Garantimi për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, si duhet të veprojnë Kurti e Osmani

Politika

Garantimi për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, si duhet të veprojnë Kurti e Osmani

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 maj 2021 Në ora: 19:16
Veseli, Thaçi, Selimi, Krasniqi,

Mbrojtja e të akuzuarve të Speciales, ditë më parë kishte bërë kërkesë për lirim të përkohshëm të Hashim Thaçit dhe të tjerëve. 

Mirëpo, Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën për mbrojtje në liri të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve. 

Megjithatë, Specialja, ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ua hapi një rrugë tjetër për të ardhmen. 

Sipas gjyqtarit Kai Ambos, nëse të akuzuarit marrin pëlqimin e një shteti të tretë dhe garantojnë se të akuzuarit do të mbrohen në liri, atëherë ka mundësi që Thaçit dhe të tjerëve t’u pranohet kërkesa për lirim të përkohshëm dhe të mbrohen në liri. 

“Një shtet i tretë që mund të marrë (pranojë) dhe, nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar ose të akuzuar. Shteti mund të paraqes një ofertë të rëndësishme, ndoshta vendimtare brenda kornizës së lirimit me kusht. Ndërsa kjo ofertë ishte tepër e paqartë, siç thuhet me të drejtë në vendim dhe, në çdo rast, do të kërkohej një zotim i shprehur nga shteti i tretë, një ofertë e tillë mund të ishte më e saktë dhe konkrete në rastet e ardhshme dhe, në vijim, logjika i Panelit për këtë vendim mund të jetë një argument i fortë në favor të lirimit me kusht. Sigurisht, vendimi konkret është gjithmonë specifik për secilin rast dhe oferta e Shtetit të Tretë nuk garanton kurrsesi se do të jepet lirimi me kusht. Këtu, përsëri, unë thjesht dua të rris ndërgjegjësimin, domethënë që një ofertë e tillë, nëse bëhet konkretisht dhe mbështetet me garanci, përfshirë nga Shteti i Tretë përkatës, mund të zhvendosë ekuilibrin në favor të lirimit me kusht dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet seriozisht nga Gjyqtari gjykues ose Kolegji kompetent”, thuhet në vendim. 

Me tu publikuar ky vendim i Prokurorisë Speciale, filluan reagime të shumta nga politikanë, analist dhe personalitete të ndryshme në vend. 

Njëri nga ta, ishte ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare, Hisen Berisha  i cili fillimisht deklaroi se pas Kroacisë tani edhe Austria dhe Sllovenia ofrohen garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë.  

Por, Kroacia dhe Austria mohuan sot një gjë të tillë.

Po ashtu, Berisha kritikoi kryeministrin e vendit, Albin Kurti duke thënë se ka dorëzuar shkresë garantuese vetëm për bashkë partiakun e tij që gjendet në Hagë, Rexhep Selimi. 

Zyra për komunikim e Presidentes së Kosovës, ka deklaruar se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

“Nuk ka ende asgjë, sapo të kemi diçka do t’iu lajmërojmë“, tha Bekim Kupina nga zyra për komunikim në presidencë.

Megjithatë, lidhur me këtë temë njohës të çështjeve juridike për gazetën “Bota sot” hodhën poshtë deklaratat se Kurti dhe Osmani kanë refuzuar kërkesën për garancën e lirimit me kusht të të arrestuarve. 

Kjo pasi, sipas tyre në institucionet shtetërore të vendit, nuk ka ardhur ende një kërkesë e llojit të tillë. 

Miftaraj: Është herët për të thënë se Presidentja apo Kryeministri do të dalin garant lidhur me të akuzuarit e Speciales 

Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një prononcim për median u shpreh se ende është herët të flitet se a duhet apo jo të ofrohet garancë nga Presidentja dhe Kryeministri, në lidhje me të akuzuarit, andaj nuk mbetet tjetër, por të presim. 

Image
Ehat Miftaraj

“Në këtë fazë ende është herët për të akuzuar Presidenten apo Kryeministrin nëse do të dalin garant lidhur me të akuzuarit e Gjykatës Speciale. Shkresat dhe komunikimi me Gjykatën Speciale, me të akuzuarit dhe avokatët e tyre është formalitet që nuk realizohet brenda një ditë apo dy. Në këtë rast duhet që opozita por edhe publiku të kenë durim dhe të presin lidhur me qëndrimin e Presidentes dhe Kryeministrit i cili në vazhdim mund të jetë edhe deklarativ në kohën e duhur”, shtoi Miftaraj. 

Tutje, Miftaraj thotë se është pikërisht Kosova që duhet të ofrojë e para garanci në lidhje me kërkesën për lirim nga masa e paraburgimit për ish-eprorët e UCK-së. 

“Të gjithë të akuzuarit në Hagë janë shtetas të Kosovës në radhë të parë, andaj edhe Kosova dhe institucionet e saj janë të parët për nga rëndësia që mund të garantojnë lidhur me kërkesën për lirimin nga masa e paraburgimit. Në bazë të praktikës së GjEDNJ por edhe rregullativës së Gjykatës Speciale, vetëm në rastet kur të akuzuarit shkelin rëndë urdhrat dhe masat e Gjykatës, të njëjtit nuk mund të qëndrojnë në paraburgim më shumë se një vit, andaj pas afërisht 6 muaj që janë në këtë masë të sigurisë, në muajt në vazhdim edhe kërkesa edhe pritjet për gjykim në gjendje të lirë është shumë legjitime dhe e ligjshme. Në bazë të praktikës ndërkombëtare në rastin që i referohet gjykatësi në vendim si vend i tretë, hyjnë të gjitha shtetet përjashto Holandën, që është nikoqir i GjK. Andaj si vend i tretë hyn së pari Kosova por edhe çdo shtet tjetër që mund të garantojë lidhur me akuzuarit e Hagës, por që prapë Kosova është shteti i origjinës së të akuzuarve dhe pritjet legjitime janë që Kosova të jetë vendi i parë që del garant”, ka deklaruar Ehat Miftaraj.

Krasniqi: Nuk ka ardhur asnjë kërkesë në institucionet e shtetit, për garancën që krerët e UÇK-së të mbrohen në liri 

Kurse, avokati i shtetit, Islam Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kritikat në drejtim të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, lidhur me kërkesën për garancën e ish-krerëve të UÇK-së. 

Image
Islam Krasniqi

Fillimisht, Krasniqi potencoi se asnjë kërkesë në lidhje me garancën e të akuzuarve të Speciales, nuk ka ardhur në institucionet e shtetit.  

Gjithashtu, ai u shpreh i bindur se Kurti, Osmani dhe Konjufca do ta nënshkruanin garancën, nëse do e kishin kërkesën. 

“E para, asnjë kërkesë nuk ka ardhur për të në që institucionet e shtetit do të mund të garantojnë që krerët e UÇK-së të mbrohen në liri, sepse pa dyshim dhe pa asnjë hezitim institucionet e vendit do të bëjnë atë, pasi që kjo gjykatë nuk është për t’i njollosur individët por luftën çlirimtare. Unë nuk mund të besoj se z Kurti,  znj. Osmani apo edhe kryetari i Kuvendit z. Konjufca do ta vënë në dyshim garancinë për lirim të përkohshëm që ata të mbrohen në liri”, deklaroi ai. 

Tutje, avokati i shtetit rikujtoi edhe kohën kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestuam nga Specialja.  

Krasniqi përmendi edhe faktin se si të akuzuarit nuk ndërmorën asnjë veprim lidhur me Specialen duke shpresuar në paprekshmërinë e tyre 

“Mos të harrojmë së deri në momentin kur janë arrestuar si të dyshuar s'kanë ndërmarrë asnjë veprim lidhur më këtë Tribunal duke shpresuar në paprekshmërinë e tyre, paharruar të cekim se i kanë detyruar deputetët që edhe  përkundër vullnetit të tyre ta votojnë këtë Tribunal  në të cilin ranë vetëm  me arsyetimin së po shkojmë për ta pastruar Ushtrinë tone Çlirimtare, e si ta pastrojnë kur ajo ishte  si loti”, theksoi ai. 

Në fund, Krasniqi tha së këto deklarata kundër Kurtit dhe Osmanit janë përralla, pasi shteti shqiptar do të garantojë, kur të vjen koha. 

“Çka iu deshtë ky Tribunal z.Thaçi kur Tribunali i Hagës e ka kryer këtë procedurë, gjykatat e UNMIK-ut, Gjykatat (gjyqtarët)e EULEX-IT, që akoma ka nëpër burgje çlirimtarë me akuza false. Presionet publike me deklaratën e z.Berisha se më ka thënë një mik janë përralla asgjë më shumë dhe s'janë për tu komentuar aspak, kur të vjen koha mund të garantoj edhe shteti shqiptar”, përfundoi Islam Krasniqi, përcjell “Bota sot”.

Burjani: Osmani dhe Kurti duhet të angazhohen që Specialja ta kryej punën e saj 

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani  sa i përket garancës për ish-krerët e UÇK-së, tha se kryeministri Kurti e ka më të lehtë ta kuptojë këtë çështje. 

Image
Blerim Burjani

“Kjo çështje më lehtë kuptohet nga Kurti, pasi Kurti ka ndjenja të njëjta politike dhe partiake për te burgosurit, çështja e rivaliteteve politike nuk ka të bëjë me politikën”, deklaroi Burjani për “Bota sot”. 

Në vazhdim, juristi u shpreh se presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti duhet të angazhohen që Specialja ta kryej punën e saj, pavarësisht a vazhdon gjykimi në liri apo në Hagë. 

“Konsideroj se Kurti dhe Osmani duhet të angazhohen për këtë çështje në mënyrë të sinqertë, Tribunali edhe ashtu do ta kryejë punën e vet, pa marrë parasysh se a do të ketë mbrojtje në liri apo do të mbeten në Hagë”, theksoi ai. 

Në fund, Burjani u shpreh se pavarësisht se ka shumë persona që besojnë se Thaçi dhe të tjerët janë të pafajshëm, gjykimi do të vazhdojë deri në një vendim përfundimtar. 

“Pra drejtësia është diçka tjetër, Thaçi, Veseli dhe të tjerët janë të pafajshëm për nga përshtypja në Kosovë të një pjese të madhe të qytetarëve dhe patriotëve por tash procesi ka filluar, gjykimi do të vazhdojë deri në vendim përfundimtar”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat