Nga VV flasin për refuzimin e ftesës së Kurtit nga PDK, analistët tregojnë dy arsyet e veprimit të Hoxhajt

Politika

Nga VV flasin për refuzimin e ftesës së Kurtit nga PDK, analistët tregojnë dy arsyet e veprimit të Hoxhajt

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 23 maj 2021 Në ora: 16:28
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albion Kurti i ka dërguar ftesë liderëve të partive politikë që të takohen e të diskutojnë për dialogun.

“Takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës”, njofton zyra e kryeministrit të vendit..

Këtë ftesë të Kurtit e ka refuzuar Partia Demokratike e Kosovës, e cila për momenti po udhëhiqet nga ushtrues i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj.

Mirëpo, këtë ftesë të Kurtit e kanë pranuar dy partitë tjera, ajo e Lidhjes Demokratike te Kosovës, e cila ka për kryetar, Lumir Abdixhikun dhe ajo e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Diskutimin me partitë politike për çështjen e dialogut të Kosovës me Serbinë, kryeministri Kurti, e pati paralajmëruar gjatë vizitave në Bruksel.

Flasin nga VV për ftesën e Kurtit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ftesës për debat rreth dialogut duhet t'i përgjigjen të gjithë të ftuarit dhe në debat t'i shprehin mendimet rreth dialogut.

Image
Milazim Salijaj

“Nuk mund ta di se a ka "inate politike" tek vendimi i Hoxhajt, ndoshta kishte qenë mirë të pyetej vetë Hoxhaj, por mendoj që ftesës për debat rreth dialogut duhet t'i përgjigjen të gjithë të ftuarit dhe në debat t'i shprehin mendimet rreth dialogut. Z.Kurti që në fillim i ka njoftuar që për dialogun duhet të jeni pjesë e kontributit, si opozitë që jeni me ide dhe mendime konstruktive”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Mehazi: E mirëpret vendimin e LDK-së dhe AAK-së, PDK e dirigjuar

Ndërkaq, profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, është shprehur se pranimi i ftesës nga LDK-ja e AAK-ja tregon interesin shtetëror e kanë vërë mbi atë partiak.

Image
Sulejman Mehazi

“Nëse ftesën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për dialogun me Serbinë e kanë pranuar Abdixhiku e Haradinaj atëherë janë për t'u lavdëruar, kjo tregon se LDK-ja e AAK-ja interesin shtetëror e kanë vënë mbi atë partiak. Në anën tjetër vetëm PDK-ja e Hoxhajt ka refuzuar ftesën e takimit me Albin Kurtin, e cila është bërë dele e ndarë nga tufa e partive politike në Kosovë, e kur delet ndahen nga tufa i ha ujku ashtu si dëshiron Serbia”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Mehazi shpjegon se çfarë do të thotë mos pranimi i ftesës së Kurtit nga ana e PDK-së.

“Vërehet qartë se Hoxhaj e PDK-ja nuk mund të jetojë pa pushtet, aq janë egërsuar e të pa logjikshëm sa që çdo propozim, veprim e ftesë e Albin Kurtit është e prapshtë për ata edhe nëse bëhet fjalë për dialogun me Serbinë. Se për Hoxhajn vetëm PDK-ja ka të drejtë e të gjitha partitë tjera në pushtet e në opozitë janë fajtor pse janë bashkuar për t'u përgatitur sa më mirë kundër Serbisë që jo se nuk e njeh Kosovën, por kërkon edhe territore brenda Kosovës”, ka potencuar Mehazi.

Gjithashtu, profesori tregon se e kujt mund të ketë ideja për mos pranimin e ftesës nga Hoxhaj.

“Ideja e Hoxhajt për mos u takua me Albin Kurtin s'është e tij, por e dirigjuar nga Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiqi për shkëmbime territoresh dhe se kryetari i përkohshëm i PDK-së, Hoxhaj, është vetëm zëdhënës i tyre. Nëse partitë tjera kryesore të opozitës LDK e AAK kanë pranuar ftesën e Kurtit, vetëm PDK-ja jo, kjo tregon se partitë e Kosovës në pushtet e në opozitë e duan Kosovën e do takohen tog për të mbrojtur Kosovën gjatë dialogut me Serbinë, përveç PDK-së që është kundër këtij takimi për të plotësuar dëshirat e Thaçit në Hagë dhe Vuçiqit të Serbisë”, ka deklaruar për “Bota sot”.

Lepaja: Këto janë dy arsyet e refuzimit të ftesës nga PDK-ja

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, për “Bota sot” ka përmendur dy arsye të mundshme të refuzimit të ftesës nga ana e PDK-së.

Po ashtu, ai ka treguar se çfarë do të thotë nëse PDK do të futej në dialog mbi parimet e qeverisë Kurti.

Image
Fadil Lepaja

“Janë dy arsye të refuzimit, besoj. Njëra është se PDK ishte, me z. Thaçi ithtare e ndryshimit të kufijve dhe dy që ajo deri tash përmes ish presidentit mban përgjegjësinë për "rezultatet" e dialogut të deritashëm. Shkuarja pa kushte e z. Hoxhaj do të kishte kuptimin se ai po shkëputet nga e kaluara dhe po pajtohet me vlerësimet e z. Kurti për dialogun e deritashëm. Nëse edhe PDK futet në dialog mbi parimet e qeverisë Kurti 2, do të ishte shkëputje e plotë nga z. Thaçi dhe e kaluara politike e PDK”, ka përfunduar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat