“Një stuhi në rritje”, ekspertët ndërkombëtarë komentojnë “përplasjen” e fundit Kosovë-Rusi

Politika

“Një stuhi në rritje”, ekspertët ndërkombëtarë komentojnë “përplasjen” e fundit Kosovë-Rusi

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 18 prill 2021 Në ora: 11:55
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u mbajt të martën

Ekspertët ndërkombëtarë, kanë vlerësuar Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bëri mirë që vazhdoi mbledhjen e së martës, pas përplasjes së Rusisë për flamurin e Kosovës.

Rusia në këtë mbledhje ka kërkuar që Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, të heqë flamurin e Kosovës nga sfondi. Por, kryediplomatja Gërvalla nuk e ndryshoi dhe flamuri i Kosovës qëndroi përsëri pas saj në mjedisin ku ajo qëndronte gjatë mbledhjes.

E përplasjen Kosovë-Rusi, eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, e ka quajtur “stuhi në rritje”.

Image
Daniel Serwer

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se Këshilli i Sigurimit bëri mirë që vazhdoi mbledhjen.

“Stuhi në një ibrik çaji. Ose stuhi në rritje. Të dyja palët janë të kuptueshme: zyrtarët e Kosovës përfaqësojnë shtetin e tyre dhe Rusia nuk e njeh atë. Gjithsesi që Këshilli i Sigurimit të OKB-së bëri gjënë e duhur që vazhdoi mbledhjen”, ka thënë Serwer.

Ndërsa, profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan, ka thënë se një çështje e tillë nuk do të ngritej, nëse mbledhja do të mbahej në selinë e OKB-së, ku përfaqësuesit do të shfaqeshin pa flamujt pas tyre.

Image
Richard Caplan

Sipas profesorit britanik, në video takimet joformale si ai i të martës, rregullat e procedurës së Këshillit nuk zbatohen plotësisht.

“Simbolet padyshim që kanë rëndësi dhe natyrisht, Rusia nuk e njeh Kosovën. Sidoqoftë, vlen të theksohet se Rusia nuk kishte kundërshtuar kur flamuri i Kosovës ishte shfaqur pas përfaqësuesit të saj gjatë seancës së fundit. Gjithashtu, takimet me video të Këshillit të Sigurimit janë joformale dhe rregullat e procedurës së Këshillit nuk zbatohen plotësisht. Normalisht kjo çështje nuk do të ngritej, nëse përfaqësuesit do të ishin në Selinë e OKB-së pa flamujt e tyre kombëtarë që shfaqeshin pas tyre”, ka thënë Caplan për gazetën “Bota sot”.

Kosovës në këtë mbledhje i erdhi mbështetje nga përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, i cili ka thënë se nuk shohin arsye që të kryediplomatja e Kosovës të ndryshojë pamjen prapa saj.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet prapa për të vazhduar prezantimin”, ka thënë përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat