“Gjithçka do të kishte marrë fund”, zbulohet cili projekt i Thaçit dhe Hotit mbeti në gjysmë kur u nisën për SHBA

Politika

“Gjithçka do të kishte marrë fund”, zbulohet cili projekt i Thaçit dhe Hotit mbeti në gjysmë kur u nisën për SHBA

Nga: G.B Më: 7 qershor 2021 Në ora: 13:05
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

Kohë më parë u publikua një Non paper slloven, i cili ngjalli reagime të shumta të shumë shteteve në botë.

Dokumenti joformal vetëm tani u konfirmua nga Bashkimi Evropian.

Për agjencinë austriake të lajmeve APA, KE ka thënë se ekziston Non paperi slloven për ndryshim të kufijve.

Në anën tjetër, zëvendësndihmës sekretari i shtetit, Mathew Palmer, ka thënë se ndryshimi i kufijve bëhet nëse duan Kosova dhe Shqipëria, por që Kosova nuk e dëshiron një gjë të tillë.

Lidhur me gjithë këtë, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” se qëllimi i Sllovenisë është që të arrijë një sukses spektakolar derisa do ta marrë presidencën e BE-së.

“Po. Është e vërtetë se Sllovenia, përkatësisht kryeministri i këtij vendi, Jansa, i ka dërguar Bashkimit Evropian një non-paper, me të cilin rekomandon ndryshimin e kufijve në Ballkan. Në atë non-paper parashikohet që Republika Srpska e Bosnjë-Hercegovinës t’i bashkohet Serbisë. Po ashtu edhe veriu i Kosovës, për të cilin jepet edhe një variant, zgjidhjeje, modeli i Timorit Jugor në veri të Italisë. Duket sikur në atë projekt slloven synohet asgjësimi i shtetit të Bosnje-Hercegovinës, ndërkaq që propozohet që Kosova e mbetur t’i bashkohet Shqipërisë. Madje thuhet se „Nëse Republika Srpska i bashkohet BH, atëherë Serbia do të binte dakord që Kosova të bashkohej me Shqipërinë“. Për këtë Jansa thotë se mbi 90 për qind e shqiptarëve në Kosovë e po kaq në Shqipëri janë dakord që të dy vendet të bashkohen. Non-paper-i slloven shpjegohet me faktin se Sllovenia do të marrë më 1 korrik presidencën e BE-së dhe dëshiron që gjatë kësaj periudhe gjashtë mujore të arrijë një sukses spektakolar. Në fakt është krejt ndryshe: Serbia ndodhet në një dilemë të madhe. Ajo nuk është e gatshme ta pranojë shtetin e Kosovës. Thuajse të gjithë politikanët dhe shumica dërmuese e popullsisë serbe janë kundër shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë se qeveria serbe dhe presidenti Vuçiq nuk do ta pranojnë dhe nuk do të nënshkruajnë një marrëveshje për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, mund të përsëritet skenari i Rambujesë, pasi Serbia mund të refuzojë njohjen e Kosovës dhe kështu fajësohet për refuzimin e zgjidhjes, rrjedhimisht Kosova anëtarësohet në NATO.

“Nëse Beogradi nuk do ta pranojë shtetin e Kosovës në një periudhë afatmesme, ka shumë mundësi që Serbia të fajësohet për refuzimin e zgjidhjes. Mund të përsëritet skenari i Rambujesë. Kësisoj Kosova bëhet anëtare e NATO-s. Anëtarësimi në NATO e bën atë një shtet të konsoliduar dhe të mbrojtur. Madje bazë të fuqishme të Aleancës Atlantike. Dhe për këtë do të fajësohet përsëri Serbia, për faktin se ajo nuk pranon zgjidhjen e duhur. Në këtë rast nuk do të kishte më vlerë asnjë marrëveshje me Beogradin, ndërkohë që Serbia do të izolohej plotësisht”, ka thënë Bytyçi.

Ai ka shtuar se Beogradi ka sponsorizuar Ljubljanën, pra kryeministrin slloven që të propozojë zgjidhje për krijimin e Serbisë së Madhe, derisa ka potencuar se Jansa ka edhe një arsye tjetër, pasi Bosnjë-Hercegovina ka një popullsi shumicë myslimane

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

“Për të evituar izolimin e Serbisë, Beogradi ka sponsorizuar Ljubljanën, d.m.th kryeministrin slloven, që ai të propozojë një zgjidhje, e cila krijon Serbinë e Madhe. Jam i bindur se në këtë rast autoritetet e Beogradit do të premtojnë edhe anëtarësimin në NATO, por nuk do ta bëjnë këtë, sepse në fund do të thonë se “duhet referendum për ta vendosur këtë“! Dhe nuk ka referendum në Serbi që voton pro-NATO-s, pro asaj NATO-je të cilën vetë presidenti i vendit e sulmon së paku njëherë në vit, sa herë “përkujton“ bombardimet e saj kundër Serbisë. Por kryeministri Jansa ka edhe një arsye tjetër. Nuk ndjehet mirë që Bosnjë-Hercegovina ka një popullsi shumicë myslimane. Për këtë arsye ai duket se është islamo-foobist dhe kërkon ta fshijë nga harta shtetin e Bosnjë-Hercegovinës”, ka theksuar profesori për “Bota sot”.

Sa i përket deklaratës së Palmerit për ndryshim kufijsh, Bytyçi ka vlerësuar se kjo na e bën me dije se Thaçi ishte pro shkëmbimit të territorit dhe ai bashkë me Hotin, në qershor ishin nisur për në SHBA, për të nënshkruar atë projekt.

“Palmer duket se ende ruan idenë se „mund të bëhen ndryshime kufijsh në Ballkan“ kur thotë se „Serbia është dakord për këtë dhe po të bie dakord edhe Kosova, atëherë kjo mund të bëhet“! Kjo deklaratë na bën me dije se kur Thaçi ishte dakord me shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë Palmer dhe të tjerë në administratën ishin të të njëjtit mendim e qëndrim. Kjo do të thotë se kur Thaçi dhe Hoti u nisën për në Uashington në qershor 2020, do shkonin atje për ta nënshkruar këtë projekt. Nëse do të kishin sukses në këtë aventurë, sot do të ishte në tavolinën e bisedimeve asgjësimi i shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Kosova do ishte ndarë e ndoshta në këtë kohë do të kishim një periudhë referendumesh në Shqipëri dhe në Kosovë. Pra, do kishte marrë fund gjithçka”, ka vlerësuar ai.

Po ashtu, Bytyçi ka thënë se deklarata e Palmerit tregon se në Uashington ende ka diplomatë që e përkrahin idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan.

“Kjo deklaratë e zotit Palmer shpreh gjithashtu faktin se në Uashington ende ka diplomatë që e përkrahin idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan. D.m.th që të shpërbëhen së paku dy shtete, por edhe që të venë në diskutim ekzistencën e dy shteteve të tjera, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Jo rastësisht u krijua së fundmi konflikti bullgaro-maqedonas, si dhe konflikti i brendshëm politik në Mal të Zi, kur me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare u sillën në pushtet forcat politike pro-ruse e pro-serbe”, ka deklaruar ai.

Por, profesori ka shtuar se kushdo që kërkon ndryshim të kufijve, duhet ta dijë se ndryshimi i kufijve sjell luftë.

“Por kushdo që kërkon ndryshim kufijsh në rajonin tonë, Jansa apo Palmer, duhet ta dijë se kontribuojnë për destabilizimin e rajonit. Ndryshimi i kufijve sjell luftë. Luftërat e fundit të shekullit të kaluar dhe të mëparshme në ish-Jugosllavi e kudo në Evropë janë zhvilluar për kufijtë, për zgjerimin e kufijve. Milosheviçi ishte gjithashtu i këtij opsioni, të ndryshonte kufijtë e Kosovës e të republikave ish-jugosllave në favor të Serbisë së Madhe. Të njëjtën gjë po predikojnë kryeministri slloven dhe është i gatshëm ta mbështetë zoti Palmer”, është shprehur Bytyçi.

Sipas tij, institucionet e shtetit duhet të shprehen në çdo formë kundër këtij projekti.

“Qeveria dhe presidentja e Kosovës, parlamenti i vendit, duhet të shprehen përsëri me rezolutë dhe në çdo formë kundër këtij projekti. Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçmas në rrethanat e sotme nuk i konvenon asnjë konflikt në rajon dhe në vendet tona. Çdo konflikt do t’i zvogëlonte territoret shqiptare në Ballkan”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat