“Veprim i domosdoshëm për ta ndërprerë lojën e Vuçiçit”, Lepaja përgëzon Kurtin për vendimin

Politika

“Veprim i domosdoshëm për ta ndërprerë lojën e Vuçiçit”, Lepaja përgëzon Kurtin për vendimin

Nga: A.Z Më: 29 prill 2021 Në ora: 14:00
Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin me Serbinë më 11 maj.

Ky takim ishte paralajmëruar nga Josep Borrell, përfaqësues i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë nuk marr pjesë në atë takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Ajo çka mund të konfirmoj është se do të vi në Bruksel për ndonjë drekë ose darkë punë të konfirmuar nga Borrell ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor. Vizita që e kemi këtu dy ditë është në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale, që na nevojiten edhe më shumë marrëdhëniet e tilla të forcuara dhe takimet e tilla të rajonit para se të fillojmë kapitullin e ri të dialogut që duhet të jetë i përgatitur mirë edhe me parime pasi nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”, ka thënë ai.

Image
Fadil Lepaja

Lidhur me këtë në një prononcim për “Bota sot”, analisti Fadil Lepaja, e quan veprim të drejtë, sepse sipas tij, Kosova nuk duhet të jetë aty ku Serbia dikton drejtimin e dialogut.

“Veprim i arsyeshëm, i dinjitetshëm dhe i domosdoshëm për të ndërprerë lojën e Vuçiçit me çështjen e Kosovës dhe trajtimin e saj si çështje të Serbisë. Për dialog duhen dy palë dhe Kosova nuk ka pse shkon në një dialog ku Serbia i dikton rregullat apo limitet dhe drejtimin e dialogut”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka shtuar se të gjithë duhet ta kuptojnë se politikanët e ri të Kosovës nuk mund të shantazhohen, prandaj këtë refuzim Lepaja e konsideron me vetëbesim dhe vullnet mirë.

“Jo vetëm Serbia por edhe BE-ja duhet të kuptojë se politika dhe politikanët e rinj të Kosovës nuk mund të shantazhohen më dhe se duhet të heqin dorë nga çfardo ambicie për rikthim apo diktim në punët e brendshme të Kosovës. Refuzimi i zotit Kurti nuk ka qenë kapricë as mendjemadhësi e tij, por vetëm një veprim i duhur dhe e përgëzoj për qetësinë, vetëbesimin dhe vullnetin e mirë që të bisedojë për fqinjësi të mirë me Serbinë”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat