Ish zëvendësministri ‘godet’ krahun e luftës: UÇK-ja themelin e ka nga Jusuf Gërvalla

Politika

Ish zëvendësministri ‘godet’ krahun e luftës: UÇK-ja themelin e ka nga Jusuf Gërvalla

Nga: N.Sh Më: 8 maj 2021 Në ora: 09:36
Jusuf Gërvalla

Në Kosovë, nuk pranohet vlerat e të tjerëve. Kështu po mendon ish zëvendësministri i MPB-së, dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, sikur të pranoheshin këto vlera, atëherë do të ishte dashur të pranohen vlerat e themeleve të UÇK-së, të cilat paraqiten nga Jusuf Gërvalla.

Tutje Tërnava ka mbrojtur fuqishëm ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën.

“Sikur të ishim të vetëdijshëm si popull dhe ti pranonim vlerat edhe të tjerëve që kontribuojnë, atëherë ishte dashur të pranohet se vlerat e themeleve të UÇK-së, paraqiten në fillim me aktivitetin dhe kontributin e rrallë të familjes Gërvalla në krye me Jusuf Gërvallën, që në ato kohëra edhe të ish Jugosllavisë, ishte enigmë dikush të vepronte kundra ati regjimi, dhe si të tillë shërbimet sekrete të atyre kohërave të Jugosllavisë e patën likuidua Jusufin me vëllain e tij Bardhin dhe Kadri Zekën, prandaj Donika do ishte nderë që qysh nga lufta e këndej të ishte në institucionet e shtetit të Kosovës e jo të përbuzet si deri me tani”, thotë ai.

Ai thotë se, fatmirësisht që në këto zgjedhjet e fundit Donika Gërvallën populli e shpërblyen me votë dhe u bë deputete e parlamentit.

Image
Hajrullah Tërnava

“Tani në këtë Qeveri u emërua në krye të Ministrisë së PJ dhe Zëvendës Kryeministër e Qeverisë, një kontribuuese e kamotshme që edhe që jetojke jashtë Kosovës në Gjermani, asnjëherë nuk është ndalur me aktivitetet kombëtare qysh nga vitet e 90 e deri më tani, na kujtohen paraqitjet e saja në TV gjermane e sidomos të pasluftës kur folke për çështjen e Kosovës, dhe ndodhke që në ato paraqitjet televizive gjermane u ballafaqonte me përfaqësuesit dhe prijësit e Serbisë, dhe me fakte e argumente i lejke pa tekst për të këqijat kriminale dhe gjenocidin që ia kanë bërë Kosovës, përfaqësuesit serbë për gjatë luftës, dhe si ngadhënjimtare në ato duele edhe paraqitjet e saja në TV na e përmirësonin imazhin e shqiptarëve të Kosovës edhe të popujt tjerë në Gjermani”, pohon ai.

Tërnava thotë se, është me u habitë me sjelljet e përfaqësuesve-prijësve të LDK-së, ndaj sajë, ku ajo ishte anëtarë e kësaj partie dhe me sjelljet e tyre që ishin të trishtuara ndaj sajë, na kujtohen ato intervenimet dhe ngrehjet zhag të saja nga ana e ruajtësve të rendit në mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm të vitit 2015.

“Atëherë askush nga prijësit nuk u interesonte që ti dilke në krah asaj, por jepnin urdhra edhe ma të rrepta që mos ti lejohet hyrja në sallë, krejt kjo situatë e krijuar në këtë rast na jepte me kuptue se ata prijës të asaj partie ma të vjetër të pluralizmit politik shqiptar të Kosovës që ishte LDK-ja, e në këtë kohë kryetar i sajë ishte Isa Mustafa, që ishte dashur që Donika të shpërblehet me poste të larta për ato kontribute që rrallë kush që i kishte, e duke ia njohur babën e Donikës si kontribut dhënës të madhe për çështjen shqiptare e që edhe gjatë luftës ka pasur luftëtar që kanë qenë të frymëzuar nga veprimtarja e tij patriotike e Jusufit, dhe sikur që dihet se Jusufi është vra si atdhetar nga shërbimet sekrete të Serbisë”, shton ai.

Sipas tij, në krye të LDK-së, atëherë ishte Isa Mustafa, dhe kjo sipas tij moti ka qenë shërbëtor i armiqve tonë.

“Kur dihet karriera e Isa Mustafes në kohën e komunizmit, dhe kujt i ka shërbye ai në ato kohëra, por jo vetëm si anëtar i komunizmit që ka qenë, sepse atëherë shumica e shqiptarëve që punonin duheshin të ishin anëtar të asaj partie të PKJ-së, e që ishte si e vetmja parti, por disa nga ta ishin shërbëtor të ati sistemi në mënyra të ndryshme e sidomos ata që ishin në shërbim të sigurimit shtetëror e që kontribuonin për atë shërbim, dhe të gjithë ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të atyre shërbimeve në ato kohëra, edhe sot janë të detyruar me punua për atë shërbim që tani është i Serbisë, sepse po nuk punuan për atë shërbim serb, ata janë në gjendje ti shantazhojnë për të gjitha të këqijat për të cilat i kanë bërë gjatë gjithë jetës së tyre vendit dhe kombit të tyre, sepse ai shërbim ka fakte dhe argumente si shërbëtor të ati shërbimi që ishin, dhe po u shantazhuan sikur në këtë mënyrë që e shpjegova, për ata shërbëtor do ishte ma e lehtë të bëjnë vetëvrasje se të jetojnë ma”, potencon eksperti i sigurisë.

Prandaj sipas tij, e keqja e kësaj kohe është që ata shërbëtor të shërbimeve sekrete të Serbisë, në kohëra tani të pas luftës janë ende në shërbim të ati shërbimi sekret, dhe tani kur po i shohim sjelljet e dyshimta edhe në poste të larta shtetërore dhe parlament, po na dalin të tillë shumë.

“Vetë reagimet ndaj qëndrimit ligjor të Ministres Donika Gërvalla nga përfaqësuesit e PDK-së, po e konfirmojnë  këtë çka e thash më lartë, populli i Kosovës me vetë faktin që ia dha në mënyrë absolute votën kësaj Qeverie LVV dhe Vjosës, ata si të dëshpëruar deri me qeverisjet e deritanishme, tani po presin që po këta, që deri me tani ishin te pastër dhe në suaza ligjore e në shërbim të popullit, tani te ta i kanë shpresat se do ti luftojnë gjitha të këqijat sikur kanë premtua gjatë zgjedhjeve, dhe me ato të mira që do ia bëjnë vendit, tia kthejnë shpresën dhe dinjitetin e të jetuarit në Kosove qytetarëve të sajë. Edhe këtë Gjykatë Speciale të krijuar nga Parlamenti i Kosovës, e formuan vetë përfaqësuesit e PDK-së në krye me Hashim Thaçin, dhe bënin presion edhe atë me kërcënime ndaj deputetëve tjerë që të krijohet ky gjyq, dhe kush nuk e voton këtë gjyq e konsideronin tradhtar, e vetmja parti që nuk e votoj këtë gjyq ishte LVV, dhe tani bash ata që bërën atë presion për krijimin e këtij gjyqi, tani po bojnë çmos për ta asgjësue këtë gjyq që tani është tepër vonë. Vendimet e marra në parlament për pagesën e avokatëve që duhen ti mbrojnë të akuzuarit, të cilët janë milionerë, është diçka e pakuptimtë sepse të akuzuarit do të përgjigjen për vrasjen e shumë aktivistëve të LDK-se, që i bien se ata qytetar që iu kanë likfidue anëtarët e familjes, duhen me parat e tyre ti paguajnë vrasësit e familjarëve të tyre”, deklaron Tërnava.

Ai tutje shprehet se, pran këtyre fakteve dhe argumenteve, si mund të lejojnë disa nga deputetet e PDK-së, tani ta kërcënojnë Ministren Donika Gërvallën, dhe ta ofendojnë atë me fjalët më të ndyra kur dihet mirë e kaluara e sajë, dhe kontributi i sajë familjar.

“Ka deputet në Parlamentin e Kosovës që nuk kanë qenë të lindur fare në kohën e Jusuf Gërvallës kur ai kontribuonte si askush për çështjen kombëtare dhe si i tillë, u vra në Gjermani. Dhe ma në fund këtë Gjyqin Special a e kanë krjua kryesisht deputete e PDK-së, me seli në Hagë, që dihen me emra kush e ka votua këtë gjyq, pse tani ka nevojë të krijohen dyshime dhe kërcënime të tilla rreth sulmeve që iu bëhen Donika Gërvallës dhe Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, për kinse akuzat ndaj UÇK-së, kur në Hagë janë vetëm disa nga ata të akuzuar si të dyshimtë, që ishin të përfshirë në luftë dhe do të shkojnë edhe disa të tjerë si të dyshuar, gjë që askush nuk po garanton se gjithsesi do të dënohen ata, sepse nëse nuk kanë bërë vepra të dënueshme ata do te lirohen, dhe në të kundërtën edhe nëse dënohen ata, paskan krye ato vepra kriminale për të cilat po dyshon Gjyqi Special, prandaj në të mirën e popullit është e sidomos të atyre që me vite i presin zbardhjet e vrasësve të familjareve të tyre. Kurse njollosja për UÇK-në, do të ishte sikur tu burgoseshin të gjithë luftëtaret-veteranet e luftës pa fakte dhe argumente, por deri nuk është kjo ne pyetje, assesi nuk duhet të përballet UÇK-ja me ato ngarkesa, dhe te gjithë pjesëtarët e sajë duhen të jenë krenar që i kanë takua këtyre njësive luftarake, prandaj pasi të mbaron gjykimi i të dyshuarve, atëherë do shihet qartë se disa në numër të vogël paskan bërë ato vepra kriminale për të cilat duhen të përgjigjen dhe të dënohen, dhe në këtë mënyrë tani do të është e pastruar UÇK-ja në tërësi, dhe vetëm atëherë do të krenohen ata luftëtarë të pastër që i kanë sakrifikua jetërat e tyre për atdheun e tyre të shenjët Kosovën”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat