Të mos lëshohet pe/Serbia nuk dëshiron njohjen e Kosovës, si duhet të veprohet

Politika

Të mos lëshohet pe/Serbia nuk dëshiron njohjen e Kosovës, si duhet të veprohet

Nga: A.Z Më: 11 qershor 2021 Në ora: 15:36
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Kërkesa për njohje të ndërsjellë në mes të dyja shteteve, nuk po u pëlqen serbëve. Presidenti Aleksandër Vuçiq vazhdimisht ka deklaruar se nuk do ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Tani, drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën Petar Petkoviq, ka thënë se politikanët shqiptarë, me mesazhin kërcënues se rezultati i vetëm i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të jetë e ashtuquajtura njohje reciproke, vërtetuan drejtpërdrejt se ata nuk janë të interesuar për dialog, marrëveshje dhe për një zgjidhje kompromisi.

“Në vend që të mashtrojnë pamatur publikun dhe të sabotojnë dialogun në baza ditore, le të pranojnë se nuk janë të interesuar në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, por në mbrojtjen e konfliktit të ngrirë dhe tensioneve të përditshme në terren, të cilat fatkeqësisht janë një rrezik dhe një alternativë e dialogut, as nuk ndihmojnë në mirëkuptimin dhe marrëveshjen e ndërsjellë, por rrisin tensionet dhe hendekun që ekziston midis popujve në territorin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Beogradi është absolutisht i gatshëm të vazhdojë dialogun me Prishtinën. Por njohja e ndërsjellë nuk është aspak temë.

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia e dëshiron ndarjen e Kosovës, prandaj në raport me shtetin serb, kërkohet qëndrim i prerë i Kosovës.

Kelmendi shton se temat që duhet të mbesin në dialog janë gjetja e të zhdukurve, rikthimi i mjeteve financiare të vjedhura si dhe përgjegjësia penale.

“Dialog po, por me përgjegjësi të shtetit serb. Serbia e donë ripushtimin dhe ndarjen e Kosovës. Tash e dinë këtë kudo. Prandaj edhe kërkohet qëndrim i prerë i Kosovës në raport me shtetin serb. Natyrisht se edhe Kosova duhet të jetë e përgatitur. Shpresoj se këtu nuk kemi probleme. Mirëpo, në dialog me shtetin serb, Kosova duhet të mbetet fortë e në temat e veta. E ato tash veç dihen. Megjithatë duhet vazhdimisht të përsëriten. Përkatësisht: 1. Gjetja e të zhdukurve, 2. Dëmshpërblimi dhe reparacionet e luftës, 3. Rikthimi i mjeteve financiare të pensionit të vjedhura dhe të dokumenteve të grabitura nga Serbia, 4. Përgjegjësinë penale të shtetit serb dhe 5. Njohjen reciproke”, është shprehur ai.

Tutje, ai shtoi se nuk duhet të ketë lëshime, si dhe të kërkohet Asociacioni për Luginën e Preshevës, prandaj Kosova duhet të mbetet në dialog por me kërkesat e nevojshme.

“Këtu nuk duhet të bëhen lëshime, kuptohet se Serbia e donë Asociacionin serb pa njohje reciproke të shteteve. Në këtë anë kërkohet nga pala kosovare të kërkohet reciprocitet, duke kërkuar Asociacionin për Luginën e Preshevës, ky reciprocitet është i domosdoshëm. Duke mbetur në këto anë nuk mundet askush të akuzon Kosovën për mos dialog. Përkundrazi, Kosova duhet të qëndrojë për dialog, por me kërkesat dhe temat e nevojshme që dolën nga lufta në Kosovë”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat