“Nuk është në dorën e Albin Kurtit”/Përfitimi i Kosovës nga përfshirja e SHBA-ve në dialog, ky është rreziku nga Serbia

Politika

“Nuk është në dorën e Albin Kurtit”/Përfitimi i Kosovës nga përfshirja e SHBA-ve në dialog, ky është rreziku nga Serbia

Nga: G.B Më: 28 maj 2021 Në ora: 11:20
Kryeministri Albin Kurti

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi, ka kohë që është kërkuar.

Pavarësisht përfshirjes indirekte të Amerikës, është kërkuar një përfaqësues për zgjidhjen e këtij konflikti disavjeçar, për të cilin BE është kritikuar se ka dështuar ta zgjidh.

Tani, pasi një pauze mjaft të gjatë të bisedimeve mes të dyja shteteve, dialogu do të rifillojë nga mesi i muajit të ardhshëm.

Në qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të ulen në tavolinën e bisedimeve në Bruksel. Synimet janë që këtë herë dialogu të përmbyllet me njohje reciproke, për çka presidenti serb vazhdimisht ka thënë se nuk do ta bëjë dhe se askush nuk mund t’i bëjë presion.

Njohja i ishte kërkuar edhe nga SHBA, nga vet presidenti Joe Biden, në një letër që i kishte shkruar, pasi kohë pas marrjes së detyrës si president.

Së fundmi, LDK dhe AAK kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të bëjë kërkesë për një përfaqësues të SHBA-ve në dialogun me Serbinë.

Por, sa janë mundësitë që të ketë një përfaqësues të SHBA-ve në dialog, sa do ta ndihmonte kjo Kosovën derisa BE nuk e njeh atë dhe a do të mund të kërkonte edhe Serbia një përfaqësues të ndonjë shteti mik si Rusia apo Franca? Për këto, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi.

Derisa Abdixhiku dhe Haradinaj janë takuar me Kurtin, Hoxhaj ka refuzuar ftesën, derisa sipas Bytyçit kjo është diktuar nga liderët e partisë që gjenden në Hagë dhe për çka thotë është lajm i keq sepse Kosova duhet të jetë bashkë për interesat e vendit.

“Kryeministri Albin Kurti si kryesues i delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë ka thirrur në dialog partitë opozitare. Ai është takuar me kreun e Lidhjes Demokratike. Lumir Abdixhiku dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj. Këta të dy i kanë dhënë mbështetje dialogut. Ndërsa kryetari në detyrë i Partisë Domkratike, Enver Hoxhaj, nuk ka pranuar të bisedojë me kryeministrin për pikëpamjet e tij e të partisë që ai drejton sa i përket këtij procesi. Kam përshtypjen se vendimi i zotit Hoxhaj për të mos biseduar me kryeministrin, është diktuar nga liderët politikë të kësaj partie të ndodhur tashmë në Hagë. Dhe ky është një lajm i keq. Sepse Hashimi duket se po e drejton PDK-në e nëpërmjet saj edhe politikën opozitare të saj në Kosovë. Është lajm I keq, sepse qeveria, grupi negociator, Kosova do të ketë një zë kundër në vendimmarrjen për t'i dhënë fund konfliktit me Serbinë, gjithnjë në mënyrë të drejtë dhe bazuar në interesat e popullit të Kosovës”, është shprehur ai.

Ai përmend të drejtat e liderëve të LDK-së dhe AAK-së në kërkesat e tyre për qeverinë, lidhur me dialogun.

“Por Abdixhiku dhe Haradinaj çfarë të drejtash kanë? Kanë të drejtë të shtrojnë opsionet e tyre për dialogun dhe finishin e këtij dialogu, pra për marrëveshjen përfundimtare që duhet e do të nënshkruhet. Kanë të drejtë që të dakordohen me parimet themelore të këtij dialogu. Kanë të drejtë të kërkojnë të informohen për çdo proces dhe hap që hidhet në bisedimet e Kosovës me Serbinë. Për pasojë kanë të drejtë edhe të kenë përfaqësuesin e tyre si pjesë e këtij dialogu, edhe si përçues të ideve dhe pikëpamjeve të opozitës, edhe si garanci për të ditur se çfarë bisedohet dhe çfarë ndodh me grupin negociator. Janë këto mekanizma që e bëjnë dialogun me Serbinë transparent dhe të besueshëm. Mos harrojmë se pikërisht për diskretizëm e jo transparencë ishte kritikuar ashpër Hashim Thaçi”, ka thënë profesori.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Sipas tij, duhet të ketë përfaqësues të këtyre dy partive në dialog, derisa është dhe Blerim Shala, i cili është në njëfarë mënyre përfaqësues i Hashim Thaçit.

“Gjykuar në këtë prizëm mendoj se prania e përfaqësuesve të LDK-së dhe AAK-së në delegacionin e Kosovës është një kërkesë legjitime e racionale. Është një garanci më shumë për drejtësi në vendimmarrje dhe për legjitimitet të kësaj vendimmarrjeje. Derisa zoti Kurti ka përfshirë në një farë mënyre përfaqësues të Hashim Thaçit në dialog, si Blerim Shalën, atëherë pse nuk u dashka të përfshijë përfaqësues të opozitës konstruktive, të LDK-së dhe AAK-së? Ndërsa këto dy parti duhet që të dërgojnë në këtë delegacion ekspertë dhe politikanë të devotshëm e me integritet. Dhe nuk besoj se zoti Abdixhiku mund ta dërgojë në këtë grup p.sh beniaminin e Hashimit, Skënder Hysenin, apo dikë tjetër të formatit të tij”, ka vlerësuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Sa i përket kërkesës së opozitës për përfshirjen amerikane në dialog, profesori ka shtuar se do të ishte në dobi të Kosovës.

“Opozita ka bërë gjithashtu kërkesë që qeveria dhe zoti Kurti të kushtëzojnë dialogun me pjesëmarrjen e palës amerikane. Në parim kjo kërkesë jo vetëm është e mirëpritur nga ana e opinionit publik, por do të ishte në dobi të Kosovës që në dialog të përfshiheshin SHBA-të. Administrata Trump u përfshi në këtë dialog, por sipas një gazete të New Yorkut, "Bloomberg", asokohe ishte fjala për një agjendë tjetër. Kishte një tentativë që rajoni i Evropës Juglindore të ndahej në dy zona influence, atë të SHBA-ve dhe të Rusisë. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja pse Serbia nuk kërkoi asokohe përfshirjen e Rusisë në dialog. Qëllimi i të dy palëve duket se ka qenë largimi i Bashkimit Evropian nga prania në këtë rajon. Prandaj dhe Gjermania veproi fort dhe reagoi ashpër ndaj projektit të ndarjes së Kosovës”, ka theksuar ai.

Bytyçi ka thënë se prezenca direkte e Amerikës tani është vështirë e realizueshme, pasi edhe Serbia do të kërkonte që ta ketë praninë e palës ruse.

“Në kushtet e krijuara pas ardhjes së zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë është vështirë të realizohet prezenca direkte e përfaqësimit amerikan në dialog. Nëse Rusia do të lihej jashtë vendimmarrjes dhe interesat e saj do të dëmtohen, ajo nuk do të pranojë që SHBA-të të jenë prezent në bisedimet për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës e Serbisë. Do ta nxitë Beogradin, që qeveria serbe të kërkojë edhe praninë e palës ruse. Kësisoj dua të them se dakordësia për të autorizuar BE-në për ndërmjetësimin e dialogut është një veprim strategjik dhe taktik i mirëmenduar”, ka potencuar profesori.

Mirëpo, ai thotë se delegacioni i Kosovës duhet të mbajë kontakte dhe të kërkojë këshilla nga administrata dhe diplomacia amerikane, derisa shton se BE konsultohet edhe me SHBA-të për vendimmarrje.

“Por delegacioni i Kosovës, edhe nëse SHBA-të nuk do jenë prezent si palë ndërmjetësuese, duhet të mbajë kontakte të vazhdueshme me administratën dhe diplomacinë amerikane. Duhet ta mbajë Amerikën në kontakt të çdo zhvillimi, të këshillohet prej saj dhe të kërkojë ndihmën e saj të vlefshme. Ndërkaq, shoh se diskutimet dhe konsultimet midis Uashingtonit dhe Brukselit vijojnë normalisht. Kjo do të thotë se në një farë mënyre vendimmarrja dhe procesi janë e do të jenë produkt i konsensusit euro-amerikan. Kjo është me shumë rëndësi, sepse asnjë marrëveshje që nuk do të mbështetej nga njëra prej këtyre palëve nuk do të kishte sukses dhe nga ana tjetër kjo rrit presionin ndaj Serbisë”, ka deklaruar Bytyçi.

Kërkesën e opozitës profesori e sheh si populiste, derisa thotë se nuk varet nga Kurti nëse SHBA-të marrin pjesë direkt në dialog, ai mund ta kërkojë këtë por nuk e vendos ai, por që natyrisht se nëse pala serbe pajtohet, përfshirja direkte e Amerikës do të ishte zgjidhja e konfliktit.

“Në këto rrethana, kushti i dy partive politike opozitare për pjesëmarrjen e SHBA-ve në dialog është disi populist. Nuk është në dorën e Albin Kurtit, nëse administrata amerikane do të jetë ose jo pjesëmarrëse ne këtë dialog. Nuk e vendos këtë kryeministri i Kosovës. Ai thjesht mund dhe duhet të kërkojë prezencën amerikane, por nuk mundet ta pranojë. Kjo edhe për faktin se ka një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, kur autorizohet ndërmjetësimi evropian në dialogun Kosovë-Serbi. Pa Amerikën nuk mund të ketë përfundim të suksesshëm të dialogut midis dy palëve. Por edhe integrimi i drejtpërdrejtë i Amerikës në dialog mund të jetë i vështirë për shkak të reagimit të palës serbe. Nëse edhe pala serbe bie dakord, atëherë pse jo? Pjesëmarrja e Amerikës do ishte ndihmë e madhe për vetë dialogun e më pas edhe për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit”, ka përfunduar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat