Parashikimi për finalen Kosovë-Serbi/ Kështu BE mund ta imponojë marrëveshjen, ndryshe Vuçiq...

Politika

Parashikimi për finalen Kosovë-Serbi/ Kështu BE mund ta imponojë marrëveshjen, ndryshe Vuçiq...

Nga: P.R Më: 31 maj 2021 Në ora: 20:19
Harta e Ballkanit

Ditë më parë, në media Raporti Zyrtar i Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili flet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas këtij dokumenti, kryesimi i Këshillit të Bashkimit Evropian nga Sllovenia në periudhën kohore prej 6 muajsh, nga korriku deri në dhjetor, shihet si një mundësi shumë e mirë për arritjen e një marrëveshjeje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Gjatë presidencës së Sllovenisë në Këshillin e BE-së për vitin 2021, ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit përmes dialogut”, thuhet në këtë dokument.

Por a mund të ndodhë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë në 6 muajt e ardhshëm? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Nga 1 korriku do të jetë Sllovenia ajo që do të marrë kryesinë e Bashkimit Evropian. Kryeministri slloven, Janez Jansa, do të jetë në pozitë që të dëshmojë se ai do të jetë i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor. Në fakt ai e ka dëshmuar këtë përkushtim përmes non-paper-it të tij, me të cilin parashikon dhe rekomandon asgjësimin e disa shteteve ballkanike, veçmas të Bosnjë-Hercegovinës. Dhe duket se këtë gjë nuk e ka bërë aq sa për shqetësimin që qeveria sllovene ka për paqen e sigurinë në Ballkan, sa për paragjykimet e kryeministrit Jansa për popullsinë myslimane të Bosnjës. Kjo do të thotë se ai paragjykon çdo popullsi myslimane në rajon”, thotë Bytyçi.

Ai shton se ende nuk është e qartë se çfarë modeli do të ndjekë Sllovenia gjatë kryesimit 6 mujor të Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Kryesia sllovene kësisoj ka marr revansh para se të fillojë detyrën e radhës në krye të BE-së. Sigurisht që Sllovenia do të donte të shënonte një sukses të paparë në zgjidhjen e konflikteve në Ballkanin Perëndimor dhe të shënonte hapa të mëtejshëm për integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Por nuk është e sigurt se cila do të jetë radha e saj e punës, cilin model do të ndjekë dhe çfarë rruge do të përshkojë. Do të ofrojë zgjidhje, të cilat përmbajnë drejtësinë dhe garantojnë paqen, apo do të ta rikthejë rajonin në situatën e konflikteve të viteve 1990?!”, shton Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, presidenti dhe qeveria serbe nuk do ta lëshojnë Kosovën pa përfitime të mëdha në rajonin tonë.

“Ndoshta në Bruksel janë zgjuar shpresa dhe sentimente optimizmi se brenda këtij viti të mund t’i jepet fund konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Por kjo do të jetë vështirë të realizohet. Presidenti dhe qeveria serbe nuk do ta lëshojnë Kosovën pa përfitime të mëdha në rajonin tonë. Jansa dëshiron që t’i japë Aleksandër Vuçiq 49 përqind të territorit të sotëm të Bosnjë-Hercegovinës dhe pjesën më të pasur të Kosovës, veriun e saj në këmbim të një marrëveshjeje me Kosovën. Kjo është një aventurë e jo një zgjidhje. Në Bruksel këtë e dinë”, nënvizon Bytyçi.

“Nga ana tjetër as qeveria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë e gatshme të ofrojë territore e sovranitet në favor të Serbisë në këmbim të një marrëveshjeje që le pas të shkuarën e dy vendësve. Atëherë si e mendon Brukseli dhe Ljubljana këtë zgjidhje, të cilën e parashikojnë ta realizojnë brenda këtij viti?! Mbetet për t’u parë”, thekson më tej profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, Bashkimi Evropian e ka në dorë për ta zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi brenda këtij viti.

“P.sh mundet që të caktojë datën e pranimit të Malit të Zi në Union dhe të nxitë Serbinë për të kapur trenin e integrimit. Pastaj të vendosë në tavolinën e bisedimeve kapitullin 35 me të cilin imponohet marrëveshja e drejtë dhe e ndershme me Kosovën dhe kështu ta realizojë objektivin e saj në këtë drejtim. Më tej ajo ka të gjithë të drejtën e saj që bazuar në traktatet e BE-së të imponojë një sjellje të njëjtë me Brukselin të Beogradit me Moskën, deri te vendosja e sanksioneve. Nëse do të bëjë këto, Komisioni dhe Këshilli Evropian do t’ia imponojë Serbisë një marrëveshje të drejtë me Kosovën. Ndryshe Beogradi do të luajë si macja me miun edhe në të ardhmen, derisa të realizojë ambiciet e veta për një Serbi të Madhe. Kryeministri slloven ia ka shtuar këto ambicie dhe për mua është krejt e paqartë pse po e bën këtë”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Profesor Bytyçi hedh kritika të ashpra për kryeministrin slloven, Janes Jansa.

“Në fakt Sllovenia ka dëshmuar gjithnjë afrimitet me Serbinë. Ndoshta se nuk e pësoi si fqinjët e saj në luftërat e Milosheviçit kundër popujve të tjerë, veçmas boshnjakëve, shqiptarëve dhe kroatëve. Ndaj dhe në shenjë falënderimi ai mbështet krijimin e Serbisë së Madhe. Por në këtë mënyrë Janes Jansa nuk do të mundë që ta realizojë ambicien e tij. Unë nuk bëj pjesë te ata që besojnë në sinqeritetin dhe përkushtimin e ndershëm të qeverisë së sotme sllovene në çështjet e Ballkanit. Mua më rezulton se kjo qeveri është e orientuar më shumë nga modeli hungarez I qeverisjes sesa ai gjerman”, deklaron Bytyçi.

“Edhe për këtë arsye kryeministrin slloven në krye të BE-së e shoh si aventurier politik dhe jo si një interlocutor të besueshëm për të realizuar një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Ballkan. Madje kam përshtypjen se kryesia sllovene do ta ndërlikojë situatën dhe do të shkaktojë problem të reja e të paqena. Ndërkohë duhet marrë parasysh fakti se pranverën e ardhshme në Serbi do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale e parlamentare. Aleksandër Vuçiqi nuk do të rrezikojë në këto zgjedhje me një marrëveshje të stabilitetit e paqes në rajon”.

Për fund, Bytyçi deklaron se Vuçiq mund të pajtohet me arritjen e një marrëveshje, e cila nuk përfshin njohjen e Kosovës si shtet.

“E shumta Vuçiq mund të pajtohet me një marrëveshje të ndërmjetme, pa pranuar njohjen e Kosovës si shtet. Por edhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të involvohen fort në dialog dhe do të shtojnë presionin e tyre politik mbi Beogradin. Pra asgjë nuk pres nga fakti që Sllovenia do të jetë kryesuese e Bashkimit Evropian. Gjithçka që mund të vijë e ka burimin te një koordinim amerikano-gjerman. Madje edhe në këtë rast do të duhet që edhe Franca dhe Britania të bëhen pjesë e dakordësisë”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat