PSD e pafuqishme të ndikojë në imazhin e Qeverisë Kurti, opozita në gjumë të thellë

Politika

PSD e pafuqishme të ndikojë në imazhin e Qeverisë Kurti, opozita në gjumë të thellë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 maj 2021 Në ora: 11:07
Kuvendi i Kosovës

Përderisa po bëhen 50 ditë prej kur Kuvendi i Kosovës me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, zgjodhi qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, opozita aktuale në vend po del të jetë inekzistente.

Partia Socialdemokrate deri më tani po konsiderohet si opozita e vetme në vend, e cila përmes aksioneve simbolike ka për synim që të kundërshtojë politikën e qeverisë aktuale.

Kjo parti së fundi ka mbajtur një aktivitet në oborrin e objektit të Qeverisë. Zyrtarë të kësaj partie kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të objektit të Qeverisë si dhe kanë vendosur mbishkrime “Gjakderdhje financiare”, ku si pasojë e këtij aksioni pati edhe të arrestuar nga ky subjekt politik.

Mirëpo, përkundër këtyre organizimeve, njohësit e fushës janë të mendimit se Partia Socialdemokrate nuk e ka peshën e as fuqinë politike që të ndryshojë rrjedhat dhe të ndikojë në imazhin e Qeverisë së Albin Kurtit.

Halili: Nuk e ka fuqinë që të ndikoj në imazhin e Qeverisë Kurti

Image
Anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili

Analisti dhe njëherësh anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, është shprehur se partia e Dardan Molliqajt nuk e ka as peshën dhe fuqinë politike që të ndryshojë rrjedhat si dhe të ndikojë në imazhin e Qeverisë Kurti.

“Edhe vëllezërit e një shtëpie për sa janë me një kulm hanë me një lugë. Jo nuk duhet të hamendemi e të krijomë iluzione edhe vëllezërit e një shtëpie për sa një kohë janë me një kulm apo bashkësi familjare hanë me një lugë dhe e ndihmojnë e punojnë për njëri-tjetrin, për t’i çuar proceset përpara, në momentin që i ndajnë interesat fillojnë t’i shpërfaqin pakënaqësitë dhe kritikat për të cilat deri dje ishin të panjohura. Mirëpo, në këtë rast Partia Socialdemokrate mendoj se nuk e ka peshën e as fuqinë politike që të ndryshojë rrjedhat dhe të ndikojë në imazhin e Qeverisë Kurti”, ka thënë fillimisht analisti Halili.

Halili është i mendimit se çdo përpjekje e Partisë Socialdemokrate për t’u marrë me kritika e akuza ndaj qeverisë së Albin Kurtit është “no sens”.

“Lëvizja Vetëvendosje tani është fuqi numër një politike në vend dhe subjekti politik më i votuari që ka marrë besimin nga vota e lirë e demokratike e qytetarëve të Republikës së Kosovës, andaj çdo përpjekje e PSD-së për t’u marrë me kritika e akuza ndaj qeverisë aktuale është “no sens” dhe pa një ndikim e peshë politike, andaj do të ishte shumë më mirë e në interes të PSD-së që të merret me veten se sa me të tjerët”, shprehet me tej ai.

Profesori Halili rithekson se kjo parti në këtë kohë nuk ka as peshën e as luksin që të merret me akuza e kritika ndaj ekzekutivit aktual.

“Partia Socialdemokrate për momentin dhe kohën nuk e ka as peshën e as luksin të merret me akuza e kritika ndaj, qeverisë aktuale, ku barometri më i mirë për fuqinë e një subjekti politikë është vota e cila të jep fuqi apo ndëshkim. Në këtë rast PSD-ja është ndëshkuar me votën e lirë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj ajo më mirë do të ishte të merret me punët e saj, rreth riorganizimit dhe riformatimit të PSD-së, që të rikthej besimin e humbur te qytetarët e vendit, e cila do të ishte terapie më mirë dhe afatgjate”, ka thënë

Burjani: PSD-ja është shkollë e VV-së

Image
Juristi Blerim Burjani

Kurse, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se zanafilla e Partisë Socialdemokrate ishte në Lëvizjen Vetëvendosje dhe se partia e Molliqajt momentalisht është duke e luajtur rolin e dikurshëm të VV-së.

“Po, zanafilla e tyre ishte në Lëvizjen Vetëvendosje. Pas ndarjes me Lëvizjen Vetëvendosje, tash ka mbetur sensi i kundërshtimit. Tash ata si Partia Socialdemokrate po luajnë rolin e Vetëvendosjes së dikurshme. Opozita ka, por PSD-ja me pak njerëz po dëshiron të mos e lerë Vetëvendosjen të qetë në qeverisje. PSD-ja është shkollë e VV-së e kundërshtimit, por jo ndonjë alternative më e mirë se ata”, ka thënë juristi Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Krejt në fund, juristi Burjani ka nënvizuar se as Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk është alternativë, por sipas tij, është veçse një urë kalimtare.

“Pra, Kosova nuk ka alternativë për momentin. As Lëvizja Vetëvendosje aktuale nuk është alternativë, por është vetëm urë kalimtare për një kompozicion të ri të skenës politike”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat