Hoxhaj refuzoi takimin me Lajçakun, analisti tregon arsyet

Politika

Hoxhaj refuzoi takimin me Lajçakun, analisti tregon arsyet

Nga: A.Z Më: 31 maj 2021 Në ora: 16:32
Enver Hoxhaj dhe Mirosllav Lajçak

Ushtruesi i detyrës së PDK-së, Enver Hoxhaj e ka refuzuar takimin me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçkun.

E lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se refuzimi i këtij takimi është i qëllimshëm ndaj qëndrimeve të ndryshme të Lajçakut.

Ai thotë se Kurti në krye të Qeverisë, Biden në SHBA, si dhe pjesëmarrja e SHBA-së në dialog, kanë bërë që Lajçaku të ndryshojë mendimin lidhur me dialogun e që janë në dobi të Kurtit.

“Refuzimi i takimit të Enver Hoxhajt me përfaqësuesin e BE-së për dialog me Serbinë, Mirosllav Lajçak, është e qëllimshme e protestuese ndaj qëndrimeve të ndryshme të Lajçakut kundruall takimeve dialoguese të Thaçit me Vuçiqin. Ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës, zgjedhja e presidentit të ri, Biden, në SHBA, pjesëmarrja e SHBA-së gjatë dialogut Kosovë-Serbi në krye me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit, Matthew Palmer, ka ndryshuar rrjedhën e dialogut në të mirë të Albin Kurtit e Kosovës, këto kahje diplomatike kanë detyruar Lajçakun të ndryshojë mendimin e dialogut me Serbinë në dobi të Albin Kurtit e kundër ideve të mëparshme të Thaçit e Vuçiqit për shkëmbime territoresh”, theksoi Mehazi.

Më tej, ai shtoi se kahja politike e Lajçakut drejt Kurtit si dhe inatet politike të PDK-së, kanë bërë që Hoxhaj të refuzoj takimin me Lajçakun, por pranoi të takohej me Palmer dhe Kosnett, pra e gjitha kjo për shkak të inateve politike ndaj Kurtit.

“Pra, kahja politike e Lajçakut drejt Albin Kurtit e kundër ideve të mëparshme dialoguese të Thaçit me Vuçiqin kanë revoltuar PDK-në e Thaçit dhe të Hoxhajt për ta refuzuar takimin me Lajçakun. Në njërën anë Hoxhaj me duar hapur pranon zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Phlilip Kosnett për të marrë poenë politike, në anën tjetër mohon takimin me Lajçakun, përse? Po për shkak të inateve politike ndaj Kurtit, marrëdhëniet e mira e pozitive të përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak me Albin Kurtin kanë hidhëruar PDK-në, ky hidhërim i Hoxhajt ndaj Lajçakut shprehet me anë të refuzimit të takimit me Lajçakun”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat