Haxhiut që në marrëveshjen e re me Serbinë të faleshin krimet serbe në Kosovë. Ajo për ilustrim përmendi fakte e dëshmi të shumta për gjenocidin serb në Kosovë dhe e kushtëzoi dialogun pikërisht me njohjen nga ana e Beogradit të këtij gjenocidi. E ilustroi gjenocidin serb edhe me vrasjen e babait të saj, shkrimtarit, poetit, muzikantit dhe gazetarit të njohur, Jusuf Gërvallës, nga ana e shtetit serb, në vitin 1981 në Helbron të Gjermanisë”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se Gjykata Speciale e ka pastruar skenën politike në Kosovë, dhe tani vendi gjendet në një pikë kthese të rëndësishme në përfaqësimin institucional.

“Së pari, të theksoj faktin se skena politike e Kosovës me ndryshimin e fundit politik është pastruar jo pak prej spiunëve dhe shërbëtorëve të Beogradit. Natyrshëm në fillim të viteve 2000 edhe shumë vende evropiane do të pajtoheshin me ardhjen në drejtimin e institucioneve të Kosovës të shumë spiunëve dhe njerëzve të korruptuar. Kjo lidhej me interesin e këtyre shteteve që të krijonin mundësi për kompromis në zgjidhjen e konfliktit midis dy vendeve. Me këtë arsyetim e toleruan edhe SHBA-të, Gjermania dhe Britania këtë fenomen. Ndoshta menduan se mund të ndikonin që shërbëtorët e Beogradit e të Rusisë që të ndërronin padron. Por ishte e kotë. Prandaj u shpik Gjykata e Kosovës në Hagë dhe qelia e saj. Falë kësaj gjykate dhe votës plebishitare të qytetarëve të Kosovës, jemi në një pikë kthese të rëndësishme në përfaqësimin institucional”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, përfaqësuesi serb në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ishte në panik nga Donika Gërvalla.

“Së dyti, është meritë e zotit Kurti dhe zonjës Osmani që në krye të diplomacisë së vendit dhe të institucioneve kryesore të tij solli njerëz patriotë të pakompromis, si Donika Gërvallën. Ajo e shpërqendroi me kërkesën e saj homologun e saj në Beograd, i cili në panik e sipër veçse pohoi dhe dëshmoi faktet e krye diplomates së Kosovës. Nuk ishin mësuar në qeverinë e Serbisë të diskutohej me këtë gjuhë. Ishin mësuar me “lojalitetin“ e Edi Ramës e Hashim Thaçit dhe për pasojë nuk ishin përgatitur që të përgjigjeshin ndaj fjalës së drejtpërdrejtë të ministres së Jashtme të Kosovës”, shprehet Bytyçi.

“Kjo do të thotë se Kosova ka shpresë, sepse ajo përfaqësohet tashmë nga politikanët autentikë të saj, të cilët e njohin mirë gjenocidin serb në Kosovë dhe kanë vuajtur mbi vete pasojat e këtij gjenocidi. Gjithë bota e di se në parlament është një grua që forcat serbe e kanë torturuar marrëzisht dhe se ministrja e Jashtme ka humbur babanë e saj nga dhuna e terrori serb në Kosovë. Por askush nuk mësoi ndonjëherë se si qe e mundur që asnjë familjar i komisarit politik të UÇK-së të mos kishte asnjë dëshmor ose viktimë në luftë. Askush nuk e ka kuptuar ende se si ishte e mundur që u vranë menjëherë pa mëshirë avokatë e politikanë, përfshirë të urtin Fehmi Agani dhe se çfarë ndodhi me Baton Haxhiun të shpallur prej Beogradit si viktimë e ushtrisë së tij. Batoni na u bë si Krishti. Njëherë u vra dhe më pas u ringjall. Duhet së paku të na tregojë ditën e ringjalljes që të shpallim pashkët e Batonit”, shton profesor Bytyçi.

Për fund, profesor Bytyçi deklaron se zgjedhjet e 14 shkurtit, shënojnë kthesë historike për Kosovën.

“Ndërsa politikanët e ardhur në pushtet me zgjedhjet e 14 shkurtit janë të njohur në tërësi për nga aktiviteti dhe pozicionimi që kanë mbajtur. Prandaj dhe ky zëvendësim është historik. Qytetarët e Kosovës më 14 shkurt të këtij viti nuk bënë vetëm ndryshimin politik, nuk hoqën qafe vetëm të korruptuarit, por ndëshkuan të korruptuarit e korruptuar në Beograd e në Serbi. Kjo përbën atë që në historinë e Kosovës do të njihet si kthesë historike e njësuar me ngjarjet më të rëndësishme te historisë së saj”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat