Ish kryeministri Avdullah Hoti flet për “Bota sot: Kurti i ka të gjitha informatat për dialog

Politika

Ish kryeministri Avdullah Hoti flet për “Bota sot: Kurti i ka të gjitha informatat për dialog

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 8 maj 2021 Në ora: 08:29
Avdullah Hoti

Zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane dhe Dialog, Besnik Blislimi, ditë më parë ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme, ku ka folur për dosjet e dialogut.

Sipas Blislimit, në dosjet e marra nga ish Qeveria e udhëhequr nga ish kryeministri Avdullah Hoti, nuk ka asgjë konkrete.

“Në dokumentin e qeverisë nuk ka asgjë konkrete, përpos asaj që kemi udhëtuar me këtë aeroplan, takimi ka qenë i mirë dhe nuk ka asgjë konkrete. Lajçak na ka ofruar të gjitha dokumentet për dialog”, ka deklaruar Bislimi para Komisionit për Punë të Jashtme.

Një deklaratë të ngjashme e kishte dhënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kohës kur ishte në vizitë në Bruksel.

Ai ka deklaruar se duhet përgatitur për dialog, derisa pati reagime se i janë dorëzuar të gjithë dokumentet për dialog dhe se nuk qëndrojnë deklaratat se ka nevojë për përgatitje.

Hoti: Kurti ka pranuar të gjitha informatat për dialog

Por, këto deklarata të pozitës, i mohon ish kryeministri Avdullah Hoti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumri Abdixhiku.

Ish kryeministri i Kosovës, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur mbi procesin e dialogut në qeverinë paraprake, ku ka thënë se kanë qenë plotësisht e përgatitur.

Hoti në prononcimin për “Bota sot ka thënë se në fillim të mandatit është përgatitur dokumenti “Pozicioni i Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë”, ku janë elaboruar në detaje.

Po ashtu, ish kryeministri ka cekur se cilat janë katër argumentet, duke theksuar se të njëjtat janë prezantuar në Kuvendin e Kosovës, janë diskutuar me shoqërinë civile, dhe janë dorëzuar tek partnerët ndërkombëtarë.

“1. Përhershmëria e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vulosur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, që nënkupton se pavarësia e Kosovës është në pajtim me ligjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht është e pakthyeshme dhe e përhershme.

2. Integriteti territorial i Kosovës është i pa negocueshëm: Kjo përjashton çdo formë të dialogut për shkëmbime territoriale.

3. Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket: Karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe çështje të tjera që sigurojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës si një i tërë nuk mund të jenë pjesë e dialogut.

4. Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, anëtarësimin në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, dhe hapja e rrugës për procesin integrimit euro-atlantik të Kosovës.

Ky dokument është dakorduar në Qeveri, është prezantuar në Kuvendin e Kosovës, është diskutuar me shoqërinë civile, dhe është dorëzuar tek partnerët ndërkombëtarë.

Është mbajtur Samiti i Parisit me Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel, janë zhvilluar vizita në Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve kyçe të BE-së për të siguruar mbështetje për këtë qëndrim të Kosovës, si dhe janë bërë koordinimet e nevojshme me SHBA.

Qeveria e ka themeluar “Këshillin e Ekspertëve për Dialog me Serbinë” dhe ka emëruar Koordinatorin për Dialog. Një numër i ekspertëve me përvojë janë angazhuar në dialog, të mbështetur edhe nga Qeveria Norvegjeze dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Këshilli i Ekspertëve ka përgatitur analizat e nevojshme për secilën temë të dialogut”, ka thënë ai për “Bota sot”.  

Po ashtu, deputeti i LDK-së ka treguar se çfarë është diskutuar në takimet e mbajtura gjatë mandatit të Qeverisë Hoti në Bruksel.  

“Mbi bazën e dokumentin mbi pozicionin e Kosovës dhe analizave të Këshillit të Ekspertëve për dialog ka nisur procesi i dialogut, një proces i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt rezultatit final që është njohja reciproke. Janë mbajtur disa takime në Bruksel në nivel të lartë dhe në nivel të koordinatorëve për dialog.  

Tema e parë e procesit të dialogut ka qenë “të pagjeturit”. Pastaj është diskutuar për tema të tjera përfshirë obligimet financiare (ku hyjnë dëmet e luftës, pensionet, kursimet në banka etj.). Për të gjitha këto tema, Këshilli i Ekspertëve ka përgatitur analizat e nevojshme të cilat janë mbrojtur në takimet në Bruksel.

Dakordime të caktuara janë arritur në dialog. Por, ka vlejtur parimi se nuk ka asnjë dakordim final pa u dakorduar për të gjitha çështjet, para se gjithash për “për njohjen reciproke” si çështje kryesore e marrëveshjes finale”, ka shtuar ai. 

Gjithashtu, Hoti ka theksuar se procesi i dialogut ka qenë plotësisht transparent, duke theksuar se një gjë të tillë e kanë bërë në Kuvendin e Kosovës.

“Procesi i dialogut ka qenë plotësisht transparent. Para dhe pas çdo vizite në Bruksel kam raportuar në Kuvendin e Kosovës. Pata kërkuar themelimin e një komisioni parlamentar të veçantë për mbikëqyrje të dialogut, të cilin do ta kryesonte opozita. Por, ka qenë kërkesë e opozitës së atëhershme që të raportohet drejtpërdrejt në seancë plenare. Kam mbajtur një seri të tryezave me shoqërinë civile, ku kam prezantuar qëndrimet, progresin dhe sfidat në dialog”, ka shpjeguar ai.

Hoti ka treguar se çfarë dokumente i janë dorëzuar Kurtit dorëzimit-pranimit të detyrës.

“Të gjitha dokumentet e dialogut në qeverinë paraprake i janë dorëzuar kryeministrit aktual me rastin e dorëzimit-pranimit të detyrës. Një folder i protokolluar formalisht përmban në veçanti këto dokumente:

- Pozicioni i Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë,

- Raport i detajuar (29 faqe) mbi kronologjinë e të gjitha zhvillimeve lidhur me dialogun (samitet, takimet në Bruksel të nivelit të lartë, takimet e koordinatorëve për dialog, vizitat në Prishtinë të ndërmjetësit për dialog, komunikimi me opozitën, koordinimi me Uashingtonin, vizitat në vendet e Quintit për konsultim lidhur me dialogun, takimet me ambasadorët e Quintit dhe të vendeve të BE-së në Prishtinë lidhur me dialogun, përgatitjet e bëra etj.)

- Të gjitha dokumentet e dakorduara në Bruksel në disa runde të dialogut.

- Dokumentin voluminoz përgatitor për dialog lidhur me obligimet financiare të Serbisë ndaj Kosovës.

- Vendimi i Qeverisë për Këshillin e Ekspertëve për dialog,

- Marrëveshjet me Qeverinë Norvegjeze dhe Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetje për Këshillin e Ekspertëve për dialog”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Hoti rithekson se Kurti i ka të gjitha informatat për zhvillimet në procesin e dialogut, si dhe është i hapur për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës kur ka shërbyer si kryeministër i vendit.

“Kryeministri aktual ka pranuar të gjitha informatat për të gjitha zhvillimet në procesin e dialogut. Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit”, ka deklaruar ish kryeministri Hoti për “Bota sot”.

Mehazi:  Albin Kurti do gjejë gjuhë të përbashkët edhe me LDK-në e Abdixhikun

Ndërkaq, profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratat e ndërsjella të Qeverisë Kurti dhe ish Qeverisë Hoti rreth dosjeve për dialog.

Image
Sulejman Mehazi

“Nëse LDK-ja ka dorëzuar dosjet e dialogut të plotë ashtu si duhet, do ishte shumë mirë për qeverinë e Kurtit që të dinin  edhe detajet e diskutimit, po nëse kanë dorëzuar vetëm oraret e takimeve pa sekretet e bisedimeve atëherë nuk  do ishte mirë nga Abdixhiku e Hoti të reagojnë ndaj qeverisë së Kurtit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai sugjeron që të dy palët, ajo e LDK-së dhe e Qeverisë që të takohen e të merren vesh për këtë dosje dialoguese.

“Do të ishte mirë për Kosovën që të dy palët t'i lënë inatet e të takoheshin, Kurti e zyrtarët e LDK-së, të merreshin vesh sinqerisht për këtë dosje dialoguese të mallkuar që kanë ngulfatur Kosovën. Paralajmërimet e Kurtit duhet të jenë optimiste, vërehet se Kurti për çështjet kruciale të Kosovës nuk do të shkojë më krye më vete sikurse qeveritë e mëparshme, ftesa e ekspertëve dhe e opozitës për dialog me Serbinë na detyron të besojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do gjejë gjuhë të përbashkët edhe me LDK-në e Abdixhikun me rastin dosjeve dialoguese”, ka potencuar Mehazi për “Bota sot”.

Më tej,  profesori duke u mbështetur në deklaratat e Kurtit dhe të Bislimit rreth dosjeve, shprehtë se nëse ato janë të tilla atëherë  e Abdixhiku nuk kanë të drejtë të kritikojnë qeverinë e re.

“Nëse dosjet janë dhënë të gjysmuara e pa detaje nga ana e LDK-së, atëherë Hoti e Abdixhiku nuk kanë të drejtë të kritikojnë qeverinë e re të Kosovës, pasi oraret e dialogut pa pika të rendit të ditës e pa detaje diskutuese janë të kota e të pavlefshme për qeverinë e Kurtit. Dosjet pa përmbajtje të brendshme pa procesverbale diskutuese të LDK-se janë joserioze e të dyshimta, normale, janë të papranueshme për qeverinë e Kurtit”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

Lepaja: Të takohen LDK-ja dhe Qeveria Kurti

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja,  për “Bota sot”, ka thënë se kur bëhet pranim dorëzimi i detyrës përveç kalimit të dokumenteve zyrtare, duhet bërë edhe informimi i çështjeve delikate si është ajo e dialogut me Serbinë.

Image
Fadil Lepaja

“Gjithsesi, kur bëhet pranim dorëzimi i përgjegjësive prej qeverisë së vjetër te e reja, duhet të kalohen jo vetëm dokumentet zyrtare por duhet të informohen qeveritarët e rinj, po të jetë nevoja edhe për detajet e çështjeve delikate si është ajo e dialogut me Serbinë. Nëse nuk bëjnë diçka të tillë, qeveritarët e kaluar lënë përshtypjen se mund të ketë pasur bisedime jashtë autorizimeve të tyre dhe jashtë kushtetutës së vendit”, ka thënë ai për “Bota sot”

Sipas Lepajes, Qeveria Kurti duhet ftuar në takime zyrtare ish udhëheqësit e dialogut.

“Në vend të akuzave dhe kundërakuzave qeveritarët aktual duhet t'i ftojnë në takime zyrtare për tu informuar për çdo gjë me interes për të ardhmen e dialogut”, ka përfunduar Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat