Euforia e opozitës për vaksinat, ky është qëllimi i sulmeve ndaj Qeverisë dhe dështimi i tyre

Politika

Euforia e opozitës për vaksinat, ky është qëllimi i sulmeve ndaj Qeverisë dhe dështimi i tyre

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 29 prill 2021 Në ora: 17:08
Arben Vitia dhe Albin Kurti

Dy seancat e fundit të Kuvendit pati mjaft përplasje verbale në mes të deputetëve, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Derisa po diskutohej për gjendjen me pandeminë e COVID-19 në vend, deputetët e partive opozitare, të hënën kanë deklaruar se Qeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhimin e saj dhe sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.

Ata e fajësuan qeverinë për mos sigurimin e vaksinave, derisa e kritikuan se kishte prioritet zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe jo shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti, nuk ka prioritet menaxhimin e pandemisë. Ai ka kritikuar edhe administrimin e vaksinave, duke thënë se procesi i imunizimit ka qenë i ngadalshëm.

Ismaili, partia e të cilit ka bërë kërkesën për debatin parlamentar, ka kërkuar që të njofton qytetarët se kur pritet të arrijë kontingjenti i radhës me vaksina kundër COVID-19.

“Qeveria Kurti ka para vetes një detyrë të thjeshtë, që të blejë 2.5 milionë vaksina. Kompanitë e vaksinave u shesin qeverive vaksinat e tyre, në mënyrë që qytetarët t’i marrin falas. Por, mënyrën se si po sillen kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë (Arben Vitia), duket se këta janë duke u munduar të zbulojnë një vaksinë dhe jo ta blejnë. Përgjigje nuk ka as në çështjet esenciale: sa vaksina na nevojiten, kur vijnë vaksinat... e patëm një episod të një vaksinimi tejet të shkurtër, me shumë pak vaksina, fare pak transparencë. Nuk dihet kush është vaksinuar”, tha Ismaili.

Lidhur me këtë kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“E gjithë kjo zhurmë, për të mbuluar dështimet e tyre”

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se qeveria nuk është fajtore për vaksinat, sepse sipas Qarrit, as qeveria e kaluar sa ishte në pushtet nuk kanë dashur që ta furnizonin Kosovën me vaksina.

Image
Gani Qarri

Tutje, ai ka shtuar se tani kanë filluar të alarmohen nga frika e ri-funksionalizimit të shtetit ligjor, sepse bëjnë reagime të çuditshme pas çdo veprimi që bënë Qeverisa e re.

“Kosova as Qeveria e re e saj, nuk janë shpikëset as prodhueset e vaksinave anticovid-19, madje as shtetet që i posedonin këto vaksina dhe kishin mundësi ta ndihmonin Kosovën, derisa ishin në pushtet partitë e inkriminuara, tanimë shihet qartë se nuk deshën as nuk pranuan ta furnizonin Qeverinë kundër kushtetuese me vaksina, derisa nuk u rrëzuan plotësisht nga pushteti dhe qeverisja partitë e kriminalizuara. Ndaj, që në fillim të debaklit në zgjedhje, rënies së tyre nga pushteti dhe ndryshimeve politike në vend, pas mbi 13 vitesh qeverisje të tyre mafioze, kanë filluar të alarmohen aq keq nga frika e ri funksionalizimit të shtetit ligjor, sa që çdo veprim të Qeverisë së re, të legjitimuar nga vota e popullit, edhe po të jetë pafundësisht pozitiv, hidhen në sulme si të dehura dhe bëjnë reagime jo vetëm shumë kontroverse por edhe tërësisht pa lidhje dhe tepër të çuditshme, sa të krijohet përshtypja sikur ke të bësh me politik-bërës fillestar dhe parti krejtësisht amatore”, ka deklaruar Qarri.

Sipas tij, opozita e cila nuk ka siguruar vaksina, tani deklarojnë se Qeveria Kurti ka dështuar me pandeminë, madje Hoti dhe Bajrami kanë keqpërdorur edhe miliona euro nga BE-ja, duke u pasuruar por që tani pritet të merret me këtë edhe prokuroria e shtetit të Kosovës.

“Këtë e dëshmon më së miri edhe marrja hov e sulmeve të tyre të pakontrolluara kundër Qeverisë Kurti, pa të drejtë dhe pa asnjë argument më të vogël, nga strukturat kriminale të ish qeverisjeve të kaluara mafioze. Për aq më tepër, opozita e cila për gati një vit, nuk ka mundur ta siguronte asnjë vaksinë të vetme anti-Covid dhe detyronte qytetarët të kërkonin "shpëtim" edhe në Serbi, tash thotë se kinse Qeveria Kurti ka dështuar me pandeminë, derisa vet nuk ka sjellë kurrë asnjë vaksinë në Kosovë. Madje përkundër faktit se nuk kishte vaksina, Qeveria kundër kushtetuese e kryesuar nga Avdullah Hoti dhe ministrja e financave Hykmete Bajrami, keqpërdorën edhe huan prej më se 100 milionë eurove nga Bashkimi Evropian, për t’i pasuruar edhe më tepër super-pasanikët dhe firmat më fitimprurëse në vend, me qindra mijëra euro “ndihma”, skandal ky, më tepër se i paprecedent, me të cilin së shpejti, pritet të merret deri në imtësi edhe vet prokuroria e shtetit të Kosovës, të cilës partitë opozitare tash ia kanë frikën me të madhe”, ka shtuar ai.

Qarri më tej ka thënë se Qeveria Hoti, në vend se të blinte vaksina si dhe t’iu ndihmonte familjeve në nevojë, iu falën para kompanive të pasura, madje edhe avokatit të Mustafës, këto të cilat të lënë të kuptosh se kjo qeveri ishte  e lidhur me mafio-magnetët e vendit.

“Madje Qeveria Hoti, në vend se me këto para të blinte vaksinat aq të nevojshme, ku vetëm Kosova ende nuk kishte marrë asnjë vaksinë dhe tu ndihmonin atyre që nuk kishin asnjë të ardhur, për të mbijetuar, vet Hoti & Co, u falën para edhe ElKosit, Viva Freshit e kompanive tjera super të pasura, si dhe avokatit të rëndë mbi 15 milionësh të Isa Mustafës etj, gjë që lë të dyshohet publikisht, se Qeveria e kaluar kundërkushtetuese, pas skandalit të vjedhjes së Arkivit të shtetit, kishte marrëveshje edhe me mafio-magnatët e vendit, personat dhe firmat më të fuqishme në Kosovë, për ndarjen me përqindje ,të parave të marra "ndihmë" nga BE, akt i padëgjuar në rajon dhe më gjerë, të cilin sa më parë duhet dhe do të detyrohen ta sqarojnë deri në fund prokuroria dhe gjykatat e Kosovës”, është shprehur Qarri.

Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti, për kaq kohë të shkurtër, ka arritur të sillte mbi 24 mijë doza të vaksinës, ndërsa ish-pushtetarët përpiqen t’i njollosin sukseset e Qeverisë së re, madje edhe duke e akuzuar për këtë.

“Derisa Qeveria Hoti për gati një vit nuk ka mundur të sillte asnjë vaksinë për qytetarët e Kosovës, përkundër trendëve më të larta të infektimit në rajon, tash kur edhe pse Qeveria e re ka filluar punën vetëm para një muaji dhe për këtë kohë kaq të shkurtër arriti të sillte mbi 24 mijë doza të vaksinës, ndërsa së shpejti, siç vërteton edhe vet faktori ndërkombëtar pritet të arrijnë në Kosovë edhe dhjetëra apo qindra mijëra doza tjera të kësaj vaksine, ish pushtetarët e kriminalizuar pa fije turpi, përpiqen t’i njollosin sukseset e Qeverisë së re që në fillim, duke e akuzuar pa pikë turpi, as arsyetime se jo ata, por Qeveria Kurti, nuk paska siguruar vaksina për Kosovën”, ka shtuar ai.

Sipas Qarrit, nga këto zhurma mundohet t’i mbulojnë dështimet e veta, prandaj Qeveria e re duhet të punojë pa pushuar, për të çrrënjosur krimin.

Ai shton se qëllimi tjetër i mungesës së vaksinave ka qenë Qeveria e kaluar, sepse meqë Kosova furnizohet nga vendet mike, me ardhjen në pushtet të Qeverisë së re, kanë filluar menjëherë dërgimin e vaksinave për qytetarët e vendit.

“Pra, krejt kjo zhurmë e pamoralshme dhe arkaike, bëhet vetëm për të mbuluar dështimet e veta, partitë e inkriminuara, të dërguara tashmë nga populli në opozitë. Qeveria e re, në fakt duhet të punojë sa më tepër që të jetë e mundur, për sigurimin e vaksinave, por duke pasur parasysh faktet gjigante të inkriminimit të partive opozitare derisa ato ishin në pushtet, mbi të gjitha, kjo Qeveri nuk duhet të pushojë natë as ditë, për ta çrrënjosur sa më parë krimin e organizuar dhe çlirojë Kosovën nga të korruptuarit dhe kriminelët, të cilët për mbi 21 vite me radhë, janë treguar shumë më të rrezikshëm për vendin dhe popullin e Kosovës se sa vet Covid-19. Tek e fundit Covid-19, është shndërruar në pandemi globale dhe ka përfshirë gjithë botën, kurse vaksinën kundër këtij virusi, nuk e prodhon Kosova as Qeveria e re, por vendet e zhvilluara mike, të cilat me tu rrëzuar partitë e inkriminuara, shkaku i të cilave, nuk dërgonin as vaksina në Kosovë, me të ardhur në pushtet Qeveria e re, kanë filluar menjëherë edhe dërgimin e vaksinave për popullin dhe qytetarët e vendit, që me votën e tyre e goditën mu në kokë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të rrënjosur tash e mbi dy dekada në Kosovë”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.

“Qëllimi i opozitës është të zbeh besimin e qytetarëve ndaj LVV-së”

Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti, ka deklaruar se veprimet e opozitës janë me eufori, ndërsa Qeverisë Kurti duhet t’i jepet kohë, por edhe opozita sipas Ahmetit në politika publiket duhet të ndihmojë qeverinë.

Image
Hidajet Ahmeti

“Mendoj se opozita është duke vepruar me eufori, por po harron që ka qenë pjesë e pushteteve kriminale për njëzetë vite. Bindja qytetare nuk mund të ndryshohet me fraza boshe e pa alternative e, për këtë duhet t’i jepet kohë Qeverisë Kurti, pasi fryma e instaluar në institucione nuk mund të ndryshohet brenda një muaji. Nuk është e opozitës vetëm të sajoj situatë të paqena, por duhet të jetë konstruktive në idetë e politikë bërjes e ta ndihmoj qeverinë në politikat publike”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, opozita është duke u munduar që t’ua zbehë besimin qytetarëve që kanë ndaj Qeverisë Kurti, madje duke e dëmtuar LVV-në edhe në zgjedhjet lokale.

Ahmeti thotë se Qeveria duhet të punojë për vaksinat por edhe për rimëkëmbjen ekonomike.

“Edhe vetë opozitarët janë të vetëdijesuar për kaosin që kanë lënë në institucionet publike, por po mundohen me çdo kusht të dëmtojnë imazhin e Qeverisë Kurti për ta zbehur besimin qytetarë. Krejt këtë “luftë” po e zhvillojnë që ta dëmtojnë Vetëvendosjen në zgjedhjet lokale, por jo se e duan këtë vend kaq shumë, pasi e kanë dëshmuar të kundërtën në qeverisje. Qeveria Kurti duhet të punojë intensivisht në sigurimin e vaksinave anti-covid, pasi është nevojë e kohës që vendi të kthehet në normalitet, por edhe të shikohet shëndeti i ekonomisë së Kosovës dhe të vazhdohet të rimëkëmbet ekonomia”, ka përfunduar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat