Si do ta sigurojë Kosova vaksinën anti-Covid? Thirrja për Pacollin e Kelmendin që t’i dalin në ndihmë Qeverisë

Politika

Si do ta sigurojë Kosova vaksinën anti-Covid? Thirrja për Pacollin e Kelmendin që t’i dalin në ndihmë Qeverisë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 prill 2021 Në ora: 08:49
Qeveria e Kosovës

Derisa vendet e rajonit kanë siguruar sasi të mëdha të vaksinave për qytetarët e tyre kundër COVID-19, në Kosovë kjo çështje vazhdon të jetë edhe me tej problematike.

Kriza politike dhe problemet e tjera të cilat po e shoqërojnë vendin, vlerësohen se kanë ndikuar në mossigurimin e vaksinave kundër koronavirusit në Kosovë, gjersa vendet tjera qëndrojnë në avantazh të dukshëm.

Dozat e para dhe të vetmet deri më tani janë ato të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Deri tani, me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona nga 24.000 dozat e para të marra përmes mekanizimit COVAX. Pra, aktualisht Kosova në dispozicion ka vetëm rreth 1.900 doza të vaksinës.

Kush janë shpëtimtarët?

Këtë “ngërç” për sigurimin e vaksinave do të mund ta bënin vetëm miliarderët e Kosovës. Kështu kanë vlerësuar analistët politik, shkruan gazeta “Bota sot”.

Njohësit e çështjeve politike të udhës e shohin që të pasurit në vendin tonë të ndajnë një shumë të mjeteve për Qeverinë e Kosovës, për të shpëtuar qytetarët e Kosovës. Madje, ata konsiderojnë se do ishte turpi i madh po mos ta bënin këtë vepër të madhe humane, shkruan gazeta “Bota sot”.

Mehazi: Rasti mirë që të shpëtojnë qytetarët e Kosovës nga ky grip vdekjeprurës

Lidhur me këtë çështje, profesori i njohur, Sulejman Mehazi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, shprehet se do të ishte gjest i mirë sikur të ndihmohej vendi për të shpëtuar qytetarët nga Covid-19.

Image
Sulejman Mehazi

E, profesori Mehazi deklaron se këtë askush më mirë nuk do ta bënin sikurse të pasurit e vendit tonë, shkruan gazeta “Bota sot”.

Ai është i mendimit se ‘miliarderët’ e kanë rastin ideal ta tregojnë veten se me të vërtetë e duan Kosovën, duke i siguruar kështu vaksinën kundër koronavirusit.

“Nëse duan ta tregojnë veten se me të vërtetë e duan Kosovën ja rasti i mirë i miliarderëve të Kosovës, Pacolli e Kelmendi e të tjerët që të shpëtojnë qytetarët e Kosovës nga ky grip vdekjeprurës i koronavirusit. Nëse Hasan Prishtina ka shkrirë tërë pasurinë përrallore për shqiptarët pse dhe Pacolli e Kelmendi jo të humbin pasurinë, kurrsesi nuk pajtohemi, po t’ia japin një shumë të parave Qeverisë së Kurtit për të siguruar vaksinat anti-kovid. Sa mirë do të ishte sikur të vepronin kështu, t’i ndihmonin Qeverisë së Kosovës për të shpëtuar qytetarët e Kosovës, jo vetëm kaq po emrat e dy miliarderëve, Pacollit e Kelmendit, do shkruheshin me shkronja të arit nga historianët tanë”, ka thënë Mehazi.

Tutje, ai shprehet se nuk do të ishte asgjë sikurse Pacolli e Kelmendi të ndanin një shumë të parave për të siguruar vaksinat anti-kovid.

“Nëse heronjtë e dëshmorët e Kosovës me gjak e jetë kanë mbrojtur tokat shqiptare, pse dhe miliarderët e Kosovës, Pacolli e Kelmendi mos ta mbrojnë popullatën e Kosovës me para nga kjo pandemi e rrezikshme botërore. Asgjë s’është për Pacollin e Kelmendin të japin nga 250.000 euro për të siguruar vaksinat anti-kovid. Jo vetëm kaq, po do ishte turpi madh mos ta bënin këtë vepër të madhe humane”, është shprehur profesori në një prononcim për “Bota sot”.

Mirëpo, profesori i njohur thekson se fatkeqësia këtu qëndron pasi që psikologjia e të pasurve në botë është, të pasurohen sa më shumë vetë duke i zhvatur shtetet e tyre.

“Jemi të sigurt, se, nëse Kryeministri Albin Kurti në këtë muaji të Ramazanit të kërkonte ndihmë nga qytetarët e rëndomtë për të siguruar vaksinat kundër Covidit të gjithë qytetarët do i përgjigjeshin me fitre e zekate, e jo më miliarderët Pacolli e Kelmendi. Për fat të keq psikologjia e pasanikëve në botë është, të pasurohen sa më shumë vetë duke i zhvatur shtetet e tyre”, ka deklaruar profesori, njëherësh njohës i mirë i politikës, Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

E, ndryshe nga profesori Mehazi, mendon analisti Mehmeti.

Mehmeti: Nuk e kanë interesin e qytetarëve

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çështja e sigurimit të vaksinës është nevojë shtetërore, dhe ekzekutivi duhet të bëjë gjithçka në sigurimin e saj.

Image
Faton Mehmeti

“Sigurimi i vaksinave nuk duhet të jetë biznes privat i dikujt, ajo është nevojë shtetërore, dhe shteti duhet të merret me të. Behgjet Pacoli, dhe Ramiz Kelmendi dhe ata ‘bosët’ që janë në një farë mënyrë edhe monopolistët e tregut në vendin tonë, duan të fusin hundët edhe në vaksinë, të cilët e shohin si mundësi për të fituar”, ka thënë analisti Mehmeti.

Me tej, analisti Mehmeti ka nënvizuar se të pasurit në vendin tonë nuk e kanë interesin e qytetarëve, mirëpo sipas tij, të xhepit të tyre, gjersa edhe ka bërë thirrje që këtë nuk duhet ta lejojë qeveria aktuale.

“Pra, Pacolli dhe Kelmendi nuk e kanë interesin e qytetarëve, por të xhepit të tyre, këtë s’duhet ta lejojë qeveria jonë. Kërkuan në botë s’ka ndodh që bizneset të merren me vaksina, dhe as këtu s’duhet të lejohet të ndodh. Në këtë sens, e shoh krejtësisht të paudhë këtë pandemia të përdorët nga disa oligarkë për interesat e tyre”, ka nënvizuar analisti Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë ditë më parë njoftoi se 95 mijë doza të vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian, do t’i jepen Kosovës në periudhën maj-gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat