Para rifillimit të dialogut me Serbinë, Kurtit i kërkohet zbulimi i spiunëve shqiptarë – e nevojshme hapja e këtyre dosjeve!

Politika

Para rifillimit të dialogut me Serbinë, Kurtit i kërkohet zbulimi i spiunëve shqiptarë – e nevojshme hapja e këtyre dosjeve!

Nga: A.Morina Më: 5 qershor 2021 Në ora: 19:48
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në rifillimin e negociatave Kosovë-Serbi.

Krerët e institucioneve të vendit tash e sa kohë kanë filluar përgatitjet për ballafaqimin me palën serbe, në Bruksel, shkruan "Bota sot".

Ata edhe kanë formuar edhe ekipin e ekspertëve të angazhuar në procesin e dialogut, i cili do ta këshillojë Qeverinë e Kosovës.

Mirëpo, përfshirja e disa personave, siç janë Veton Surroi e Blerim Shala, kanë nxitur reagime të mëdha, për shkak të së kaluarës së tyre politike dhe bashkëpunimit me ish-presidentin Hashim Thaçi.

E lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Ai u shpreh se ekipi këshillues, në Kosovë, shkëmbejnë mendime, për temat, veç e veç dhe se dialogu nuk do të jetë "shko e eja, si Adem Peja", siç bënin në ato ecejaket e kotshme të Edita Tahirit me shokë!

Image
Analisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

“Mendoj se po. Surroi është njeri i librit, i letrave, i studimit. Ai nuk është bjerrakohës i kafeneve. Këtë e dëshmojnë krijimet letrare dhe publicistike voluminoze. Siç e thotë edhe vet Surroi, "do të jetë një nga personat, që do ta këshillojë kryeministrin", pra, nuk është i vetëm.

Paraprakisht, përcaktohen temat, të cilat do të bisedohen. Ekipi këshillues, në Kosovë, shkëmbejnë mendime, për temat, veç e veç, Dibranët kanë një urti: "Një mendje, asnjë mendje; dy mendje, gjysmë mendje; tri mendje, një mendje!" Një urtësi kuptimplote. Dialogu nuk do të jetë "shko e eja, si Adem Peja", siç bënin në ato ecejaket e kotshme të Edita Tahirit me shokë!”, deklaroi analisti.

Zeqiraj shpjegoi edhe dallimet e qasjes së kryeministrit Albin Kurti me qasjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, në raport me dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, Kurti është sovran, i pazhantashueshëm, në krahasim me Thaçin, i cili ishte i shantahuar nga Serbia dhe Gjykata Speciale.

“Parësia e Kurtit, në bisedime, në raport me Thaçin, është, dukshëm, epërore. Thaçi ishte i hendikepuar, me shantazhimin nga Serbia dhe Gjykata Speciale. Kurse Albini është sovran, i pashantazhueshëm nga askush. E ka rastin ta dëshmojë, se ka ngënë dajak, por nuk ka marrë obligime ndaj Serbisë. Atëherë Ramushi mund të përballet me ligjin, për shpifje, trillime, denigrime të qëllimshme”, vlerësoi ai.

Analisti nga Gjermania përmendi edhe Veton Surroin dhe Blerim Shalën të cilët kanë përvoja në takimet ndërkombëtare, e të cilët gjatë të kaluarës ishin argat të Hashim Thaçit.

Ai potencoi se Thaçit i ishte premtuar çmimi "Nobel", nga Serbia dhe Rusia, për realizimin e marrëveshjes, për dhënien e Veriut të Mitrovicës Serbisë dhe jo nga dialoguesit dhe këshilltarët.

“Përmenda Surroin e Shalën, me përvojë takimesh, me ndërkombëtarët. Megjithatë, kanë qenë argatë të Hashimit, i cili kishte objektiva tjera, për ta shpëtuar lëkurën e vet. Për rrjedhojë, asgjë të mirë nuk ka fituar Kosova. Hashimi, temat teknike, i konvertoi në çështje politike, në konspiracion të plotë, fshehurazi institucioneve dhe popullit.

Andaj, ngarkohen me fajësi kreu drejtues i dialogut, në rastin konkret, Hashimi, dialoguesit dhe këshilltarët, për fshehjen e krimit. Pse duhet të mësonin shqiptarët, nga presidenti Joe Biden, se Thaçit i ishte premtuar çmimi "Nobel", nga Serbia dhe Rusia, për realizimin e marrëveshjes, për dhënien e Veriut të Mitrovicës Serbisë dhe jo nga dialoguesit dhe këshilltarët?! Këto janë gjëra të rënda, penalizuese”, theksoi ai.

Kurse, pavarësisht përfshirjes së disa personave në ekipin e ekspertëve negociues, Zeqiraj beso se dialogu është në duar të sigurta, përkatësisht në koalicionin LVV-Lista “Guxo”.

“Për tema të veçanta, të karakterit teknicist, janë specialistët e fushave përkatëse. Dhe, kur kemi parasysh gjysmë shekulli, nga hapja e Universitetit të Prishtinës, plus studiues nga Universitet prestigjioze botërore, kuadri i specializuar nuk mungon.

Një tjetër garancë, se dialogu është në duar të sigurta, është ekipi drejtues i shtetit dhe i pushtetit, përkatësisht, koalicioni, LVV-Lista -GUXO-. Bija dhe bijë, me integritet dhe personalitet, të shkolluar, me përgaditje supreme, siç janë: presidentja Vjosë Osmani, krye parlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donikë Gërvalla, përgatitja për dialogun e pritshëm është e kompletuar, plotore”, nënvizoi ai.

Pse duhet të jetë, pikërisht, Surroi, këshilltar, kur paragjykohet për raportet, pakësa, më të veçanta pë Serbinë, - thonë paragjykuesit e tij?!

Në vazhdim, ai përmendi edhe paragjykimet se pse Surroi duhet të jetë pjesë e ekipit këshillues të kryeministrit Kurti.

Ku, Zeqiraj tha se Surroi ka qenë i privilegjuar, duke qenë djalë ambasadori, me rrethin familjar, në pozita të larta shtetërore, kjo nuk do të thotë të mos ndërrojë mendimet, në rastin konkret, për Serbinë

“Demaçi ynë thoshte: "Unë jam dialektik. Para fakteve të reja, ndryshoj mendimin e vjetër. Sepse, vetëm të marrët dhe të vdekurit, nuk ndryshojnë!"

Nëse Vetoni, qysh fëmijë ka qenë i privilegjuar, duke qenë djalë ambasadori, me rrethin familjar, në pozita të larta shtetërore, kjo nuk do të thotë të mos ndërrojë mendimet, në rastin konkret, për Serbinë, një shtet, një shtet ultra-fashist, që përgjakën Kosovën! Unë kam përcjellur dhe vazhdoj ta ndjekë, në misionet televizive. Dhe, nuk shohë asgjë të keqe tek ai, aktualisht”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, analisti e përmendi edhe mbështetjen që Surroi ia ofroi kryeministrit Kurti, në kohën kur ky i fundit i “cakërroi” raportet me diplomatin amerikan Grenell.

Ai tregoi edhe rastin në të cilin Surroi duhet të qortohet nga analistët dhe të tjerët.

“Përkundrazi, kur Albini u cakërrua me Grenell-in, refuzoi pjesëmarrjen në takim, kundërshtonte dialogun, analistët e panë me skepticizëm karrierën e Kurtit. Përkundrazi, Surroi shpjegonte bindshëm, sepse gjëra që janë në dëm të Kosovës, duhet thënë jo Vuqiçit, por edhe Grenellit.

Për atë që mund të qortohet Surroi me shokë, është se ai kuptoi se Hashimi kishte një hall të madh, kundërshtoi nënshkrimin e Marrëveshjes në Rambuje, siç kërkohej ta bënin anëtarët, kryesues të përfaqësimit. Dhe, po të pyetej Hashimi, dështonte marrëveshja, Kosova iku! Ishin të tjerët, ata që kuptuan se Thaçi ishte i varur nga agjenti freng DGSE, Damian Arnaud”, potencoi ai.

Tutje, Zeqiraj konsideroi se është e nevojshme hapja e dosjeve për të njohur të kaluarën e kuadrove të njerëzve publikë, ndonëse Serbia u zotua se kurrë do t`i zbulojë spiunët e saj shqiptarë.

“Hapja e dosjeve, lustracioni, do të ishte shumë i nevojshëm, për të njohur të kaluarën e kuadrove të njerëzve publikë. Serbia është zotuar se kurrë nuk do t`i zbulojë spiunët e saj shqiptarë. Realisht, herë pas here, nxjerrë nga një listë emrash. Por, këto lista mund të jenë të qëllimshme, për të denigruar disa dhe për të kamufluar disa të tjerë.

Sidoqoftë, pozitive është nisma, së afërmi, i dialogut. Edhe "zbutja" e Kurtit është e mirëpritur, edhe pse PAN-istët në opozitë duan mohimin, dështimin e dialogut dhe të qeverisë Kurti. Sepse kanë humbur shpresat për ngritje në pozitë, si duket, për gjatë kohë”, theksoi ai.

Krejt në fund, analisti u shpreh se gjëja pozitive në rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi është përfshirja e palës amerikane dhe premtimet e krerëve shtetëror për transparencë në lidhje me negociatat.

“Angazhimi i palës amerikane, në përcjelljen e dialogut, gjithsesi, është pozitive. Ekipi i ri drejtues të shtetit dhe pushtetit, presidentja Vjosë Osmani, krye parlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, ministrja e Jashtme Donikë Gërvalla, me kuadro të tjerë, kanë premtuar transparencë, krejt ndryshe nga ajo siç është vepruar deri më tani”, përmbylli Idriz Zeqiraj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat