Shërbimi ushtarak i detyrueshëm, ekspertët e sigurisë flasin për mundësitë dhe sa mund të zgjasë

Politika

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm, ekspertët e sigurisë flasin për mundësitë dhe sa mund të zgjasë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 10 maj 2021 Në ora: 10:49
FSK-ja, foto ilustrim

Gjatë javës së kaluar, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka raportuar para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Gjatë këtij raportimit, ministri Mehaj ka thënë se Kosova nuk ka kapacitet buxhetor për shërbimin ushtarak të detyrueshëm, të paktën në dy vitet e ardhshme.

“Besoj që një plan do të kemi në të ardhmen por së pari merr kohë, siç e dini duhen shumë dikastere të involvuara për të hartuar një plan sa i përket detyrimit ushtarak, sa buxhet duhet për detyrim ushtarak, këtu duhet me të vërtetë edhe më shumë kohë, sepse së pari duhet një plan gjithëpërfshirës, tani duhet kazerma ushtarake, vende për me t’i kryer këto detyra sa i përket obligimit ushtarak, kështu në të ardhmen do ju përgjigjem, por nuk besoj që në këtë vitin e parë e të dytin është e mundur të realizojmë këtë projekt, por në plan qeverisës është”, ka deklaruar Mehaj.

Gjithashtu, ministri Mehaj ka treguar mënyrën se si duhet të forcohet ushtria e Kosovës.

“Sa i përket forcimit ushtarak, ne do të punojmë në drejtimin e vazhdimit të planit për forcimin e regjimenteve si t’i kryejnë detyrat në mbrojtje të territorit të Kosovës, në atë kuptimin të forcohemi ushtarakisht përmes armatimit sa i përket këtyre detyrave për mbrojtjen e territorit të Kosovës”, ka thënë Mehaj.

Ndërkaq, ekspertët kanë komentuar raportin e ministrit Mehaj, veçanërisht për bërjen e ushtrisë obligative. Ata kanë theksuar se sipas kapaciteteve të deritanishme të Kosovës mund të shkojë deri në 20 vite.

Shala: Është e papërballueshme edhe për një periudhë 20 vjeçare

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se shërbimi i detyruar ushtarak model i vjetruar në shumë vende evropiane.

“Në shumë vende të Evropës shërbimi i detyruar ushtarak është model i vjetruar. 21 nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk kanë shërbim të detyruar ushtarak. Në shumë vende të Evropës si dhe në shumicën e vendeve anëtare të aleancës ushtarake transatlantike, NATO-s, shërbimi i detyruar ushtarak ose është hequr fare, ose është ndërprerë. 23 nga 28 vendet anëtare të NATO-s kanë ushtri profesioniste. 21 nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk kanë shërbim të detyruar ushtarak. Suedia e ka ndërprerë shërbimin ushtarak në kohë paqeje në vitin 2010”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka përmendur edhe disa vende të cilat kanë ende shërbim ushtarak të obliguar, duke theksuar se sa zgjatë periudha e shërbimit në këto vende.

“Krahas Turqisë, Gjermania është i vetmi vend i madh i NATO-s, që rekruton të rinjtë për shërbimin ushtarak. Shërbimi i detyruar ushtarak ekziston gjithashtu në Greqi, në Qipro, në Austri, në Norvegji, në Finlandë dhe në Estoni. Pra, detyrimi ushtarak ekziston në Rusi, në Ukrainë, në Bjellorusi, në Maqedoni, në Moldavi, në Serbi dhe në Zvicër. Periudha e shërbimit ushtarak zgjat më shumë me 26 muaj në Qipro ndërsa në Turqi 15 muaj. Ndërsa periudha më e shkurtër e shërbimit ushtarak aplikohet në Danimarkë me katër muaj. Megjithatë në Danimarkë detyrimi për shërbimin ushtarak aplikohet vetëm nëse nuk është i mjaftueshëm numri i atyre që regjistrohen vullnetarisht për të kryer shërbimin ushtarak. Shumë vende evropiane e kanë hequr shërbimin ushtarak pas fundit të Luftës së Ftohtë, si p.sh. Franca, e cila e morri këtë vendim në vitin 2001”, është shprehur ai.

Po ashtu, Shala ka shtuar se ushtritë profesioniste janë më të kushtueshme në krahasim me ushtritë klasike.

Më tej, ai ka theksuar se kjo është e papërballueshme për Kosovën edhe për një periudhë 20 vjeçare.

“Përvoja në përgjithësi është, që ushtritë profesioniste janë më të kushtueshme në krahasim me ushtritë klasike, kur shërbimi është i detyruar. Në shumë vende është e vështirë që të rekrutosh ushtarë vullnetarisht. Shumica e ushtrive janë zvogëluar si ushtri profesioniste. Pra nëse e kalkulojmë një shërbim të detyrueshëm ushtarak në periudhë 3 mujor të tri gjeneratave me numër 10000 ushtarak të cilët duhet t’i sigurohet ushqim në vlerën prej 20 euro në ditë, atëherë kemi shumën vetëm të ushqimit për këtë numër në vlerën prej 200.000 euro ditore e ku nuk është llogaritur: uniforma, arma, municioni, për buxhetin e Kosovës kjo është e papërballueshme edhe për një periudhë 20 vjeçare”, ka deklaruar Drizan Shala për “Bota sot”.

Tërnava: Kosova do të përforcohet për dy vite

Image
Hajrullah Tërnava

Kurse, eksperti i sigurisë dhe ish zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes, Hajrullah Tërnava, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka potencuar se Kosova është shteti i dalë nga lufta, të cilit i është dashur të investohet në shumë fusha.

“Në situatën në të cilën gjendet tani Kosova, si shtet i pavarur dhe me institucionet e saja që duhet të funksionojë në çdo lëmi, që më i përngjan një shtetit të vërtetë funksional, e që kërkohen mjete financiare në përmasa më të mëdha, sepse jemi shtet i dalë nga lufta, që na është dashur të investohet në riparimin e gjitha atyre dëmeve që na i ka shkaktuar Serbia para dhe gjatë luftës, e që në ato investime të deritashme në institucionet e nevojshme sikur i përmenda, u duheshin investime të mëdha, por duke i falënderuar taksapaguesit e Kosovës dhe shteteve mike ndërkombëtare me investimet e tyre që na ndihmuan në mënyra të ndryshme financiare, tani megjithatë jemi këtu ku jemi, me këto institucione që janë të nevojshme të funksionojë shteti si shtet e sidomos nga Ministria e Mbrojtjes që e ka për detyrë mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe institucioneve të saj”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai është shprehur se ushtria e Kosovës mund të krahasohet me ato të vendeve përreth, duke përmendur këto edhe stërvitjet “Defender Europe 21”.

“Sigurinë e Kosovës edhe ma tutje e garantojnë KFOR dhe NATO, edhe që e kemi Ministrinë e Mbrojtjes të FSK, e cila tani dhe në të ardhmen do të funksionojë si ushtri e Kosovës dhe si e tillë ditë e përditë po zhvillohet dhe me stërvitjet e saj. Tani lirisht mund të themi se krahasohet edhe me ushtri të shteteve përreth dhe si e tillë tani po merr pjesë në stërvitjet ushtarake ndërkombëtare që po mbahen në Shqipëri dhe vende tjera. Trupat komanduese të këtij institucioni janë pjesë përbërëse e kësaj ministrie dhe të shkolluar në nivelet më të larta si në vend ashtu edhe në shtetet mike të botës, sepse pa kuadrat të tilla në ushtri edhe kualiteti i ushtrisë nuk do ishte ashtu si duhet”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Më tej, Tërnava e ka komentuar edhe deklaratën e ministrit Mehaj, ku ka thënë se gjatë këtyre dy viteve Kosova do të përforcohet dhe do të investojë në ushtri obligative.

“Tani kur në krye të Mistrisë si Ministër i Mbrojtjes është një epror profesionist i shkolluar Armend Mehaj dhe sikur që ka deklaruar se në dy vitet e ardhshme Kosova nuk ka kapacitete buxhetore për shërbim ushtarak të detyrueshëm, të paktën për dy vitet e ardhshme, e që në perspektivë edhe Kosova do të përforcohet si me investimet nga jashtë, ashtu edhe sikur që planifikohet se do të ndodhin njohjet reciproke mes Serbisë dhe Kosovës dhe më këtë do të rriten investimet në vendin tonë, e sidomos nëse së shpejti parashihet që do të lëvizim dhe do të anëtarësohemi në NATO, aty ku e kemi edhe vendin me miqtë tonë të cilët edhe bërën çmos dhe na ndihmuan që të çlirohemi, prandaj në perspektivën jo të lartë, pritet që ta kemi një ushtri të tillë të kohës e cila do të është në mbrojtje të shtetit të saj, qoftë me ushtri të detyrueshme apo të tillë që të mbetet në shërbimin e popullit dhe nënkuptohet se me zhvillimin e saj do të investojë në ushtri obligative dhe moderne që i përgjigjet kohës por gjithnjë në bashkëpunim edhe me shtetet mike të cilat po na qëndrojnë edhe tani pran e ato janë shtetet e NATO-se”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Halimi: Në planin afatgjate obligimi ushtarak është i mirëseardhur

Image
Armend Halimi

Ndërkaq, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), për “Bota sot” ka thënë se rritja e kapaciteteve ushtarake duhet shkuar konform mundësive buxhetore vetanake.

“Sigurisht investimi në siguri, përkatësisht mbrojtje ka sfidat e veta financiare. Edhe vendet më të zhvilluara e ndiejnë këtë barrë. Ushtria ka kosto përveç burimeve njerëzore edhe në aspektin logjistik e zhvillimor, ngase çdo vend me aspirata për integrim ne NATO, ka për detyrë të ndjek standardet e veta prej saj për modernizim të ushtrisë. Vendi ynë përveç se është në fillet e para të kësaj fushe, e që ka një periudhë tranzitore që ka kosto, sigurisht që shtimi i numrit të ushtareve rrit akoma koston. Mirëpo, edhe pse realisht nuk kane munguar përkrahjet në aspektin teknik nga vendet mike në konsolidimin e ushtrisë, megjithatë mbarëvajtja e saj nuk duhet të lihet në mëshirën e donacioneve, andaj rritja e kapaciteteve ushtarake duhet shkuar konform mundësive buxhetore vetanake”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Halimi ka deklaruar se në planin afatgjatë obligimi ushtarak është i mirëseardhur, por duke pasur një bazament të vetin.

“Ndërsa sa i përket asaj se ka nevojë Kosova të ketë ushtrinë e saj me karakter obligativ, edhe pse dy arsye ndoshta në planin afatshkurtër e bëjnë të mos jetë me urgjencë një gjë e tillë, p.sh përveç arsyes buxhetore, është edhe fakti tjetër që për sigurinë e sovranitetit fatmirësisht garantues është aleanca më e madhe ushtarake në botë NATO, por që në planin afatgjatë obligimi ushtarak është i mirëseardhur, sepse një gjë e tillë disiplinon të rinjtë e vendit dhe normal që siguria e shtetit nuk duhet të jetë përherë e lënë në fatin e të tjerëve, por duke pasur një bazament të vetin. E që mendoj deri atëherë kur krijohen kushtet për rritje, ushtria e Kosovës duhet shfrytëzuar fazën tranzitore në zhvillimin dhe ngritjen profesionale, sidomos nivelit menaxherial”, ka përfunduar Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat