Nxitja e provokimeve të reja dhe alarmi për ndarjen e Kosovës, fat që në krye të shtetit janë Kurti e Osmani

Politika

Nxitja e provokimeve të reja dhe alarmi për ndarjen e Kosovës, fat që në krye të shtetit janë Kurti e Osmani

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 prill 2021 Në ora: 11:58
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Edhe pse çështja e ndryshimit të kufijve në Ballkan u mendua si e mbyllur, një gjë e tillë nuk po del të jetë kështu.

Ditëve të fundit, mediet sidomos në Bosnje e Hercegovinë, kanë raportuar se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, përmes një letre jozyrtare, që supozohet se i është dërguar Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, ka sugjeruar “përmbylljen e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke ndryshuar edhe kufijtë e shteteve”, ku përmendet dhe ndarja e Kosovës, BeH dhe Maqedonisë.

Mirëpo, zëdhënësi i Komisionit Evropian dhe i shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian Peter Stano, deklaroi se zyrtarët e bllokut evropian nuk janë në dijeni të ndonjë dokumenti të dërguar nga kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha, për të cilin kanë raportuar disa media në Ballkan, e që supozohet se flet për ndryshimin e kufijve.

“Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë dokument të tillë dhe nuk mund të komentojmë spekulimet rreth çështjeve të ngritura në media” tha Stano. Sa i përket idesë për ndryshimin e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ai sqaroi se pozicioni i BE-së është i qartë dhe nuk ka çfarë të ndryshohet.

Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë paralajmëruar se Kosova në këtë periudhë duhet të jetë tepër e vëmendshme, karshi zhvillimeve të cilat po ndodhin. Ndërsa, fat i madh po konsiderohet ardhja e Kurtit dhe Osmanit në krye të shtetit të Kosovës, të cilët edhe në të kaluarën janë shprehur haptas kundër çështjes së korrigjimit të kufijve.

Kurse, njohësit e çështjeve juridike nxitjen e këtyre temave po e shohin si një provokim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Tema e këtilla juristët mendojnë se janë në kundërshtim me parimet e BE-së, OKB-së dhe NATO-s.

Hajrullah Tërnava: Ideja e Thaçit-Ramës dhe Haxhiut për korrigjim u bllokua nga Gjermania, Franca dhe Anglia

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, shprehet se situata aktuale në Ballkan është paqartë, andaj, ai mendon se shtetet e fuqishme të botës duhet t’i japin plane përfundimisht kësaj pjese.

“Në situatën politike në të cilën tani gjendet regjioni i Ballkanit, të mëdhenjtë e botës duhen të kenë plane se si të veprohet më tutje me këtë pjesë të Evropës, sepse mu kjo pjesë ka mbetur thuaja e izoluar nga Bashkimi Evropian dhe bota. Shkrimet e përditshme sikur që po shkruhen nga analistë, besa edhe politikanë të ndryshëm e si në këtë rast që kishin shkrua mediet ne Bosnje e Hercegovinës, që kishte raportuar edhe kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, përmes një letre jozyrtare, që supozohet se i është dërguar Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, ka sugjeruar “përmbylljen e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke ndryshuar edhe kufijtë e shteteve”, ku përmendet dhe ndarja e Kosovës, BeH dhe Maqedonisë”, ka thënë Tërnava.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, konsideron se mendimet e tilla sikurse të kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, nuk duhet të na shqetësojnë, pasi që ai mendon se për këto çështje vendosin të “fortit” e botës.

“Propozime apo mendime të politikanëve të ndryshëm qoftë evropian apo të tjerë nuk duhen shumë të na shqetësojnë, sepse për fatin e kufijve të shteteve në fjalë, si ato në Ballkan apo në Bashkimin Evropian, vendosin të fortit e botës, e besa edhe shtete të forta të BE-së sikur që është Gjermania, Anglia, Franca etj, na ndodhi neve që u ballafaquam me atë rrezik, sikur patën me u ndryshu kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë që ishte dëshirë e Hashim Thaçit me ua dhuru Serbisë pjesë të territoreve veriore të Kosovës, duke i ndihmuar Edi Rama me këshilltarët e tyre si Baton Haxhiu, e disa të tjerë, por në këtë raste intervenoi Gjermania me kancelaren Angela Merkel, dhe Anglia me Francën, dhe u ndaluan këto mallverzime”, tha ai.

Eksperti i sigurisë më tej është shprehur se Kosova ka fatin që në krye të shtetit janë njerëzit e shkolluar të pastër e trima, si kryeministri Kurti e presidentja Osmani

“Pas këtyre shkrimeve ka reaguar anëtarja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, e cila ka thënë se kjo ide mund të sjell luftë në Ballkan. Prandaj kjo letër e kryeministrit slloven është një e thënie e paqëndrueshme dhe imituese për shtetet e Ballkanit, sepse kjo gjithsesi sjell luftëra të reja në këto troje. Tani kjo temë e ndërrimeve të kufijve është fshirë nga rendi i ditës sikur e shpjegova me intervenimin e shteteve në fjalë, dhe së shpejti do të fillojnë negociatat e bisedimeve për njohje reciproke mes këtyre dy shteteve Serbi-Kosovë, e për fatin tonë që tani Kosovën e qeverisin si kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, njerëz të pastër, trima, të shkolluar dhe të pakorruptuar, me një të kaluar të pastër, dhe këta do t’i zhvillojnë bisedat të shkurta prioritare që na qojnë deri te kjo njohje reciproke në fjalë”, është shprehur eksperti i sigurisë.

Tërnava ka theksuar e në krejt këto zhvillime, Kosova duhet të jetë e vëmendshme, dhe përmes diplomacisë të konsultohet me miqtë ndërkombëtar; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi mendon se pa lejen e tyre nuk mund të ndodhë asgjë, dhe se për fatin e mirë të Kosovës që në krye të këtij shteti është miku i madh, Joe Biden.

Burjani: Temat e tilla janë provokim i paqes

Image
Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani

Kurse, për dallim nga eksperti i sigurisë, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Sllovenisë nuk i intereson dhe nuk ka kurrfarë interesi për çështje të tilla.

“Së pari nëse zyrtarisht Bashkimi Evropian nuk e ka thënë se Janez Jansha ka dërguar një letër të kësaj natyre, e cila Sllovenisë nuk i intereson edhe aq për të ngrit tema të kësaj natyre dhe nuk ka kurrfarë interesi të saj natyre as si shtet i BE-së, as si shtet i pavarur, pra nuk ka diçka të tillë zyrtarisht për momentin që mund të trajtoj BE-ja”, tha fillimisht Burjani.

Tutje, juristi i njohur është shprehur i bindur se kufijtë do të jenë të njëjtit, kurse, ka potencuar se nuk ka gjasa që të ndodhin zhvillime të tilla, sikurse ka propozuar Janez Jansha.

“Përmbyllja e bisedimeve për Kosovën ende nuk ka ndodhë, e për Bosnjën dhe Hercegovinën as që është në rend të diskutohet, nuk ka gjë prej kësaj teme artificiale, nuk ka ndryshim të kufijve. Kufijtë mbeten ata që ishin pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, pra nuk ka gjasa të kësaj natyre”, shprehet juristi.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike, ka nënvizuar se nxitja e këtyre temave është provokim i paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Çështja e Bosnjës e Hercegovinës është e kryer me kufijtë po sikur çështja e Kosovës , dihen kufijtë pa marr parasysh se Serbisë i konvenojnë këto tema për lojëra me kufijtë e BE-së nuk është asnjëherë e interesuar për këtë temë. Kufijtë janë tash, nuk mund të jenë kufijtë çështje diskutimi, por temë tani është zhvillimi, integrimi në BE. Nxitja e këtyre temave është provokim i paqes dhe stabilitetit, por jo të zgjidhjes, pra paqja nuk duhet të kërcënohet me këto tema është në kundërshtim me parimet e BE-së, OKB-së dhe NATO-s”, tha krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat