Para rifillimit të dialogut me Serbinë/ Vjen paralajmërimi për Albin Kurtin: Ja çfarë po planifikojnë Borell e Lajçak!

Politika

Para rifillimit të dialogut me Serbinë/ Vjen paralajmërimi për Albin Kurtin: Ja çfarë po planifikojnë Borell e Lajçak!

Nga: A.Morina Më: 23 maj 2021 Në ora: 12:59
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Tema e dështimit të liberalizimit të vizave, ka rifilluar sërish, kjo në prag në dialogut Kosovë-Serbi.

Partitë opozitare, të cilat kanë qenë në pushtet gjatë 20 viteve të kaluara kanë filluar ta akuzojnë Qeverinë Kurti, për izolimin e qytetarëve të Kosovës, shkruan “Bota sot”.

Ndonëse, disa herë në vitet e kaluara ish-pushtetarët kishin deklaruar e festuar se Kosova ka fituar liberalizimin e vizave, ende pa u zyrtarizuar kjo gjë.

Mirëpo, sipas profesorit Muhamet Kelmendi Qeveria Kurti nuk ka përgjegjësi për mos liberalizimin e vizave, pasi Kosova i ka plotësuar kushtet shumë më mirë se të gjitha Republikat tjera të Ballkanit Perëndimor që e kanë liberalizimin e vizave.

ImageProfesori Muhamet Kelmendi

“Çështja e liberalizimit të vizave nuk rrjedhë nga mos përmbushja e kërkesave të paraqitura për liberalizim.

Si qeveritë e kaluara, ashtu edhe kjo, fare nuk kanë përgjegjësi për mos liberalizimin e vizave ndaj Kosovës. Të gjitha kushtet i ka plotësuar Republika. Madje shumë më mirë se të gjitha Republikat tjera të Ballkanit Perëndimor që e kanë liberalizimin e vizave”, deklaroi ai.

Kelmendi potencoi se vonesa për liberalizimin e vizave lidhet direkt me dialogun Kosovë-Serbi, dhe jo me çështjet e brendshme, siç janë krimi, korrupsioni, vija kufitare me Malin e Zi.

Madje, ai paralajmëroi se nëse ndërpritet dialogu, nuk do të ketë liberalizim të vizave edhe për një kohë të gjatë.

“Fakti i mos liberalizimit nuk lidhet me asnjë çështjet e brendshme, nuk është as krimi dhe as korrupsioni, nuk ishte as vija kufitare me Malin e Zi, fakti i mos liberalizimit lidhet drejtpërdrejtë me dialogun Kosovë-Serbi. Këtu është baza kryesore e mos liberalizimit të vizave dhe këtu lypset dhe qëndron shkaku kryesor i mos liberalizimit.

Tash po vazhdon dialogu me shtetin kriminal serb, nga ky dialogë do të varet liberalizimi. Nëse shkon dialogu në rrugën e UE vjen edhe liberalizimi. Dhe anasjelltas, nëse ngadalësohet ose ndërpritet dialogu nuk ka as liberalizim të vizave edhe një kohë. Sa nuk dihet!”, theksoi ai.

Tutje, profesori kërkoi nga përfaqësuesit e shtetit që në dialogun Kosovë-Serbi, të mbrojnë organizimin e brendshëm dhe të mos bëjnë kompromisenë dëm të vendit.

“Mirëpo, Kosova në dialog nuk shkon për liberalizim të vizave, në dialogim duhet mbrojtur Republikën e organizimin e saj të brendshëm. Asnjë kompromis nuk duhet bërë ku dëmtohet organizimi i pushtetit brenda vendit, kuptohet se tërësia territoriale është e paprekshme.

Për mua nuk ka Kosovë pa Ujman, Mitrovicë dhe Trepçë, në çfarëdo transaksioni politik me territor këto tri qendra janë të paprekshme. Në dialog Kosova i ka përcaktimet e veta, është gjetja e të zhdukurve, përgjegjësia penale e krimit gjenodicial serb, dëmshpërblimi dhe rikthimi i mjeteve financiare të grabitura në Kosovë. Këtu duhet përmendur edhe njohjen reciproke, nuk ka asnjë temë për dialogim jashtë këtyre çështjeve”, nënvizoi Kelmendi.

Në fund, për dallim nga Qeveria e Kosovës, profesori tha se përfaqësuesit e Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak dhe Josep Borell kanë baza të dialogut, asociacionin serb dhe shkëmbimin e territoreve.

Kështu që, Kelmendi nuk e mohoi mundësinë e dështimit të dialogut.

“Këtej nuk ka shumë besim se do kemi liberalizim, përfaqësuesit e UE si Borell dhe Lajçak janë të mendimit tjetër.

Ata kanë dy baza: asociacionin serb dhe marrëveshjen për shkëmbim të territoreve. Temat tjera të cilat i ka Kosova nuk janë tema të tyre. Është vështirë që mbi atë bazë të ketë dialogim të suksesshëm. Këtu është edhe baza kryesore e liberalizimit, prej këtyre varet dialogu dhe liberalizimi”, përfundoi Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat