I paralajmëroi Joe Biden në letrën e tij, zbardhen kompromiset e vështira që e presin Kosovën

Politika

I paralajmëroi Joe Biden në letrën e tij, zbardhen kompromiset e vështira që e presin Kosovën

Nga: P.R Më: 21 prill 2021 Në ora: 20:07
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka dërguar letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Ndër tjerash, Biden ka thënë se SHBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të përqendrohej në njohjen reciproke.

Por në letrën e tij, presidenti amerikan ka përmendur edhe atë se Kosovën e presin kompromise të vështira.

“Normalizimi i raporteve me Serbinë është thelbësore për Kosovën për të realizuar në plotni potencialin e saj dhe për integrimin e plotë në institucionet euro-atlantike. E di që gjatë rrugës për arritjen e këtij qëllimi, kërkohet flekisbilitet dhe kompromise të vështira, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë partner i juaji në çdo hap”, ka thënë Joe Biden në letrën e tij drejtuar Vjosa Osmanit.

Por për çfarë kompromisesh e ka fjalën Biden? Lidhur me këtë dhe dialogun Kosovë-Serbi, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se dialogu me Serbinë është prioritet për partnerin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Duket se amerikanët duan ta mbyllin këtë histori me sukses dhe këmbëngulin që qeveria dhe institucionet e Kosovës të angazhohen më shumë në dialogun midis dy vendeve. Dihet se një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë i hap rrugë asaj që presidenti amerikan, Biden, thekson, pra integrimit të Kosovës në institucionet euro-atlantike. Procesi i integrimeve në BE dhe NATO do të hyjë me gjasë në një etapë të re në vitet e afërta. Kosova tashmë është e gatshme ta përgatisë vendin për sfidën e këtyre integrimeve, sepse ndryshimet politike do të bëjnë të mundur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria është ende "delja e zezë" e Ballkanit, por 25 prilli do t'i japë fund këtij imazhi dhe realiteti të hidhur në vendin tonë. Ndryshimi politik që do të ndodhë më në zgjedhjet e së dielës së ardhshme do ta vendosin Shqipërinë në pozita të favorshme për të përshpejtuar këto integrime”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, problemi i vetëm mbetet njohja e shtetësisë së Kosovës.

“Amerikanët duan ta kapërcejnë këtë pengesë. Ndaj bëjnë thirrje për fleksibilitet dhe kompromise të vështira. Por është e ditur se kompromisi që kërkohet nuk ka të bëjë me ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh. Unë besoj se nuk ka të bëjë as me pranimin nga ana e Kosovës e krijimit të një shteti brenda shtetit të Kosovës me atë që quhet Asociacion i Komunave Serbe në Kosovë”, thotë Bytyçi.

Më tej, Bytyçi ka treguar se cilat mund të jenë kompromiset e vështira për Kosovën, gjë të cilën e ka përmendur Biden në letrën dërguar Vjosa Osmanit.

“Ajo çfarë unë i mendoj si kompromise të vështira dhe fleksibilitet për palën e Kosovës, të supozuara në letrën e zotit Biden lidhet me statusin special të Manastirit të Deçanit, me pajtimin dypalësh dhe heqjen dorë nga këmbëngulja për të padit Serbinë për krime lufte kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë, si dhe me gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të respektuar të drejta civile, individuale dhe kolektive të minoriteteve, me theks të minoritetit serb në Kosovë. Sa i përket Manastirit të Deçanit, duhet pranuar se presidenti Biden ka një qasje personale ndaj këtij objekti dhe mbështet kërkesat e popit serb në këtë manastir, me të cilin njihet personalisht. Këtë fakt duhet ta mbajnë parasysh autoritetet e Kosovës. Dhe dua të them se nuk është gjë e mençur që "për një plesht të djegin jorganin"! Pra duke u konfliktuar për diçka të tillë, të humbin mbështetjen e presidentit amerikan. Gjithashtu sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve, tashmë legjislacioni është I plotë. Por edhe nëse duhet të plotësohet diçka që nuk cenon unitarizmin dhe sovranitetin shtetëror, nuk ka pse kjo të mos bëhet”, thekson Bytyçi.

“Me shumë sensibilitet e shoh kërkesën e supozuar për të heq dorë nga një padi e mundshme kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Sepse sapo Kosova të zejë vendin e saj në OKB, asaj i lind e drejta që këtë padi ta dërgojë në Hagë. A do të duhet që pala e Kosovës të heqë dorë nga kjo e drejtë e saj?! Unë mendoj se do të duhen shumë argumente për ta bind SHBA-në dhe BE-në për këtë. Dhe argumentet ekzistojnë. E rëndësishme është që ato të administrohen mirë. Edhe në këtë rast Kosova nuk ka përfitime nga ndonjë konfrontim me amerikanët dhe evropianët. Ata janë shumë sensibël përballë argumenteve. Qeverisja e tyre ka si tipar dallues logjikën dhe racionalen. Ndryshe nuk do të ishin vende demokratike. Dhe duhet ditur se në themel të logjikës dhe racionalitetit qëndron argumenti, fakti, prova, e dhëna”, shprehet më tej profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se qeverisë dhe institucioneve të Kosovës u mbetet t'i parashtrojnë këto në formë bindëse.

“Dhe nëse e bëjnë këtë, nuk do të duhet të hiqet dorë nga e drejta për ndëshkimin dhe dënimin e krimeve serbe në Kosovë. Mbetet edhe një mundësi tjetër në përfundim: Meqenëse Serbia pretendon se "edhe shqiptarët kanë kryer krime kundër serbëve", t'u jepet të dyja vendeve e drejta që të ballafaqohen në Hagë. Jam i bindur se Beogradi nuk mund të provojë në asnjë rrethanë se shqiptarët janë fajtorë për vrasjet e serbëve në Kosovë. Ndërkaq pala shqiptare ka mijëra prova, me të cilat dëshmon se krimet serbe janë kryer në Kosovë me urdhër të qeverisë serbe dhe bazuar në projektet e kësaj qeverie për asgjësimin fizik të shqiptarëve”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat