Kosova është shtet i pavarur/Analistët komentojnë përplasjen Kurti-Bërnabiq në Tiranë

Politika

Kosova është shtet i pavarur/Analistët komentojnë përplasjen Kurti-Bërnabiq në Tiranë

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 12 qershor 2021 Në ora: 08:31
Albin Kurti

Të enjten u mbajt Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Në këtë Samit të organizuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, kanë marrë pjesë shtete si, Kosova, Mali i zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia.

Republika e Kosovës u përfaqësua nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.  Por, gjatë  këtij samiti u raportua se kryeministri Kurti ka pasur një përplasje me kryeministren e Serbisë,  Ana Bërnabiç.

Këtë përplasje e ka konfirmuar edhe vet kryeministri Kurti, i cili deklaroi se kjo polemikë ndodhi pasi Serbia nuk pranonte se Kosova është shtet i pavarur.

“Ka ekzistuar një lloj polemike le të themi për shkak se Bërnabiç nuk dëshironte të pranonte se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me ç’rast unë theksova se Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ne duam të integrohemi në BE dhe në NATO. Njohja e Pavarësisë së Kosovës nuk është e mirë vetëm për Kosovën, që besa është jo më pak e vlefshme edhe për vetë Serbinë, e cila në këtë mënyrë po e mban vetën peng. E kam theksuar edhe më herët se para 13 viteve, Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia, e edhe Serbia duhet të shpall pavarësinë nga Kosova”,  ka deklaruar Kurti.

Ndërkaq, një temë tjetër e cila është theksuar nga Kurti është edhe çështja e Mini-shengenit ballkanik, për të cilin kryeministri që nga fillimi ishte kundër saj.

Kurti para mediave ka thënë se nuk do të ketë Mini-shengen dhe se tani është çështje që trajtohet nga Procesi i Berlinit me emër tjetër e me koordinata tjera

“Nuk ka më mini-shengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut. Ajo iniciativa që për bindjen time ka qenë më shumë e lidhur me Novisadin se me shengenin, sepse aty ka nisur. Tashmë është një çështje që trajtohet nga Procesi i Berlinit me emër tjetër e me koordinata tjera, sidomos pas Samitit të Sofjes”, ka potencuar Kurti.

Lidhur me paraqitjen e Kurtit në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ekspertët kanë lavdëruar kryeministrin, pasi që sipas tyre, ai e ka trajtuar si duhet Serbinë. Gjithashtu, ata u shprehën për gazetën “Bota sot” se projektet e Serbisë  nuk duhet të realizohen në kurriz të Kosovës, si dhe me ta duhet të  vlejë parimi i reciprocitetit.

Mehmeti: Paraqitja e Albinit ka qenë e nivelit të lartë

Analisti politik Faton Mehmeti, ka komentuar paraqitjen e Kryeministrit Kurti në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Ai ka thënë se Kurti ka qenë në nivelin e duhur dhe se Serbisë duhet t'i thuhet çdo herë atë që e meriton.

Image
Faton Mehmeti

“Paraqitja e Albinit ka qenë e nivelit të lartë, duke qenë bindës dhe parimor në raport me qëndrimet e tij ndaj Serbisë. Serbisë duhet t'i thuhet çdo herë atë që e meriton, Kosova është e pavarur dhe Mini shengeni nuk funksionin”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Sipas Mehmetit, Serbia mori atë që meriton nga Kurti dhe se projektet e saj nuk guxojnë të realizohen në kurriz të Kosovës.

“Pra, projektet e Serbisë nuk guxojnë të realizohen në kurriz të Kosovës. Albin Kurti ka shkëlqyer në Samitin në Tiranë, gjë që s`ka ndodhur me ish kryeministrat e tjerë. Besoj se Serbia mori atë që meriton, njësoj duhet të veprojë edhe në takimin me Vuçiqin me 15 qershor. Kosova, në Samitin në Tiranë ka shënuar fitore karshi Serbisë dhe kjo është për tu përshëndetur”, ka deklaruar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Bytyçi: Kurti ia bëri me dije Brnabiçit se Kosova është shtet i pavarur

Ndërkaq, opinionisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, e quan të drejtë deklaratën e Kurtit, ku i ka bërë më dije  Bërnabiçit se Kosova është shtet i pavarur.

Image
Adem Bytyçi

“Albin Kurti është njëri ndër Kryeministrat më të guximshëm që e ka pasur Kosova e pas luftës. Me të drejtë ka treguar Kurti, duke e bërë me dije Kryeministres e Serbisë Bërnabiç, se Kosova është shtet dhe Serbia duhet ta pranojë”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Bytyçi ka treguar se çfarë parimi vlen me Serbinë, si dhe çfarë duhet të bëjë Kosova në këtë rast.

“Sjelljet në mënyrë të butë me Serbinë, Serbia nuk i vlerëson ashtu siç duhej t'i vlerësonte, por për më tepër i konsideron dobësi të palës kundërshtarë, prandaj me Serbinë vetëm parimi i reciprocitetit vlen qoftë edhe në negociata dhe bisedime të cilat do qofshin ato. Tanimë veç ka treguar Serbia se nuk është e gatshme për ta pranuar shtetësinë e Kosovës pa kompromise , prandaj pala kosovare duhet të jetë shumë e kujdesshme që mos të pranojë kompromis i cili cenon karakterin unitar të Kosovës”, ka potencuar Bytyçi.

Më tej, Bytyçi ka shtuar se  Kurti duhet të përkrahet nga opozita në procesin e bisedimeve me Serbinë.              

“Kryeministri Kurti, duhet të përkrahet nga opozita, shoqëria civile dhe të gjitha forcat politike në negociatat me palën serbe, sepse është një politikan vizionar dhe shumë i vendosur për t'i mbrojtur interesat legjitime të Kosovës në raport me palën serbe në negociatat e Brukselit”, ka deklaruar Adem Bytyçi për "Bota sot".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat